Nga Eduardo Galeano
SISTEMI/1
Funksionarët nuk funksionojnë.
Politikanët flasin, por nuk thonë gjë.
Votuesit votojnë, por nuk zgjedhin.
Në shkolla mësohet për të mos ditur.
Gjyqtarët dënojnë viktimat.
Ushtarakët luftojnë kundër bashkatdhetarëve të tyre.
Policia nuk lufton krimet, sepse është e angazhuar për t’i bërë ato.
Falimentimi po shoqërizohet, fitimi po privatizohet.
Më e lirë është paraja se njerëzit.
Njerëzit janë në shërbim të sendeve.
SISTEMI/2
Kohë kameleonësh: askush nuk ka mësuar siç kanë mësuar njerëzimi nga këto kafshë aq të vogla e aq të përvuajtura.
Konsiderohet i zgjuar ai që di të maskohet mirë; quhet mençuri e madhe kultura e simulimit. Flitet me gjuhën e dykuptimtë të tinëzisë. Gjuhë e dykuptimtë, llogari e dyfishtë, moral i dyfishtë: flitet për një moral dhe veprohet me një moral tjetër. Ky i fundit quhet realizëm.
Ligji i realitetit është ligji i pushtetit. Ata që na qeverisin na thonë: Që realiteti të mos jetë ireal, morali duhet të jetë amoral.
SISTEMI/3
Ai që nuk bëhet i gjallë, ka vdekur. Ose do t’ua fusësh të tjerëve, ose do ta fusin të tjerët; ose do të jesh gënjeshtar, ose do të jesh i gënjyer.
( Në shqip nga: Bajram Karabolli)