Kujdes nga Mandzukiç

Paulo Dybala ishte një nga futbollistët që bindi Gonzalo Higuainin të linte Napolin për t’u transferuar te Juventusi për të formuar një dyshe sulmuese të gjithën argjentinase së bashku. Por kur kanë kaluar pak ditë nga transferimi i El Pipitas, El Joya, siç quajnë ndryshe Dybala-në, nuk ka ngurruar ta paralajmërojë ish-sulmuesin e Napolit të ketë kujdes nga Mario Mandzukiç. Në  ndeshjen miqësore ndaj West Hamit ku Higuain bëri debutimin e tij me Juventusin, Dybala dhe akoma më tepër Mandzukiç u shfaqën në formë të shkëlqyer. Kroati asistoi ish-lojtarin e Palermos në golin e parë të Juves, ndërsa shënoi vetë golin që i çoi shifrat në 2-0 në favor të bardhezinjve. Në ndryshim nga Higuain, i cili u shfaq dukshëm mbi peshë dhe në një formë shumë të dobët fizike, Mandzukiç po kalon një moment të shkëlqyer dhe sipas Dybala-së, Higuain duhet të japë maksimumin në stërvitje për t’u përmirësuar, pasi me një Mario në formë të tillë do ta ketë të vështirë të jetë një titullar fiks te Juventusi, edhe pse kartoni i El Pipitas u kushtoi kampionëve të Italisë plot 90 milionë euro.
“Higuain është një bomber i vërtetë dhe nuk më takon mua të flas për të. Sezonin e kaluar ai realizoi 36 gola në kampionat, një rekord ky në historinë e Serisë A. Shpresoj që të gjithë në skuadër ta ndihmojmë El Pipitan të shënojë sa më shumë dhe ai të na ndihmojë ne të fitojmë trofe. Gjithsesi këtu te Juventusi do të jetë më e vështirë për të sepse ka shumë konkurrencë në skuadër. Edhe Mario Mandzukiç është në një formë të shkëlqyer dhe Higuain duhet të tregohet i vëmendshëm nëse dëshiron të jetë titullar”.
Pas 5 titujve kampion radhazi në Itali objektivi parësor i Juventusit në sezonin e ri është të triumfojë në Uefa Champions League edhe pse bardhezinjtë dëshirojnë gjithashtu një tjetër titull kampion që do të ishte i 6-shti rresht.
Ndërkohë, telenovela në fakt ka zgjatur jo pak duke qenë se kontrata e Elseid Hysajt me Napolin ende nuk është rinovuar dhe jemi në muajin e fundit të merkatos, por në fund duket se do të ketë fund të lumtur. Agjenti i mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Mario Giuffredi ka folur sërish në lidhje për këtë çështje në mediat italiane duke zbuluar disa detaje interesante, duke nisur nga ai që paralajmëron një rinovim të shpejtë në ditët e ardhshme.
“Duhen përfunduar edhe disa detaje, por nuk duhet të ketë probleme, shpjegon agjenti i Hysajt duke folur edhe për klauzolën e prishjes së njëanshme të kontratës për të cilën shpjegon: “Nuk ishte një kërkesë e jona, por ndoshta nuk është diçka e gabuar. Presidenti De Laurentiis është treguar shumë i disponueshëm edhe për të riparë anën ekonomike, pavarësisht se kontrata aktuale zgjat edhe katër vjet”. Në këtë mënyrë agjenti i futbollistit shkodran ka konfirmuar edhe rritjen e pagës së Hysajt që brenda një viti fitoi zemrat e tifozëve të Napolit, si edhe interesin e disa prej klubeve më të mëdha të Europës me paraqitjet e tij me fanellën e kaltër.

Artikulli paraprakEnrique: Kam një sulm luksi
Artikulli tjetërUEFA ndryshon rregullat për Ligën e Kampionëve