Kombëtarja shqiptare e femrave ka siguruar një kualifikim madhështor për në raundin eliminator të Kupës së Botës 2019, duke mposhtur në minutën e fundit Greqinë me rezultatin 2-1 në takimin e fundit të vlefshëm për Grupin B paraeliminator.
Takimi i zhvilluar në “Elbasan Arena” filloi me dy gola të shpejtë, teksa realizimit të Megi Doçit në minutën e 16 iu përgjigj menjëherë Nati në minutën e 18. Goli i barazimit nuk i demoralizoi vajzat e drejtuara nga Armir Grima, të cilat vazhduan të kërkonin me ngulm golin e fitores deri në fund të takimit, duke qenë se kualifikimi mund të arrihej vetëm me një fitore.
Në minutën e 49, Gkatsou shkaktoi një penallti dhe la Greqinë me 10 lojtare, por Velaj gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Me afrimin e minutave të fundit, vajzat kuqezi u hodhën totalisht në sulm dhe goli i fitores së madhe u arrit vetëm në minutën e 90 dhe u shënua nga Velaj, e cila shleu gabimin e bërë me penalltinë.
Në minutën e 5-të shtesë, Morina u ndëshkua me karton të kuq, duke barazuar forcat në fushë, por koha e mbetur ishte mjaft e pakët që Greqia të barazonte shifrat. Në fund shpërthen festa e madhe e futbollisteve shqiptare, ndërkohë që lojtaret greke shpërthejnë në lot dëshpërimi.
Në ndeshjen tjetër të grupit, të zhvilluar në “Selman Stërmasi”, Kosova u mposht nga Malta me shifrat 1-3. Renditja përfundimtare e Grupit B paraeliminator udhëhiqet nga Shqipëria me 7 pikë dhe më pas ndjekin Greqia me 6, Malta me 4 dhe Kosova me 0.
Entuziazëm për kualifikimin te kombëtarja e femrave
Një gol në minutën e fundit ndaj Greqisë ishte mënyra më e bukur për të marrë një kualifikim për në eliminatoret e Botërorit të femrave nga vajzat kuqezi. Furtune Velaj vendosi në të 90-ën një ndeshje të pabesueshme në “Elbasan Arena”, me vajzat që luajtën si një skuadër, ashtu siç u mbështollën të gjitha bashkë me flamur në përfundim të kësaj sfide. Një kualifikim që lumturon, trajnerin Grima, Megi Doçin, por dhe Furtune Velajn, që në intervistat pas sfidës nuk janë zhveshur ende nga emocionet e një fundi të tillë.
Furtune Velaj ishte protagonistja e madhe e takimit, teksa humbi një penallti, por në krahun tjetër shënoi golin më të bukur të karrierën e saj kuqezi dhe jo vetëm. Në eliminatore tani nuk do të jetë një detyrë e lehtë, por vajzat dhe Grima, që kanë ecur me shpejtësi në një periudhë shumë të shkurtër janë besimplotë se mund të arrijnë diçka pozitive.
Greket qajnë në fushë
Pas vërshëllimës finale në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi kanë nisur festën në fushën e lojës për këtë kualifikim historik në eliminatoret e Botërorit pas fitores 2-1 me Greqinë.
Përqafime pa fund dhe emocione të jashtëzakonshme për të gjitha protagonistet e këtij suksesi, të cilave u është bashkuar edhe stafi teknik me trajnerin Grima e zëvendësin Sinani. Më pas, një festë me flamurin shqiptar dhe vallëzime entuziaste në fushën e lojës apo para tribunës, duke marrë duartrokitje të merituara.
Ndërkaq, futbollistet greke ishin shtrirë thuajse të gjitha në fushën e lojës të dëshpëruara dhe në lot për kualifikimin që i iku nga duart për pak minuta.
Shqipëria e mbylli me një barazim 6-6 eliminatoret e Europianit të Futsal, që po zhvillohen në Azerbajxhan. Kuqezinjtë e futbollit të sallës kanë marrë një pikë përballë Bosnje Hercegovinës në takimin e fundit, por duke mos evituar dot vendin e fundit në një grup shumë të vështirë, ku merrnin pjesë dhe dy skuadra që kualifikohen rregullisht në fazat finale të Europianit dhe Botërorit si Hungaria dhe Azerbajxhani.