Kujdes nga Milani

“Duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Milanit”. Këto ishin fjalët e para të trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri në prag të sfidës kundër kuqezinjve. Ekipi i Vincenzo Montellës është duke kaluar një moment pozitiv, ndërkohë që nga ana tjetër, bardhezinjtë dëshirojnë tre pikët për të konsoliduar pozitat në krye të tabelës së klasifikimit. Në konferencën për shtyp, tekniku toskan foli në lidhje me gjendjen e ekipit. Përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushë, ai deklaroi se sulmi do të drejtohet nga dyshja argjentinase Higuanin-Dybala.
“Sigurisht që ne duhet të përmirësojmë cilësinë tonë në lojë. Në sulm do të jetë Higuanin dhe Dybala. Është një sfidë ku vijmë me mungesa, një ndër mungesat do të jetë dhe ajo e Giorgio Chiellinit, i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë. Mandzukiç ndoshta mund të aktivizohet disa minuta. Në mesin e fushës kam dilema, ndërsa në mbrojtje do të jetë Barzagli, Bonucci dhe Benatia”, u shpreh Allegri.
Më tej numri një i stolit të “Zonjës së Vjetër” komplimentoi dhe ish-skuadrën e tij Milanin. Allegri u shpreh se kuqezinjtë janë duke kaluar një moment të mirë. “Komplimenta Milanit. Kanë zhvilluar disa ndeshje shumë të mira, me lojtarë të rinj dhe shumë të talentuar, ku padiskutim do të jenë e ardhmja e kombëtares italiane. Padiskutim merita për këtë Milan ka dhe Vincenzo Montella. Është një sfidë e ekuilibruar, ku vëmendja duhet të jetë maksimale”, tha trajneri i Juventusit.
Në fund tekniku i kampionëve të Italisë nuk harroi të përmendte dhe mesfushorin Miralem Pjaniç. Sipas Allegrit boshnjaku duhet të përmirësohet, por pavarësisht kësaj është një element shumë cilësor. Milan-Juventus do të jetë kryefjala e kësaj fundjave në Seria A. Pritet një 90 minutësh plot emocione dhe me spektaklin e garantuar.
Edhe portieri i Juventusit, Xhixhi Bufon i ka kushtuar vëmendje shumë të veçantë Milanit. Sipas Bufon, ndeshja ndaj Milanit është vendimtare dhe e rëndësishme për ecurinë e kampionatit italian. Kapiteni bardhezi nuk ngurron t’i vlerësojë kuqezinjtë për atë që kanë bërë deri tani dhe thotë se i ngjason me Juventusin që u ndërtua nga Konte. “Duket që kanë nisur një projekt të mirë dhe premtues, si ai i Juventusit disa vite më parë. Duhet vetëm kohë dhe eksperiencë që ata të përmirësohen. Donaruma? Ka reflekse të jashtëzakonshme dhe është shumë inteligjent. Ka gjithçka për të bërë histori në rolin e tij, thjesht duhet të presë”, u shpreh Bufon.

Exit mobile version