Johannes ESTRADA
Pak pas Revolucionit Iranian të vitit 1979, i gjendur përballë pakënaqësisë së popullit për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës, Ayatollah Khomeinideklaroi se: “qëllimi i këtyre sakrificave nuk ishte thjesht për të ulur çmimin e pjeprave”.
Për Khomeinin dhe pasuesit e tij, pastërtia ideologjike ishte më e rëndësishme se mirëqenia e popullit të tij. Është ironike kur sheh se pas vdekjes së Fidel Kastros, presidentit jetëgjatë të Kubës, të majtë të llojeve të ndryshme kanë adoptuar të njëjtat argumente që dikur përdoreshin dikur nga një teokrat.
Në fakt, argumenti nuk qëndron aspak pasi ishte pikërisht përkeqësimi i kushteve të jetesës që nxiti njerëzit të mbështesnin revolucionet që sollën si Kastron dhe Khomenein në pushtet. Siç shihet dhe në Grafikun 1, Kuba dhe Irani po kalonin një periudhë stanjacioni ose rënieje ekonomike përpara se të nisnin revolucionet respektive. Më e rëndësishmja, ngritja e një regjimi diktatorial pas revolucionit, pavarësisht ideologjive në dukje të kundërta, çoi në rezultate të krahasueshme me njëra-tjetrën. Një tjetër shtet diktatorial aty pranë, Iraku, i udhëhequr nga një ideologji në dukje nacionaliste, nuk shfaqi rezultate më të mira në ekonomi gjithashtu.
(PBB për frymë kritikohet shpesh si një indikator tejet i përgjithshëm i mirëqenies dhe ka probleme matje sidomos për vendet e varfra. Gjithsesi ai mbetet indikatori më i mirë për krahasimin mes vendesh. Të dhënat e përdorura në këtë artikull janë nga projekti i Agnus Maddison për krijimin e serive kohore historike për ekonominë botërore).
Evolucioni i ekonomisë kubane është edhe më i trishtueshëm kur sheh se para revolucionit ky ishte një ndër vendet më të suksesshme të Amerikës Latine. Standardi i jetesës në Kubë ishte një ndër më të lartët në rajon; treguesit social-ekonomikë, po ashtu, ishin në nivele të kënaqshme. Për shembull, Kuba kishte një nga nivelet më të larta të alfabetizmit të popullsisë.
Por, siç thuhet në këto raste, “oreksi vjen duke ngrënë”, dhe kubanët kërkonin më shumë nga qeveria kur përmbysën regjimin e diktatorit të mëparshëm Fulgencio Batista. Fatkeqësisht, me instalimin e një regjimi diktatorial edhe më të egër , vendi nuk u zhvillua më tej. Siç e tregon dhe grafiku, Kuba mbeti mbrapa vendeve të tjera të rajonit, për të cilat më parë kishte shërbyer si pikë referimi.
Shtetet e tjera të rajonit, që deri në vitin 1960 kishin nivel të njëjtë zhvillimi me Kubën, nuk krijuan sisteme perfekte demokratike, por në to opozita u lejua të ishte aktive. Në të njëjtën kohë, këto shtete, ndërmorën shpesh politika me prirje të “majta”. Duke krahasuar ecurinë e ndryshme të rritjes ekonomike që këto vende morën, mund të shohim se ishin institucionet demokratike ekonomik, e jo ideologjia e majtë, arsyeja që ua mundësoi rritjen ekonomike. Për më tepër, pika ku shtetet ndërmorën rrugë të ndryshme për rritjen ekonomike duket pikërisht të jetë Revolucionit Kubanez. Ekonomistët, që kanë kryer analiza statistikore më formale të këtij lloji, kanë arritur në rezultate të ngjashme.
Historia ekonomike e Kubës kthehet në tragjike kur kryhet një krahasim me demokracitë e zhvilluara. Përtej atyre që mund të dëgjoni shpesh, edhe shtetet demokratike mund të ndërmarrin politika me prirje të majta. Suedia p.sh. është konsideruar shpesh si një model për socializmin për shkak të rrjetit të saj të gjerë të sigurisë sociale, por çdokush e di që zhvillimi ekonomik i Suedisë nuk ka asgjë të ngjashme më atë të Kubës. Po ashtu, shtete evropiane që kanë pasur zhvillim të ngjashëm me Kubën në vitet 1950 (nuk është gabim, shihni të dhënat për vendet mesdhetare), e kanë tejkaluar ishullin e Karaibeve duke ngritur në të njëjtën kohë sisteme të sigurisë sociale.
Si mund t’i shpjegojmë këto rezultate të ndryshme? Si është e mundur që disa shtete me politika të majta janë në gjendje të përmirësojnë standardin e jetesës për popullsinë e tyre, ndërsa disa të tjera dështojnë krejtësisht?
Përgjigja është e qartë: institucionet politike, dhe jo ideologjia ekonomike, janë përcaktuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Nuk ka rëndësi retorika apo diferencat në shpenzimet për politika sociale. shtetet diktatoriale nuk mund të krijojnë kushtet për zhvillim sepse ato paracaktojnë fituesit ekonomikë. Nëse jeton në Iranin “teokratik”, në Kubën “socialiste” apo në Rusinë “nacionaliste”, e vetmja gjë që ka rëndësi për suksesin ekonomik është vendimmarrja politike e njerëzve që kontrollojnë shtetin. Vetëm duke zhvilluar institucione demokratike, vendet mund të kufizojnë këtë sjellje të liderëve të tyre dhe të lejojnë njerëzit e zakonshëm të ndjekin suksesin dhe mirëqenien e tyre.
Jeta e Fidel Kastros mund të jetë burim krenarie për disa romantikë. Përmbysja e një diktatori të korruptuar është një sipërmarrje që rezonon me shumë kënd. Të ngrihesh kundër një fuqie të madhe si SHBA-të, po ashtu mund të lumturojë disa. Por kjo është vetëm histori e një suksesi personal, jo kolektiv. Fidel Kastro u kthye në një nga personazhet më të famshme të shekullit të 19-të, por populli i Kubës pagoi një çmim të lartë për këtë, pa parë asnjë përfitim.