Ku shkuan të dhënat e TIMS? Zbardhet dosja hetimore: Ervin Muça erdhi me dy miq nga një kompani private IT-je dhe…

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Pjesë nga dokumentari:

Në lidhje me ngjarjen e paprecedentë, ku një drejtor tenton të pushtojë bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, kur detyra e tij në raport me ligjin ishte e kundërt me këtë veprim, grupi hetues ndërmori një sërë veprimesh që lidheshin më zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ku bazë për nisjen e hetimit fillimisht u mor denoncimi i ardhur me email, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nga vetë specialistët e zyrës në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Por çfarë është ky database që donte të rrëmbente drejtori Ervin Muça dhe për çfarë shërben ky server? Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtij serveri dhe po kështu edhe vlerën e çmuar që ka për ata që duan ta shtien në duar, mjafton të shikojmë emalin denoncues të specialistëve të këtij departamenti që u vendosën në një presion serioz nga drejtori i tyre, për të shkelur ligjin dhe për ta hedhur në një usb xhepi që ky i fundit kishte me vete.

Në këtë database që drejtori Ervin Muça, donte ta fuste në një usb xhepi, përfshihen hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, si dhe informacion territorial sekret etj”, thuhet në dosje.

Por specialistët e zyrës së IT-së në Policinë e Shtetit, nuk e lanë këtu denoncimin e tyre. Duke parë absurditetin e kërkesës së ardhur nga eprori i tyre madhor, pasi informuan shefin e tyre të sektorit, ky i fundit vuri në dijeni mbi skandalin edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe Drejtorin e Krimeve, Z.Neritan Nallbati.

Ai u kërkuar këtyre të fundit të mos përfshihen në këtë proces të jashtëligjshëm, që kishte të bënte me vjedhjen dhe eksportimin e të dhënave në disqe të jashtme, që nuk dihet se ku do të shkonin.  Por siç e thamë kjo nuk ishte hera e parë që Ervin Muça, përfshihej në një aktivitet të tillë të paligjshëm. Të njëjtën gjë mësohet se ai e kishte bërë edhe gjatë kohës kur punonte në Drejtorinë e Tatimeve, ku ishte akuzuar për vjedhje të të dhënave.

Po për t’u kthyer edhe njëherë te rasti më i fundit, ai i tentimit nga ana e tij të vjedhjes së të dhënave të Policisë së Shtetit, denoncuesit, në emailin e tyre drejtuar krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, shkruajnë se Ervin Muça e kreu këtë operacion bashkë edhe me dy miq të tjerë të tij të cilët punonin në një kompani private.

“Për të kryer këtë operacion, drejtori Ervin Muca, mori edhe disa miq të njohur, nga një kompani private. Punonjës IT të Ermal Beqirit nga Soft & Solution, të cilët kanë ardhur gjatë orarit të pasdites pranë laboratorit të Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën ‘Mine Peza’, dhe kanë kryer eksportin e të dhënave. Gjatë pritjes së përfundimit të procesit të eksportit, këta persona janë shprehur se janë njëri punonjës IT i QKB dhe dy të tjerë nga kompania ‘Horizont’, por që mbeten për t’u verifikuar. Nëse janë nga ‘Horizont’ atëherë të dhënat kanë vajtur direkt në Qipro”, thuhet në denoncim.

Në bankën e akuzës së denoncuesve është edhe Besjon Tanuzi, edhe ky sipas tyre pa certifikatë sigurie, që kishte vetëm pak kohë që ishte emëruar në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit.

“Procesi i eksportit u bë në prani të Besjon Tanuzit që ka një javë që ka ardhur drejtor me mision këtë vjedhje, edhe ky i emëruar në këtë departament pa certifikatë sigurie dhe mbi të gjitha me diplomë Ekonomiku. Ervin Muça, pasi mori vesh që Ardit Muço është vënë në dijeni të këtij procesi banditesk, urdhëroi punonjësit që Arditit t’i mbyllen të gjitha akseset në email apo çdo kompjuter që është pjesë e Policisë së Shtetit”, thuhet në denoncim.

Artikulli paraprakMësuesi që u bë Myfti i Beratit! Qeramudin Durdia tregon udhëtimin e vështirë: Si rindërtuam xhamitë pas viteve ’90 mes fanatikëve komunistë
Artikulli tjetërGatimet më të Preferuara dhe të Njohura të Botës: Një Udhëtim Gastronomik