Nga Agim Baçi
Kujt i shërben kur mbizotëron mosbesimi ndaj liderëve politikë? Kë bën më të fortë, më të pushtetshëm, kjo situatë mosbesuese? Çfarë realiteti prodhojnë sondazhet që tregojnë një mospëlqim të fortë ndaj tyre?
Sipas politologut Ivan Krastev, që drejton prej kohësh Qendrën për Strategjitë Liberale, çdo qëndrim që i vendos politikanët në nivelin e kontestimit apo refuzimit publik, favorizon vetëm atë që është në pushtet, pasi në thelb, një politikë e tillë mbjell vetëm dekurajim mes qytetarëve, duke krijuar idenë se vota e tyre është e parëndësishme, se qëndrimet dhe opinionet e tyre nuk vlejnë për të ndryshuar realitetin.
Por, a mund të mbijetojë demokracia nëse ne nuk u besojmë liderëve tanë? Si mund të shkojë fati i zgjedhjeve kur shumica e sondazheve televizive tregojnë mospëlqimin dhe refuzimin e publikut për të gjithë liderët politikë? Madje, çfarë ndodh kur në mënyrë paradoksale sondazhet nxjerrin se në Shqipëri ka mospëlqim edhe për liderët opozitarë, ndërkohë që mazhoranca vijon të shohë se si ministra, ish-ministra, deputetë, kryetarë apo ish kryetar bashkie, janë nën hetim për korrupsion apo për lidhje të forta me krimin.
Praktikisht, në Shqipëri ka një paradoks edhe lidhur me ndërtimin e perceptimit mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kryeministri Rama ka zgjedhur që nga vitit 2019 të mos dalë në asnjë debat me kundërshtarët e tij politik, duke lejuar kështu që në debatet politike të nxirret në pah ajo që nuk shkon me opozitën, por jo ajo që nuk shkon me qeverinë. Edhe në ligjërimin e tij politik dhe mediatik Kryeministri investohet që ndaj kundërshtarve politikë të ketë më shumë mosbesim, më shumë kontestim, duke bërë gjithçka që qeveria të vijojë të konsiderohet nën perceptimin e “së keqes më të vogël”.
Nën këtë komunikim duken edhe rezultatet më të fundit të disa sondazheve në televizione. Por ajo që vihet re është fakti se në sondazhet e sotme mungojnë disa pyetje të tilla si: Sa mendojnë qytetarët se është e korruptuar qeveria? Sa nga ne besojnë se parlamenti, si pushteti më i lartë i një republike parlamentare, arrin t’i kërkojë llogari kryeministrit dhe ta kontrollojë atë? Përse vijohet të mbështetet kryeministri kur shkel në mënyrë arrogante Kushtetutën, duke deklaruar se ai nuk dëshiron të aprovojë komisionet hetimore?. Nëse do kishim këto pyetje- edhe për faktin se është qeveria që merr vendime për qytetarëtdhe jo opozita- atëherë fare lehtë do kishim një panoramë krejt ndryshe të situatës së qeverisë së sotme përballë publikut.
Gjithkush e merr fare lehtë me mend se qeveria do ishte më në siklet përballë qytetarëve nëse do kishim shumë emisione politike apo sondazhe ku do të flitej më shumë për punën e qeverisë, e sidomos nëse do pyeteshin qytetarët se sa e angazhuar është mazhoranca në zbatimin e ligjit. Emisione apo sondazhe të tilla mund të sillnin një ndryshim të opinionit publik, ndaj qeveria prej kohësh ka shmangur praninë në debate televizive, duke lënë në qendër të debatit krahasime vetëm me opozitën, a thua se në këto 11-12 vite të qeverisjes së Ramës ka pasur po aq pushtet në vendime edhe mazhoranca edhe opozita.
Padyshim që opozita është një element i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë, dhe si e tillë duhet gjykuar në atë që shfaq, në mënyrën sesi ia kërkon besimin publikut për të ardhur në pushtet, në aftësinë e saj për t’u kthyer në instrument në duart e qytetarëve për të përmirtësuar qeverisjen dhe jo jetën e një grupi. Është po kaq e rëndësishme që opozita të pyesë vetveten se ku përfundon ajo pjesë e shoqërisë që nuk mbështet qeverinë, por që nuk arrin të jetë as në krah të tyre, siç treguan zgjedhjet e Majit 2023. Gjithsesi mbetet absurde që të kërkosh të njëjtën përgjegjësi publike tek opozita sesa te mazhoranca, pasi është kjo e fundit që merr vendime për fatin e qytetarëve.
“Aty ku njerëzit kanë humbur shpresën se zëri i tyre demokratik mund të sjellë ndryshime dhe t’i shërbejë synimit të tyre kolektiv, aty është një demokraci në krizë” shkruan Krastev, duke vënë theksin se në një shoqëri demokratike nuk mjafton vetëm ekzistenca e institucioneve, por besimi se këto institucione funksionojnë dhe se mund të vetërregullohen. Pikërisht këtu qeveria duket se është e interesuar ta zhdukë këtë shpresë, ndaj dhe investon gjithçka në politikën e mosbesimit. Ndaj gjuha e Kryeministrit është tallëse, kontestuese, bullizuese, pasi në interesin e tij është që qytetarët të mos besojnë se kanë fuqi të ndryshojnë. Ndaj dhe që pas ardhjes në pushtet Rama është përpjekur të bindë publikun se ai është fati ynë. Qoftë edhe duke lozur në sondazhe ku ai rezulton ende “e keqja më e vogël”. Strategjia dekurajuese dhe kontestimi ndaj kundërshtarit ka qenë jetik për Ramën, edhe pse, fatkeqësisht, opozita ja ka dhënë këtë shans duke punuar pak ose aspak në korrigjimin e vetvetes dhe në kthimin e saj në instrument besimi për qytetarët, që te opozita të shohin instrumentin e ndryshimit, e një qeverisje më të mirë.
Padyshim që rrotacionet politike janë të shëndetshme, sidomos në një shoqëri ku qytetarët humbin besimin se zëri i tyre dëgjohet apo se vota e tyre ka vlerë. Por rrotacioni ka nevojë që liderët e partive që këkrojnë ndryshim të lënë mënjanë egot e tyre dhe t’i hapin rrugën një ndryshimi të fortë, më së pari brenda vetë opozitës. Politika është arti i arritjes së të pamundshmes, ndaj dhe shumë gjëra janë ende në dorën e atyre që duhet të krijojnë një realitet të ri politik. Varet gjithçka nga fuqia për të sakrifikuar nga vetja…