Në Frakull të Fierit prodhohen 80 për qind e luleshtrydheve në Shqipëri. 160 fermerë kanë kthyer në serra 90 hektarë tokë. Këtë vit ata janë përmbytur disa herë dhe nuk kanë marrë asnjë kompensim, por të dëshpëruar thonë se nuk do të përfitojnë dot as subvencionet që jep Qeveria, sepse nuk plotësojnë kushtin, absurd, sipas tyre, për të patur 5 dynymë serra.
Fermeri i vogël, Brahim Troka ndjehet i përjashtuar nga skema që ka hartuar Ministria e Bujqësisë. “Ne me skemën që ka bërë Qeveria nuk kemi asnjë mundësi që të përfitojmë, se ne 2 dynymë e 800 metra na ka dhënë qeveria tokë, kemi marrë borxhe, kemi bërë ndonjë dynym serrë për të ushqyer fëmijët. Tani ai thotë një dynym nuk subvencionohet, dy dynym nuk subvencionohet, nga 5 e lartë. Ne pesë e lartë s’kemi tokë aq, jo të bëjmë serrë aq. Kjo do të thotë fukaranë ta vdesin fare dhe ai që ka t’i japin prap dhe ta pasurojnë”, thotë Brahimi.
Pengesa e sipërfaqes kap pjesën e më të madhe të fermerëve, pasi një numër i kufizuar prej 10 kultivuesish janë me sipërfaqe mbi 1 hektar. “Nuk na jep skema se tre dynyme kemi dhe nuk përfitojmë”, thotë Adrian Troka, fermer i luleshtrydheve.
Pengesa e dytë lidhet me kohën e përfitimit të subvencionit, aplikimet mbyllen në 28 mars, ndërkohë që mbjellja e fidaneve bëhet në shtator. “Toka përgatitet që në shtator, nga fundi shtatorit fillimi tetorit fillon mbjellja e luleshtrydhes”, thotë Adriani.
110 mijë euro gjithsej janë parashikuar për kulturën e luleshtrydhes në skemën Qeverisë për subvencioneve bujqësore dhe kjo shumë mund të arrijë të mbulojë rreth 70 për qind të sipërfaqjes të mbjellë me luleshtrydhe në Shqipëri. Financimi maksimal është rreth 1500 euro për hektar, ose 150 euro për dynym, shumë e papërfillshme për kostot reale. “Rrënja e kësaj vete tek 1900 euro për dynym fidane, kurse kostot e tjera shtohen akoma, jo mbjellje, jo ushqime e më the e të thashë. Ka kosto të lartë”, thotë fermeri Qazim Muçaj.
“Nuk llogaritet fare nuk mbulon kosto fare. I thonë 200 mijë lek dynymi, as punëtorët nuk paguhen dot”, shton Adrian Troka.
Qazim Muçaj në thotë se edhe sikur sipërfaqja për subvencion të ulej, nuk do të kërkonte financim, për shkak të mbështetjes së vogël dhe burokracive. “Unë për vete që kam 2 dynym nuk me intereson me aq pak lek. Ditë e punës që do dal unë, do sorrollatem lart-poshtë. Mua nuk më intereson fare”, thotë ai.
Por ka nga ata fermerë si Brahim Troka që për të reduktuar dëmet e pësuara nga përmbytjet do të pranonin sado para të ishin, vetëm që të ulet sipërfaqja e subvencionueshme. “Sikur dhe fidanet të na subvencionohen, ah sa mire. Kështu ne jemi të vdekur, nuk punojmë dot fare”, shprehet ai. /Top Channel/