Kualifikimi në çerekfinale “formalitet”

Bayerni i Mynihut dhe Reali i Madridit me një këmbë në çerekfinale të Champions League. Skuadra bavareze shkatërroi 5-1 Arsenalin, ndërsa në “Santiago Bernabeu” festa ishte për “Los Blancos” që fituan 3-1 me përmbysje ndaj Napolit.
Në “Allianz Arena”, Arjen Robben shënoi një supergol në minutën e 11-të, me Ospinën që s’mund të bënte asgjë për të devijuar topin. Pa u mbushur 30 minuta lojë, “Topçinjtë” barazuan me Alexis Sanchez, që fillimisht dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, por më pas arriti ta dërgonte me fat topin në rrjetë.
Në minutën e 53-të ishte radha e Lewandowskit, që kërceu bukur me kokë për golin e 2-1, ndërsa Thiago Alcantara 3 minuta më pas e detyroi Ospinan të nxirrte për herë të tretë topin nga rrjeta. Mesfushori spanjoll i ndihmuar nga devijimi i një mbrojtësi sigloi golin e dytë personal në të 63-ën. Për t’i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës së Arsene Wenger mendoi Thomas Muller, të cilit i mjaftuan vetëm dy minuta lojë për të gjetur rrjetën. Kjo ishte humbja më e thellë për Granit Xhakën që prej transferimit në Arsenal verën e kaluar nga Borussia Mönchengladbach.
Carlo Ancelotti është shprehur tejet i lumtur me fitoren e Bayern Munich prej 5:1 ndaj Arsenalit në “Allianz Arena”. “Ishte ndeshje e vështirë në pjesën e parë, ata luanin me kundërsulme dhe na krijuan probleme. Por, në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë dhe kontrolluam në përgjithësi ndeshjen dhe për këtë edhe morëm këtë rezultat”, tha fillimisht Ancelotti.
“Ky rezultat na jep besim për ndeshjen kthyese. Shpresojmë që të shkojmë sa më larg në Ligën e Kampionëve, natyrisht nëse vazhdojmë me këto paraqitje”, shtoi ai.
Reagim prej kampionësh i futbollistëve të Realit të Madridit ndaj Napolit të Elseid Hysajt me futbollistin kuqezi që u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes. Lorenzo Insinge shfrytëzoi daljen e Navas duke shënuar që në minutën e 8-të në “Bernabeu”, me një goditje të zgjuar nga një distancë e largët, por “Los Blancos” reaguan shpejt me Karim Benzema që shfrytëzoi një krosim perfekt me të jashtmen të Carvajal. Toni Kroos i dha avantazhin në 2-1 skuadrës së Zidane në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Casemiro surprizoi Reinën me një goditje fluturimthi nga jashtë zonës në minutën e 54-t për rezultatin përfundimtar 3-1.

Artikulli paraprak“Fundoset” Hysaj!
Artikulli tjetërSanchez drejt largimit nga Arsenali