Ku ndodhet makina me pajisjen e përgjimit “Imci Catcher”

“ABC News” ka siguruar fotot e makinës ku ndodhet pajisja e sjellë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe që është shfrytëzuar disa muaj nga Forcat Operacionale së Policisë së Shtetit për përgjime dhe identifikim të telefonatave të ndryshme. Për shkak të kësaj paligjshmërie, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht këtu e 12 muaj më parë, por hetimet kanë ngecur. Kjo për faktin se, institucioni i akuzës nuk ka gjetur ekspert privat për të ekzaminuar kompjuterat personale të sekuestruara në zyrën e ish-drejtorit të Operacionales dhe vartësit të tij, Entiol Xhelilaj.
Edhe në dosjen e Prokurorisë, ku po hetohej drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, thuhet se makina BMW X3 gjatë kohës që përdorej nga punonjësit e policisë ka qarkulluar me targa shqiptare false. Por që në të vërtetë, këto janë targat me të cilat edhe ka hyrë në Shqipëri kjo makinë bashkë me pajisjen e gjurmimit dhe identifikimit të aparateve celular. Nga hetimet e Prokurorisë, thuhet se makina ka hyrë në territorin shqiptar nga dy shtetas italian, të cilët nuk e kanë deklaruar në doganën shqiptare dhe më pas, ia kanë dorëzuar makinën bashkë me pajisjen punonjësve të Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat dyshohet se kanë kryer përgjime të paligjshme.
Këto dyshime, vet drejtuesit e policisë i kanë hedhur poshtë gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar se kanë bërë vetëm trajnime për agjentët shqiptar të policisë. Por, ajo që vazhdon të jetë enigmatike për prokurorin, është fakti se ditën që organi i akuzës ka shkuar për të sekuestruar makinën bashkë me pajisjen e përgjimit brenda ambienteve të policisë, Entiol Xhelilaj e ka larguar atë nga ambientet e policisë, duke shmangur kështu bllokimin e pajisjes. Ky veprim, është regjistruar nga oficeri i rojes së policisë, i cili e ka pasqyruar në regjistër largimin e mjetit bashkë me drejtuesin Xhelilaj, i cili në asnjë moment nuk ka pranuar se ka kryer përgjime të paligjshme. Edhe pse është provuar se me këtë makinë Xhelilaj dhe agjentë të tjerë kanë kryer veprime proceduriale në ambiente të burgjeve pa lejen dhe miratimin e Prokurorisë.

Exit mobile version