Nga Myqerem TAFAJ
Viti i ri akademik filloi, ndërkohë që vazhdojnë regjistrimet e studentëve të rinj, në të gjitha ciklet e studimeve. Opinioni publik mësoi këtë javë, se ka një rënie shumë të shpejtë të numrit të studentëve në Shqipëri, për shkak të largimit masiv të të rinjve nga vendi.
Emigracioni masiv dhe kërkesat shumë të rritura për azil u bënë një ndër shkaqet kryesore të refuzimit të hapjes së negociatave me BE. Shqipëria po zbrazet me shpejtësi nga rinia, për shkak të politikave dekurajuese qeveritare për të rinjtë, përfshirë këtu edhe kufizimin e aksesit në arsimin e lartë.
Qeveria nuk ka bërë asnjë hap real për rritjen e financimit të arsimit të lartë. Pakti për universitetin rezultoi një flluskë sapuni, dhe i shërbeu qeverisë për t’u kthyer në auditore.
Tarifat e Bachelor gjoja u ulën për vitin e kaluar, ndërkohë ato të Masterit as nuk u prekën. Akti i fundit normativ i qeverisë ka ulur buxhetin e arsimit të lartë me 2,5 milionë Euro. Si mund të ulet buxheti kur nevojat e universiteteve publike janë ulëritëse, si për mësimdhënie ashtu edhe për kërkim shkencor?
Kjo shumë mund të duket jo e madhe në buxhetin e shtetit, por ajo është e konsiderueshme për universitetet publike. Me këtë fond mund të bliheshin rreth 60 laboratorë mësimorë – kërkimorë; apo 250 kabinete mësimdhënie me PC për studentët!
Edhe pse vazhdojnë akoma regjistrimet në fazën e tretë, duket se qartë kufizimi drastik i aksesit në arsimin e lartë. Me një vendim arrogant dhe të befasishëm, të 10 majit 2019, vetëm rreth 3 javë para provimit të parë të Maturës, qeveria e rriti arbitrarisht notën mesatare të pranimit nga 6 në 6,5, për të gjithë programet Bachelor, dhe në 7,5 për programet Bachelor të mësuesisë.
Siç pritej, ky vendim u hoqi të drejtën të paktën 5000-6000 maturantëve që të provojnë shanset e tyre në studimet universitare Bachelor. Shumë prej tyre të frustuar kanë emigruar jashtë për të punuar. Ndërkohë, rreth 6000 maturantë të tjerë, nga më të mirët, kanë filluar studimet në universitetet jashtë vendit, me synim që të mos kthehen më në vendin e tyre.
Tani u kujtua qeveria që të shfuqizoj këtë vendim për maturantët, që dëshirojnë të regjistrohen në programet Bachelor të fushave të artit dhe të sportit. Shumë mirë që u korrigjua për këto programe. Cilët janë argumentet për këtë ndryshim? Përse duhen zbatuar standarde të dyfishta? Deri tani nuk ka asnjë informacion për publikun, se përse zbatohet një standard i dyfishtë.
Po për disa fusha të tjera nuk duhej bërë ky korrigjim?
Ndër maturantët që u privuan më shumë nga rritja e befasishme e mesatares së notës për pranim në studimet Bachelor, janë ata të shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit. Studimet në fushën e edukimit, sidomos PISA, kanë vërtetuar, në mënyrë të përsëritur, se niveli i varfërisë së familjeve kushtëzon, në një shkallë të lartë, rezultatet e përparimit të nxënësve. Shkollat e zonave të varfra kanë mësues më pak cilësorë dhe janë në kushte më të papërshtatshme, se sa ato të qyteteve.
Duhet ta pranojmë që nuk kemi arritur të krijojmë kushte mësimdhënie për nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm në zonat rurale, që t’u japim mundësi atyre të shfaqin plotësisht aftësitë e tyre dhe të arrijnë rezultate të mira në mësimnxënie. Ky është shkaku që rezultatet e Maturës në shumë rrethe të varfra të vendit janë shumë më të ulëta se në qytetet kryesore, madje mesatarja nuk është mbi 6,5. Në këto kushte qeveria nuk mund të jetë arrogante dhe të diskriminojë maturantët, ndërkohë që atyre shteti nuk u ka krijuar kushte normale mësimdhënie, të krahasueshme me ato në qytetet kryesore të vendit. Është një detyrim i MASR që të publikojë shpërndarjen, sipas rretheve, të numrit të maturantëve që janë pranuar këtë vit në studimet Bachelor, në mënyrë që opinion publik të mësoj më shumë për aksesin e maturantëve edhe të zonave më të varfra dhe ato rurale të vendit.
Maturantët e shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit kanë shanse minimale të studiojnë për mësuesi, madje as për edukatorë kopshti dhe mësues të arsimit fillor, sepse, papritur, mesatarja e pranimit u vendos 7,5! Po për mësuesit e edukimit fizik dhe të artit të arsimit të detyruar dhe të mesëm, pse hiqet kriteri i mesatares së pranimit 7,5? Apo për këtë grup të mësuesve nuk ka rëndësi formimi i përgjithshëm? A ka bazë ky standard i dyfishtë? A është menduar se nga do të vinë edukatorët dhe mësuesit e arsimit të detyruar në zonat më të varfra dhe të largëta të vendit?
Një maturant me mesatare 7.44, që banon në një fshat të largët, p.sh. të Pukës, nuk ka të drejtë të vijojë studimet për mësues i ciklit të ulët dhe të punojë, pas studimeve, mësues në shkollën fillore të atij fshati të thellë! A mund të imagjinohet që ndonjë mësues nga Tirana, të pranojë të shkojë në një fshat të thellë të Pukës, me atë pagë qesharake dhe pamundësi për të banuar atje gjatë javës? Madje, vështirë se shkon të punojë një mësues nga qyteti i Pukës në një fshat të thellë të këtij rrethi. Është kjo zgjidhje realiste?!
Përgjithësisht, maturantët e zonave më të varfra të vendit, kryesisht ato rurale, duhet të ishin grupi kryesor i studentëve që duhet të mbështeteshin për të studiuar në programet dhe fushat që u përkasin degëve mbizotëruese të ekonomisë në këto zona, siç janë ato të bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, agroturizmit, turizmit, administrim-biznesit, IT dhe digjitalizimit, shërbimeve sociale, mjedisit, agropërpunimit, dhe në disa degë të tjera që i shërbejnë direkt zhvillimit të këtyre zonave.
Të rinjtë që vijnë nga zonat rurale të vendit, pas përfundimit të studimeve universitare, janë jo vetëm të formuar, por edhe më të gatshëm që të krijojnë sipërmarrje të reja (ferma, biznese të agropërpunimit apo në agroturizëm, turizëm, IT etj.), në zonat rurale.
Për këtë ata duhet të mbështeten me përparësi nga fondet për bujqësinë, zhvillimin rural dhe ushqimin, turizmin, digjitalizimin etj. A nuk do të ishte një masë nxitëse, për rritjen e nivelit të shkollimit të fermerëve, sikur qeveria dhe universitetet publike të afronin bursa nxitëse për fëmijët e fermerëve që të shkollohen në shkencat bujqësore, në mënyrë që ata të merrnin përsipër drejtimin e fermave të prindërve të tyre, t’i zmadhonin ato në madhësi, të modernizonin teknologjinë e prodhimit, për të rritur prodhimin dhe të ardhurat e fermës, si dhe për të përmirësuar cilësinë e sigurinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale që ato prodhojnë.
Meqenëse, qeveria u tërhoq për fushën e artit dhe të sportit, përse nuk e hoqi këtë kriter për maturantët që vijnë së paku nga 16 rrethet më të varfra të vendit: Pukë, Malësi e Madhe, Tropojë, Has, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Dibër, Librazhd, Gramsh, Pogradec, Kolonjë, Skrapar, Përmet dhe Tepelenë. Këto rrethe i përkasin zonës kodrinore malore të vendit dhe po shpopullohen me shpejtësi?
A mund të bëj publike MASR notat mesatare të Maturës 2019 të rretheve, në mënyrë që opinioni publik të mësoj nëse diskriminohen maturantët e rretheve më të varfra të vendit? Në vend që qeveria të mendonte për kushte nxitëse, për maturantët e rretheve më të varfra, me bursa në degë prioritare, bën të kundërtën: u privon atyre mundësinë që të shkollohen dhe të kthehen në zonat e varfra për të kontribuar në zhvillimin e tyre.
Sigurisht do të ishte ideale që të gjithë maturantët të ishin të shkëlqyer.
Por, në ditët e sotme, universitetet e vendeve të tjera, madje edhe të atyre më të zhvilluara, kanë adaptuar programe, madje edhe përgatitore, që u japin akses edhe studentëve, me arritje mesatare dhe nënmesatare, që vijnë nga shtresa e varfër, të provojnë shanset e tyre për t’u shkolluar në nivelin universitar, si një ndër rrugët më efikase për t’u shkëputur nga varfëria dhe për të konkurruar në tregun e punës.
Universitetet tona nuk mund të sillen sikur janë në top-listën e universiteteve ekselente të botës dhe të mos afrojnë programe të veçanta (kurse përgatitore plotësuese, cikle suplementare konsultimesh etj.), për të lehtësuar aksesin e këtij grupi studentësh që vijnë nga shtresa e varfër dhe kanë arritje mesatare apo nën mesatare. Universitetet kanë edhe përgjegjësi sociale.
Universitetet po zbrazen dhe shumë prej tyre rrezikojnë mbijetesën. Skenarët që diskutohen janë nga më ekstremet, dhe, për shkak të këtyre zhvillimeve negative, brezi i ri i pedagogëve të universiteteve po largohet nga Shqipëria, sepse, herët apo vonë, ata kërcënohen të mbeten të papunë. Rreziku i mbylljes së universiteteve, sidomos në rrethe, përbën një zhvillim tejet të dëmshëm, sepse kërcënohet ekzistenca e atyre pak kapaciteteve zhvillimore rajonale të vendit.
Shqipëria, e cila ka numrin më të vogël të kërkuesve për 1000 banorë në Europë, rrezikon të përballet me një valë të re të emigrimit masiv të të shkolluarve dhe të kërkuesve (brain drain). Universitetet rajonale kanë një histori gati 50-vjeçare dhe duhen konsideruar si pjesë integrale e sistemit të shkencës në vendin tonë. A mund të imagjinoj Kryeministri Vlorën, ku është deputet, pa universitet? Po Korçën? Po Shkodrën? Po Elbasanin? Ku po shkojmë me këtë politikë kundër dijes, kundër shkencës në shekullin ku dija përcakton fatet e secilit në garën në tregun e punës!
Kufizimi i aksesit në shkollimin e lartë universitar për të rinjtë e shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit, çon në thellimin e varfërisë në ato zona dhe në krijimin e një shtrese të qytetarëve të dorës së dytë në shekullin XXI. Kjo shtresë e diskriminuar në shkollim, nuk kanë asnjë shans për të konkurruar në tregun e sipërmarrjes dhe atë të punës, dhe, për rrjedhojë, ajo është e destinuar të mbetet e varfër dhe ta trashëgojë varfërinë në breza.
Pikërisht, për të shmangur diskriminimin dhe krijimin e shtresave me qytetarë të dorës së dytë, për nga shkollimi, OKB, në shtator të vitit 2015, miratoi “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030”, ku përfshihet edhe objektivi IV, i cili parashikon që çdo i ri/ e re që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm të ketë mundësi reale të vijojë ciklin e parë të studimeve universitare. Shqipëria e ka nënshkruar këtë rezolutë.
Diskriminimi i të rinjve të shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit për shkollim universitar thellohet akoma më shumë në studimet e ciklit të dytë (Master), për shkak të kostos së papërballueshme të studimeve. Madje, ky diskriminim parashikohet qartazi edhe nga ligji i arsimit të lartë (80/2015), i cili, jo vetëm që nuk parashikon tavan për tarifën e studimeve në universitetet publike, por edhe i lejon universitetet publike, që financohen nga taksat e qytetarëve, të vendosin tarifa më të larta se sa kostoja reale e studimeve.
Si ka mundësi që nuk po fillon implementimi i sistemit të kredisë (modeste me interes zero), të parashikuar në ligj, për studentët që nuk kanë mundësi financiare dhe dëshirojnë të vijojnë studimet Bachelor dhe Master, në mënyrë që ata të kenë mundësi të shkollohen dhe, pasi të punësohen, të fillojnë të kthejnë kredinë me lehtësira të kushtëzuara nga rezultatet e arritura në studimet e përfunduara.