Nga Rigels Seliman
Është cinike ta themi këtë. Por Edi Ramës do t’i interesonte një opozitë që kryesohej nga binomi anti-amerikan, anti-britanike dhe anti-SPAK, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Edi Rama e ka pasur të lehtë pushtetin si kryeministër gjatë këtyre 11 viteve dhe e gjitha kjo meritë i takon çiftit Meta-Berisha. Këtë të fundit jo vetëm që nuk kanë luajtur rolin e duhur si opozitë, por madje janë përpjekur me “mish e shpirt” që rruga e Edi Ramës të ishte e shtruar me petale e gjethe dafine. Kanë përdorur gjithë armët e tyre për ta fuqizuar kryeministrin duke funksionuar si një grup, ku padyshim qëllimi dhe interesi i përbashkët i pazareve ka qenë dhe është futja e duarve në tendera e koncesione.
Pse duhet të dilte kundër opozita kur ata po ktheheshin në politikanë “të paprekshëm”?
Por fundi i kësaj klike të korruptuar, po i vjen fundi. Këta lakmitarë dhe të babëzitur s’po dinë ku të futin kokën, pasi frika ka pushtuar politikën shqiptare dhe kjo kambanë alarmi ka ardhur nga SPAK. Beteja ka kaluar në raundin final, pasi prokurorët specialë me “bekimin”, mbrojtjen dhe financimin e amerikanëve po “këputin” një nga një gjithë të korruptuar qofshi këtë majtas apo djathtas, ku në majë të Piramidës është çifti Meta-Berisha.
Të gjithë emrat “VIP” të politikës shqiptare që e cilësonin veten të “paprekshëm”, SPAK iu ka prishur “karrierën”e ndërtuar ndër vite.
Në fakt SPAK, po bën atë që sistemi i drejtësisë duhej të kishte bërë para shumë vitesh. Kushdo që ka sy e veshë e kupton se Prokuroria e Posaçme (SPAK) po ju vjen në ndihmë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët kanë vuajtur pasojat e korrupsionit galopant. Kështu që një gjë është e sigurt, SPAK nuk preket dhe këtë e konfirmoi vetë SHBA. Është kjo opozitë e re e krijuar nga amerikanët që po bën që “anija” në të cilën kanë hipur Ilir Meta dhe Sali të futë ujë me shpejtësi të madhe dhe nuk dihet nëse ata do ta ankorojnë të sigurt në port në vitin 2025, apo do të mbytet rrugës.