Kujdes, 234 mijë barna të skaduara, skema si futen në treg

Disa depo farmaceutike marrin barna nga jashtë në prag të skadencës dhe paguhen për t’i shkatërruar këtu në Shqipëri, u ndryshojnë skadencën dhe i hedhin në treg, duke rrezikuar jetën e pacientëve. Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, mjeke në profesion bën një deklaratë të fortë, dhe akuzon disa depo farmaceutike në Shqipëri që në vend që të shkatërrojnë medikamente shumë afër skadencës, iu ndryshojnë datën dhe i rishesin në tregun shqiptar. Në një status në Facebook, Deda e quan këtë një skandal në tregun farmaceutik. “Ulja e marzhit të fitimit për medikamentet ka sjellë që depot farmaceutike të orientojnë importimin e medikamenteve nga vendet e zhvilluara perëndimore drejt vendeve të lindjes apo aziatike si India. Duke qenë se grosistët mbi të gjitha bëjnë biznes për të mos dalë me humbje, veprojnë në “kuriz” të cilësisë. Tregu shqiptar farmaceutik po mbushet me produkte të lira, por aspak cilësore”, thotë Deda.
Sipas saj, është Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ajo që nuk lejon importin e barnave cilësore në Shqipëri. “Ka një larmishmëri medikamentesh, të cilat janë shumë cilësore, por që QKKB nuk i autorizon (nuk i jep të drejtë për t’i importuar asnjë depo farmaceutike), për të hyrë në tregun shqiptar (advil, flagyl, medikamente apo kremra /pomada (ung) të ndryshme gjinekologjike, etj.). Mjekët i shkruajnë shpesh në receta, duke bërë që të lulëzojë tregu nënbanak (futja kontrabandë e këtyre produkteve). Disa depo farmaceutike marrëdhëniet me furnitorët e tyre jashtë i kanë në kushte, ku firma shqiptare kontraktohet, (duke u paguar) për t’i marrë medikamentet për t’i shkatërruar, pasi janë shumë afër skadencës. Produktet që hyjnë në tregun shqiptar u bëhet ndryshimi i datës së skadencës mbi ambalazhim dhe tregtohen. Kjo është jo vetëm abusive, por dhe kriminale” përfundon Deda.
Për vitin 2015 rezultojnë të jenë skaduar mbi 138 mijë medikamente në vlerë 10 milionë lekë. Për vitin 2014 rezultojnë të jenë skaduar mbi 146 mijë medikamente në vlerë 38 milionë lekë, me arsyen se të gjitha këto barna janë blerë në sasi të konsiderueshme dhe që nuk kanë arritur të përdoren, pavarësisht se afati i përdorim ka qenë relativisht nga 1-2 vjet. Nga auditimi i administrimit të barnave në QSUT, është konstatuar se ka një listë shumë të madhe barnash të skaduara në depot farmaceutike. QSUT shpenzon rreth 45% të buxhetit të saj për blerje të barnave, kjo në vlerën e 4 miliardë lekëve, por pavarësisht kësaj perceptohet një mungesë e theksuar ilaçesh, ndërkohë që niveli i barnave të skaduara vijon të jetë i lartë sipas raportit të KLSH-së.
Kjo ka të bëjë me mos planifikimin mbi nevojat reale për medikamente, lidhur me sasinë që është e nevojshme për të mbuluar trajtimin e të sëmurëve, të cilët trajtohen në QSUT. Nga auditimi i administrimit të barnave në QSUT, është konstatuar se ka një listë shumë të madhe barnash të skaduara në depot farmaceutike. Për vitin 2014, rezultojnë të jenë skaduar mbi 146 mijë medikamente në vlerë 38 milionë lekë, me arsyen se të gjitha këto barna janë blerë në sasi të konsiderueshme dhe që nuk kanë arritur të përdoren, pavarësisht se afati i përdorim ka qenë relativisht nga 1-2 vjet.
Nga ana tjetër, sipas raportit të KLSH-së kjo gjendje rëndohet më tepër, kur konstatohet që donacionet nuk arrijnë të përdoren brenda afatit të tyre të përdorimit, dhe për këto dy vjet barnat e skaduara nga donacionet paraqiten mbi 234 mijë medikamente në vlerën 124 milionë lekë. Konstatohet ndjekje dhe monitorim jo i kujdesshëm i administrimit të barnave në këtë institucion dhe mungesë përgjegjësie institucionale me efekte negative në administrimin e fondeve për barna dhe materiale mjekësore.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar QSUT-në që të marrë masat e nevojshme për ristrukturimin e sistemit të administrimit dhe qarkullimit elektronik të medikamenteve brenda një kohe të arsyeshme, me qëllim identifikimin e plotë të rrugës që ato ndjekin për të arritur deri te pacienti, përdorimin me efektivitet të këtij sistemi dhe zvogëlimin e abuzimeve dhe neglizhencave gjatë përdorimit të tyre. Programimi i nevojave për barna të nisë me analizën e gjendjes së tyre. KLSH rekomandon që të hartohen kontrata për furnizime fleksibël sipas nevojave të rezultuara dhe jo të orientuara nga shpenzimi i fondeve të prokuruar.

Artikulli paraprakJo kredi për fermerët, por subvencione në lekë
Artikulli tjetërProtestuesit përleshen me policinë për impiantin e djegies së plehrave