Ku janë 5 kontratat që na kushtojnë mbi 300 milionë euro?

Vetëm 5 kontrata që i kushtojnë shqiptarëve mbi 300 milionë euro nuk bëhen publike nga qeveria. PD i kërkoi dje Ramës që të bëjë publike këto 5 kontrata. Reagimi erdhi vetëm pak minuta pasi Rama mbajti një fjalim hipokrizie në lidhje me luftën ndaj korrupsionit. Po cilat janë këto pesë kontrata.
“Korrupsioni luftohet duke bërë transparent vendimet dhe kontratat. Nëse Edi Rama do vërtet të luftojë korrupsionin, le të bëjë publike: Kontratën e tij me Vilma Nushin për check up, kontratën e stadiumit ‘Qemal Stafa’, kontratën për hemodializën, kontratën për laboratorët, për sterilizimin, kontratën për Sheshin ‘Skënderbej’, marrëveshjen me kompaninë italiane për mbetjet e Tiranës. Të tregojë pse i marrin gjithë tenderat miqtë e tij, pa garë, me fondin limit. Të bëjë publike kontratat me firmat për sheshet e qyteteve, të tregojë kush i pagoi 80 mijë dollarë që ai të bëjë një foto me Obamën”, tha në proponcimin për mediat zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
Po përse Rama nuk i bën publike këto deklarata? Mund të jetë një rast i paprecedent që opozita e një vendi t’i kërkojë kryetarit të qeverisë të bëjë publike kontratat që paguhen nga paratë e taksapaguesve dhe qeveria të refuzojë. Ndonëse ky duhet të ishte një detyrim, Rama refuzon të bëjë publike këto kontrata. Arsyeja është e thjeshtë. Bërja e transparencës në lidhje me këto kontrata do të ekspozonte qeverinë nga organet e drejtësisë. Për secilën nga këto kontrata Rama fsheh milionat që u grabiten shqiptarëve dhe përfundojnë në xhepat e këtyre 5 biznesmenëve që përfitojnë nga këto kontrata. Rasti më flagrant është ai kontrollit mjekësor. Prej muajsh opozita kërkon listën e të gjithë individëve që kanë kryer këto kontrolle, por qeveria refuzon të bëjë transparencën. Nëse do të shiheshin këto lista do të konstatohej edhe grabitja e dhjetëra miliona eurove. Deri tani është faktuar një dëm prej 16 milionë eurosh, por shuma konsiderohet që të jetë akoma dhe më e madhe.
Në lidhje me ndërtimin e stadiumit, PD ka kërkuar prej muajsh që të bëhet publik projekti, por deri tani ai është mbajtur i fshehtë nga qeveria.
PD ka kërkuar informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar duke përfshirë: projektin e miratuar nga KKT, kontratën e partneritetit publik privat, kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime ku pasqyrohet qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit, procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese dhe dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti. Deri tani qeveria e mban sekret këtë dokumentacion.
Opozita po ashtu kërkon vënien në dispozicion të kontratës me kompaninë italiane për mbetjet, por deri tani as kjo kontratë pas të cilës qëndron një aferë e pastër korruptivo-mafioz nuk është bërë publike.
Një tjetër rast flagrant për të cilin Rama hesht është ajo e pagesës 80 mijë euro me foton me Obamën, në një kohë që njerëzit e përfshirë në këtë aferë të pastër korrupsioni kanë bërë të qartë se paratë kanë ardhur nga një burim i tretë nga Tirana, të cilin Rama nuk do të mund ta fshehë për shumë kohë.

Rama, mbi 2 milionë euro në tre muaj Vilmës

Kompania e farmaceutikës “Trimed shpk”, në pronësi të zonjës Vilma Nushi, ka fituar tendera me vlerë më shumë se 2,2 milionë euro nga gushti deri në nëntor 2016.
“Trimed” -e njohur për koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga mosha 40– 65 vjeç (check up) – ka fituar më 30 nëntor, tenderin për furnizimin e spitaleve me pajisje dhe proteza ortopedike me një vlerë prej 772 mijë euro. Tenderi është pjesë e një projekti të gjerë të qeverisë për furnizimin falas me proteza ortopedike për qytetarët. Ky projekt u bë publik në gusht të vitit 2016.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një intervistë për Ballkanëeb u shpreh se:
Prej muajit shtator 2016 kemi filluar të furnizojmë spitalet tona me protezat ortopedike. Vlerësuam nevojat në bazë të eksperiencës së operacioneve (ku qytetarët i kishin blerë vetë protezat) të kryera në vitin 2015 në tri spitale.
Kështu që vendosëm që të fillojmë të financojmë protezat edhe në spitale të tjerë, qoftë për të shkurtuar kohën e pritjes, qoftë për të ofruar shërbim sa më pranë vendbanimit të pacientëve, qoftë për të ulur ngarkesën në spitalet tona kryesore.
Oferta e kompanisë “Trimed” ishte vetëm 0,1 për qind më pak se vlera maksimale e buxhetit të tenderit.
Në gusht të këtij viti, “Trimed” fitoi edhe tenderin për protezat ortopedike me vlerën e rreth 1.46 milionë euro. Tenderi i fituar në gusht i dha përparësi kësaj kompanie, duke e bërë të vetmen kompani të kualifikueshme ndër pesë kompanitë pjesëmarrëse në tender.
Me një model tashmë të ditur, katër kompanitë e tjera pjesëmarrëse u skualifikuan, sepse nuk dorëzuan në kohë propozimin e plotë.
Oferta e lartë e paraqitur nga kompania “Trimed” në të dy tenderat e qeverisë dhe mungesa e çdo lloj konkurrenti tjetër tregojnë qartë se procedurat e prokurimit publik nuk përmbushin qëllimin e tyre për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues për të gjithë kompanitë në fushën e shërbimeve të shëndetësisë.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Data Procurement Albania, “Trimed” ka qenë pjesëmarrësja e vetme në rreth gjysmën e tenderave të fituara nga ajo.
Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama. Pagesat e kryera nga Thesari i Shtetit për kompaninë “Trimed” vetëm për këtë vit janë rreth 914 mijë euro.

A.SHAHINI

Exit mobile version