Ku janë garantët ndërkombëtarë të zgjedhjeve të blera?

Asllan BUSHATI

Para disa ditësh kam postuar në faqen time të FB, një shkrim të zotit Preç Zogaj (shkrimtar, poet, politikan, publicist, analist etj., i mirënjohur për publikun shqiptar), marrë nga gazeta “Panorama”. Objekti i këtij shkrimi janë zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në Shqipëri. Në këtë shkrim kam bërë komentin e mëposhtëm: “E bëra ‘share’ këtë shkrim të zotit Preç Zogaj sepse kam pothuaj të njëjtin mendim me të. Në ditët në vijim edhe unë do të shfaq mendimet e mia për zgjedhjet e 25 qershorit me disa argumente të tjera. Por paraprakisht, miqtë e mi i ftoj të lexojnë (madje dhe të studiojnë) shkrimin e zotit Preç Zogaj”.
Nga këndshikimi im, situata parazgjedhore karakterizohej nga disa dukuri shumë problematike, të cilat Lulzim Basha si lider i PD-së dhe i opozitës i kishte vënë në dukje dhe i kishte bërë prezent para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Ata ishin kanabizimi i gjithë vendit, miliardat e parave dhe bandat kriminale të shtrira në zonat urbane e në skajet më të largëta; blerja e medias nga qeveria duke e reduktuar në minimum mendimin e lirë; dhënia e pasurive kombëtare koncesionarëve pranë qeverisë duke i kthyer oligarkët në një burim financiar pro partive qeveritare dhe komprometimi i drejtpërdrejtë i shumë strukturave të shtetit në vallen e drogës e të krimit të provuara me fakte në Bashkinë e Peshkopisë dhe të Ersekës në zgjedhjet vendore.
Të gjitha këto, por edhe shumë faktorë të tjerë, tregonin qartë se çdo gjë mund të ndodhte, por vetën zgjedhje të lira nuk do të kishte në Shqipëri. Prandaj pas luftës në Parlament dhe në media, opozita u detyrua të futej në grevë trimujore në çadrën para Kryeministrisë. Personalisht kam menduar dhe besuar se kauza e opozitës: “se pa largimin e Edi Ramës dhe pa qeveri teknike të gjithpranuar nuk do të ketë zgjedhje të lira” ka qenë një kauz shumë e drejtë. Nisur nga ky përfundim, edhe unë shkova nga NY për në Tiranë në çadër, për t’u dhënë opozitarëve mbështetjen për kauzën dhe qëndrestarinë e tyre. Tani zgjedhjet mbaruan, u çertifikuan nga KQZ-ja dhe fituesit e humbësit dihen, por pyetja shtrohet, a triumfoi e drejta dhe kushtetuteshmëria dhe a qenë zgjedhjet të lira dhe të ndershme?
Të gjitha faktet tregojnë se këto ishin zgjedhjet më të komprometuara dhe më të shëmtuara të 27 viteve të fundit. Blerja e votës qe e dukshme nga partitë qeveritare, të cilat u rritën masivisht në numër, kurse dhuna verbale e materiale bëhej sheshit e nën hundën e organizatorëve drejtpërdrejt kundër opozitës. Pas kësaj katrahure zgjedhore që ndodhi, pyetja shtrohet: a ka përgjegjësi qeveria e PS-së me aleatët e saj LSI e PDIU? Mendoj se përgjegjësinë më të madhe e ka Edi Rama, por nuk janë pa përgjegjësi edhe Ilir Meta e Shpëtim Idrizi. Përgjegjësia qëndron tek fakti se ata ideuan dhe zbatuan programin e blerjes së votave për vete dhe klanet e tyre, vetëm për pushtet personal e neopotist duke shkatërruar zgjedhjet, duke nëpërkëmbur Kushtetutën e duke e vënë vendin nën këmbët e një grushti horrash e të inkriminuarish. Nuk ka ndodhur as në historinë tonë postkomuniste dhe të asnjë vendi tjetër demokratik, që qeveria nuk realizon asnjë nga premtimet e marra, nuk paraqet asnjë program për katërvjeçarin pasues dhe votohet përsëri, madje më shumë se më 2013-ën, siç ndodhi me PS-në dhe Edi Ramën. Kjo mund të ndodhë në një shtet diktatorial ose në një shtet tërësisht të korruptuar me paratë e pista të strukturave të nëndheshme ku krimi dhe oligarkët kanë si masha për realizimin e qëllimeve të tyre qeveritarët që u shërbejnë. Pra, objeksioni dhe shqetësimi madhor që ka patur Lulzim Basha për zgjedhjet dhe pabesueshmërinë tek Edi Rama me qeverinë e tij, kanë qenë të drejtë dhe u vërtetuan tërësisht në paraktikë. Atëherë duke e ditur këtë situatë mbytëse shtrohet pyetja, a do të hynte opozita në zgjedhje ku dihej se do të dilte e humbur? Mendoj se jo.
Por opozita shkoi në zgjedhje me garancinë e ndërkombëtarëve. Kujtoj këtu se fillimisht ndërkombëtarët në Bruksel e Uashington i dëgjuan dhe i vlerësuan shqetësimet  e opozitës. Ambasadorët Vlahutin e Lu u duk se do të ishin më pranë zhvillimeve të ngjarjeve. Më pas politikanë të Uashingtonit (senatorë e kongresmenë republikanë) vizituan Shqipërinë, ata të Brukselit Fleckenstein e McAllester po ashtu. Madje këta të fundit u përpoqën të gjenin një zgjidhje shartesë midis qëndrimeve të opozitës dhe të qeverisë, por pa e vënë theksin tek shqetësimet madhore të opozitës si droga dhe strukturat kriminale që do të ndosnin më pas zgjedhjet. Madje ata ofruan një qasje të panjohur më parë (në dukje edhe qesharake), ku disa ministra të opozitës të bëheshin pjesë “në fakt fasadë” e qeverisë Rama. Nuk mjaftoi vetëm kaq, por erdhi nga Uashingtoni ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili i la opozitës mundësinë ultimative të thoshte vetëm një “po”, madje po të shtonte edhe një presje të vetme do të konsiderohej një “jo” në projektim McAllester. Në këto kushte, Lulzim Basha duhet të zgjidhte: të shkonte me aleatët strategjikë (të cilët i ofruan garanci ndërkombëtare) apo të bojkotonte zgjedhjet? Ai zgjodhi të parën dhe mirë bëri, por tani që ndotja e zgjedhjeve është e plotë, pyetja shtrohet pse ndërkombëtarët po heshtin? A e parandaluan ata vjedhjen e votës? Po ku shkuan garancitë e tyre? Unë shkurt mund të them se Lulzim Basha deri në këtë moment është i tradhtuar nga ndërkombëtarët. E them deri në këtë moment, sepse shpresoj që ata jo larg të thonë se zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri ishin jolegjitime dhe të papranueshme për amerikanët dhe BE-në.
Më së fundi pyetja shtrohet se vetë Basha a ka bërë gabime politike taktike? Përgjigjja do të ishte po, për të mos thënë “sa të duash” e si të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë. Po a jep Basha garanci si lider për zhvillimet e mëtejshme të PD-së dhe të Shqipërisë? Mendoj se po, madje në gjykimin tim, më shumë se kritikuesit e tij. Po të kisha qenë në vendin e tij, gjëja e parë që do të bëja në këto momente do të ishte mosnjohja e zgjedhjeve dhe bojkotimi i Parlamentit për ta çuar vendin në shinat e kushtetutshmërisë dhe brenda një viti me qeveri teknike e zgjedhje të reja, sepse zgjedhjet i shkatërruan qeveritarët dhe ndërkombëtarët.

Artikulli paraprakParalajmërimi i Trump për Rusinë
Artikulli tjetërUnë pyes…