Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit.
Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit.
Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
*******
Në ish-burgun e Gestapos në Shkodër
Natyrisht, kur tё burgosunit të nesërmen e morёn vesh se kush ishte dhe si kishte ardhё, me gjithё gruan italiane, u erdhi keq shumё. Atij iu desh t’i përgjigjej pyetjeve që i banin të burgosunit, sepse familja jonë ishte e njohun e veçanërisht im atë, që s’kishte shkodran që nuk e njihte, e po aty në atë qeli, kishte nga ata që kishin shërbye me të.
Iu desh të shpjegonte arsyet që e shtynë me braktisë Italinë e, me ardhë në Shqipni, me gjithë pengesat e rreziqet që kishte përballue në atë udhëtim. Pjetri, e kishte pickue pakëz për me i dhanë me kuptue, që të peshonte mirë fjalët, sepse mund të interpretoheshin për së mbrapshti, mbasi kishte spiunë të futun kastile nga komunistët, të gatshëm për me raportue.
E vetmja e mirë ishte se dyshemeja ishte shtrue me dërrasa, sepse ishte një shtëpi private, e konfiskueme. Askush nuk ishte i pajisun me mbulesa, për të kalue natën, sepse kur i arrestonin, nuk i lejonin me marrë asgjë me veti, dhe ishin të prangosun.
Të nesërmen Pjetri, si përgjegjës i asaj dhome, ua mbushi mendjen rojeve që të lironin një dhomë tjetër, se aty ishin ngushtue si sardele e, nuk shtriheshin dot të flinin. Ngjit me atë dhomë ishte një tjetër me materiale të ndryshme. Rojet bashkë me partizanët dhe disa të burgosun e liruen dhe kështu gjysma e të burgosunve, kaloi atje. Pjetri e mbajti Valentinin pranë. Kjo ua përmirësoi pak gjendjen.
Ditën tjetër, para se të binte nata, disa familje kishin arritë me marrë një leje të posaçme, për me u sjellë veshje e mbulesa në burg. Edhe Valentinit, i sollën nja dy batanije që e shoqja ia kishte dhanë një kojshije me ia çue, që e kishte vëllanë në atë burg. Ishte dita e katërt e shtet-rrethimit, që vazhdonte t’ishte në fuqi. Ditën e pestë, shtet-rrethimi u hoq, kështu të dielën e parë u lejue takimi dhe të burgosunit patën mundësi të takohen me njerëzit e tyne, pas sgarave të hekurta.
Edhe Gori, pati mundësi të shihej me Valentinin nga larg, pas hekurave. Ajo i dha me kuptue, se dikush kishte ardh i dërguem nga i ati, midis shtet-rrethimit, dhe i kishte sjellë do pare dhe përshëndetjet e familjes, të mamës, gjyshes dhe të vllazënve, që qëndronin të fshehun në mal.
Ai njeriu quhej Bibë. Valentini sa kishte ndigjue emnin e Bibёs, e kishte kuptue se ishte fjala pёr Bib Brozin, një besnik i dërguem nga i ati, me mend se do t’i gjente në Shkodër e, ndoshta t’i merrte me vete për t’u bashkue me pjesëtarët e tjerë. Si kishte qenë e mundun një punë e tillë, mes shtetrrethimit?!
Duhet të kthehemi prapa për me tregue se si qëndronte puna me familjen e Valentinit. Ai e kishte marrë vesh se i ati kishte dalë në mal ku rrinte me anglezët dhe se vllaznit, mama e gjyshja, ishin strehue te fisi shumë besnik i Nikoll Llesh Gjokës, në malin e Skurajt. Por ngjarjet ishin zhvillue të tilla, sa që kontaktet ishin ba të pamundshme. Kur familjarët kishin marrë vesh ardhjen e Valentinit në Shkodër me gjithë gruan, ishin mërzitë tepër. Ç’e kishte prue në atë kohë aq të rrezikshme?
Si me ia ba me u lidh me ta? Ata ishin vetë si mos ma keq, të fshehun e të ndjekun nga forcat partizane, që kishin urdhën me i asgjesue. Anglezët ishin largue dhe shumë personalitete nacionaliste, po ashtu kishin ik. I ati Valentinit, ishte strehue edhe ai me disa besnikë, në malet e forta të Kurbinit, ku e kërkonin ditë e natë, brigadat partizane. Pavarësisht nga këto kondita aq të rrezikshme, im atë e kishte thirr një ditë Bibë Brozin, tue ia besue detyrën e vështirë, me shkue në Shkodër dhe me u takue me Valentinin, të cilit do t’i dorëzonte edhe një sasi të mirë paresh.
I dha edhe porosi gojore për disa miq dhe oficerë që kishin shërbye me të. Kështu Bib Brozi u nis dhe arriti në Shkodër ku ishte vendos shtet-rrethimi. Njohës i mirë i zonës dhe i shkathtë në veprimet, arriti të hyjë natën në qytet pa e pikasë kush. Atje kishte disa miq të tij, ku mori informata dhe e gjeti adresën e Valentinit, për të cilin mori vesh se ishte arrestue e burgos dy ditë ma përpara. Me shumë kujdes dhe pa e pa kush, shkoi te banesa dhe trokiti në derë. Gori krejt e trembun dhe e tronditun, kishte pyet italisht; «chi bussa, chi siete»? e Biba ishte përgjigj; «amiko, amiko, venire da gjenerale.
Ajo e kishte hapë pakëz derën dhe Biba i kishte pёrsёritё «venire da gjenerale Pervizi», e Gori e kishte lejue me hy brenda. Njëherësh brenda i kishte tregue (e fliste pak italishten) se ishte besnik i familjes e, kështu u morën vesh. Ai i dorëzoi edhe një letër, që kishte shkrue Genci, ku shpjegonte gjithë punët e familjes. Letrën Genci kishte shkrue italisht, në mënyrë që ta lexonte dhe Gori. Kështu ajo e mori vesh gjithë gjendjen e familjes dhe rreziqet qe e prisnin edhe në t’ardhmen, prej komunistëve që kishin marrë në dorë pushtetin dhe kishin fillue me mbjellë terror kudo.
Ndërsa Gori i tregoi Bibës, gjithë historinë e udhëtimit deri në Shqipni e, të arrestimit të Valentinit, dhe si ai kishte shpëtue për një qime, që nuk ia gjetën revolverin, që do ta kishte rrezikue së tepërmi, Biba ishte çuditë se si Gori, ishte tregue një grue burrneshë, që i kishte shkue mendja me e fshehë revolverin në pardesynë e lagun, të varun mbi tel.
Ai e mori përsipër ta marrë me vete revolverin, për të ia heqë havale Gorit, që dridhej nga frika. Ana ma e mirë e këtij aksioni guximtar të Bibës, ishte se i dorëzoi një sasi të mirë napolonash kartëmonedhë, që e shpëtonin Gorin për një kohë, nga gjendja e rëndë dhe e mjerueshme ku ishte katandisë. Biba i dha kurajo e shpresë, sepse ndoshta punët rregulloheshin, mbas hovit të parë të masave shtypëse të komunistëve.
Ndoshta Aleatët ndërhynin. Ashtu siç kishin premtue, që gjendja të normalizohej, kishte vazhdue Biba, duke e qetësue italianen, e mbetun tashti në të katër rrugët. Atë natë Biba fjeti aty, sepse ishte tepër vonë dhe prandaj aq ma i madh ishte rreziku. Por, pa dalë mirë drita, ai u largue. Gori mori pak kurajo nga ky takim qё e lidhte me familjen e Valentinit, ku ajo tashma bante pjesё.
Ajo i dha Bibёs edhe një letër të gjatë, që kishte pasë shkrue Valentini për ne, ku tregonte gjithë historinë e tyne deri kur kishin sos në Shqipni. Biba arriti t’u iki rojeve partizane dhe të kthehet te ne në mal, ku na gjeti te fshehun te fisi i Nikoll Llesh Gjokës, në një stan të ndërtuem kastile për ne, në pyllin aty për rreth, në një kohë kur edhe im atë, qëlloi aty. Nga një anë u gëzuem, që Biba kishte gjet Gorin e, nga ana tjetër u mërzitën për Valentinin, që e kishin arrestue e burgos.
Të pafuqishëm siç ishim, qanim hallin ma shumë të Gorit, si një grua e re e huaj, pa mbrojtje e pa mundësi jetese, në ato kushte kur çdo ditë e ma tepër, shihej se komunistët kishin vendos me zbatue një politikë terrori, për me eliminue gjithë shoqninë e vjetër, që ishin formue në Evropë, tue mos kursye familjet e ndryshme qytetare e fshatare, të dallueme për shpirt patriotizmi e, traditat ma të mira shqiptare.
Pra në atë takim me Gorin te burgu, Valentini disi u qetësue, kur mori vesh se ne kishin ra në kontakt me Gorin, duke i çue edhe një ndihmë të mirë për ato kondita, me anë të besnikut të madh, Bib Brozit.
Tragjedi burgjesh
Valentini, tashmë i vetёdijshёm se burgu s’do t’i shqitej prej kurrizit, i duhej t’i përshtatej asaj gjendje. Në dhomën qё u lirue nga gjysma e njerëzve, të burgosmit u sistemuen ma mirë me ato pak gjana që kishin, tue zanë secili një vend prej katёr pëllëmbë. Në kët mënyrë, mund të shtriheshin me pushue e me fjet.
Pjetër Gurakuqi ishte caktue si përgjegjës i dhomës. Ndërkohë Valentini, kishte zanë miqësi me një mësues shkodranë, që i vlejti shumë, sepse në atë ambient, e ndiente veten krejt të huej. Ai quhej Gjon Harusha. Atë e kishin arrestue kot, si të gjithë të tjerët. As nuk i shkonte nëpër mend, se pse! Kishte punue si mësues, prej ma shumë se dhjet vjet, e çmohej si njeri i mirë.
Të burgosmit kishin kalue dy javë, në pritje të njohës së arsyes së arrestimit të tyne. Pritje e kotë, sepse do të kalonin muaj e muaj, pa i marrë kush në pyetje. Makina e diktaturës, e kishte fillue punën e saj mizore. Herë pas herë i merrnin disa të burgosun nga birucat që gjendeshin në katin poshtë dhe i çonin në zallin e Kirit, ku i pushkatonin pa proces e pa asnjë pyetje. Arsyen e dinin vetëm xhelatët e Sigurimit.
Këto pushkatime, hynin në programin e spastrimit, para se të fillonin me punue gjyqet speciale, që do të banin kërdinë ligjore. Një oficer i Sigurimit, i kishte thanë në mirëbesim, një të burgosmi që njihte, se ato spastrime quheshin të nevojshme, për me eliminua të gjithë ata që dyshoheshin si të rrezikshëm ose, që kishin dhanë prova, si ishin të tillë, për të cilët nuk ishte nevoja, të mbahej ndonjë proces, ose gjyq. Logjikë staliniste!
Një të diel, pasi takimit të dhimbshëm të burgosurve me familjarët e tyne, Pjetri i ishte afrue Valentinit, tue ndejtë për do kohë pranë tij, i heshtun e krejt i tronditun. Kishte marrë vesh një lajm të keq, për të cilin ma vonë i foli. Një mik nga Berati, u kishte thanë te vetëve se në Berat, Sigurimi kishte thirr njerëz të ndryshëm, për të marrë informata të çdo lloj mbi Pjetrin.
-“Ja, – i kishte thanë Pjetri, – nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të më çojnë në Berat, për të më gjykue. Ai kishte qenë në Berat, si komandant i xhandarmërisë në kohën e gjermanëve, me gradën kapiten. Gjatë detyrës ishte mundue me i ardhë në ndihmë popullit dhe kishte fitue simpatinë e besimin e qytetarëve, tue shpëtue me dhjetëra jetë të rinjsh dhe tue evitue shkatërrimin e qytetit prej gjermanëve. Por sa pare ban?!
-“E di, – kishte shtue, – se beratasit do të dalin në mbrojtje time. Por çdo gja që bahet në favor tim, më rrezikon ma tepër. Në sistemin komunist, popullariteti për mirë, asht një minus i madh. Prandaj, pikërisht sepse kam një opinion shumë të mirë në Berat, që tani e ndjej veten të pushkatuem“.
Nuk kaluan dhjetë dit, e Pjetrin e morën dhe e çuan në Berat, ku, siç ai e parashikoi, e pushkatuan, pavarësisht se shumë beratas, dolën dëshmitarë në favor të tij. Gijotina e diktaturës, tashmë priste koka njerëzish, pa kursim e mëshirë. Nga mesi muajt janar, veç kur burgu u mbush plot, me malësor nga anёt e Postribёs. Atje, me 9-13 janar, kishte nisё njё kryengritje spontane nga fshatarësia e disa katundёve, e pa organizueme, me sulmue Shkodrёn.
Fshtarёt ishin nis, shumica pa armё. Forcat komuniste nёn komandёn e Mehmet Shehut, kishin ndërhy menjëherëё, tue e shpartallue atë lëvizje, qysh në lindjen e saj. Pati djegie shtёpishё, tё pushkatuem e tё arrёstuem, qё mbushёn qelitё e burgjeve. Edhe brenda nё Shkodёr, u banё arrestime e burgosje intelektualёsh, gjoja si tё lidhun me kryengritёsit. Rroftëё sebepi, pёr tё mbjellё terror nё atё qytet.
Ma vonё sollёn nё burg disa prej tyne, qё i shpёtuen pushkatimit. Ndёr ta, një Osman Haxhia, qё nё gjyq kishte fol krenarisht pёr kryengritjen ku ai vetё ishte ndёr kryetarёt. Por nga ky qëndrim i hapun e burrnor e kishin dënue me burg tё pёrjetshёm. Aty kishin sjell edhe intelektualin Sami Repishti, dënue 15 vjet, qё pastaj e çuan nё burgun e Burrelit, bashkё me Osman Haxhinё. Kёshtu u shue kryengritja e Postribёs, qё ndёrkohё pllakosi Shkodrёn, nёn terror.
Valentini ishte i shqetёsuem pёr Gorin, e cila po pёrjetonte ato masa represive, qё u kishin kallё tmerrin shkodranёve dhe sigurisht edhe asaj. Por ja qё njeriu asht i fortё e, i kalon vёshtirёsitё e tё këqijat.
Nё kёto rrethana në burgun e Valentinit, nisi të zbatohej ligji i revolucionin francez. Pa dalë mirë dita, dëgjoheshin hapat e rojeve dhe njerëzit i zinte ankthi. Hapej dera, dhe lexoheshin emnat e fatkeqve që i priste vdekja. Të thirrunit çoheshin për të shkue si berrët te kasapi. Sa tmerr kur shoku që kishe pranë, dëgjonte emnin e çohej e vishej shpejt e shpejt, dhe ulej e përqafonte shokun, duke i thanë në vesh: – “Mos na harroni. Mirupafshim në botën tjetër”!
Njё ngushёllim i çuditshёm. Ishte njё bindje e vёrtetё. Me dek, ishte me shpёtue nga kjo jetё e mjerё, me kalue nё njё botё shpirtërore tё gёzueshme, ku mund tё takohёshe me tё dashunit, shokёt e miqtëё. Valentinit i kishte ndodh sa here, që t’ia merrnin shokun pranë. Tashmë burgu ishte kthye në një dhomë pritje tё vdekjes, për shumëkënd. Emnat që thirreshin, kalonin nga dhoma në dhomë. Kështu i rastisi Valentinit të dëgjonte, persona që ai kishte njohun aty në burg.
Sepse ishte hap fjala e ardhjes tij prej Italie, në atë kohë të frikshme, dhe të burgosunit, miq e njohës së t’atit, vinin e dhe e takonin. Kryesisht ushtarakët, por edhe klerikët katolikë, si; Gjon Faust, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Ndre Zadeja, e të tjerë, që u pushkatuan. Burgu ishte vërtet një paradhomë e vdekjes. Herё pas here nё mëngjes, përsëritej e njejta skenë në të gjithë dhomat e qelitë e burgut. Askush nuk e ndjente veten të sigurt, për ditën tjetër.
Bile, banin shaka e talleshin, se kujt do t’i vinte radha. Veçanërisht në dhomë e tij, Prof. Guljelm Deda, që e thirrnin Lem, i cili kishte dellin e humorit. Ishte një humor që vinte nga thellësia e shpirtit, për të largue ankthin që kishte pushtue të burgosunit. “Hej – thoshte Lemi, – po jetojmë e po vdesim si në revolucionin francez. Me një ndryshim, që kokat s’na i shkurtojnë. Na i lajnë që nabare, në botën tjetër të shkojmë me gjithë kaptinat».
Të mjerët që ishin caktue të flijoheshin, i merrnin si kafshët, tue i shty para me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, pastaj u vinin hekurat. Ajo që e rëndonte ma tepër atmosferën e terrorit, ishte se asnjeri prej fatkeqve, nuk e dinte pse pushkatohej. Ndodhte që vinte dikush dhe i pyeste aty jashtë në korridor, por jo që t’i shkonte mendja kuj, se me ato dy tri pyetje kote, ishte vendosë fati i tyne, për t’i zhduk nga kjo botë. Ky ishte fillimi i terrorit të kuq, që në Shqipni, do të zbatohej në mënyrën ma t’egër e makabër, duke ba kërdinë, mbi shqiptarët e pafajshëm.
Në dhomën e tij i ra me u njohë dhe kalue me mjaft shkodranë, ndër të cilët, Guljelm Deda dhe axhën e tij, kolonel Lin Dedën. Vllaznit e Prek Jakovës, Dedën dhe Çeskun. Italianin At Jak Gardinin, Dom Nikoll Mazrrekun, mësuesin kosovar Zef Agimin, Prof. Angjelin Saraçin. Disa oficerë, kolonelë, si ; Gjysh Shëldia, Luigj Mikeli, dhe plot ushtarakë të tjerë me grada ma t’ulta. Ma vonë, kolonelët Qazim Komanin dhe Fuad Dibrën. Ata, kolegë e miq të t’atit, e takuen menjëherë Valentinin, me dashamirësi.
I treguan se si ishin kthye nga Kosova në shtëpitë e tyne në Tiranë, mbas mbarimit të luftës. Ku s’kishte kalue shumë dhe i kishin arrestue. Po i nisnin për në Prishtinë sipas kërkesë se Jugosllavëve, ku i priste patjetër pushkatimi. Poshtërsia e komunistëve shqiptarë s’kishte kufi. Jo vetëm këto dy kolonelë të shquem, por edhe oficerë të tjerë që kishin shërbye në Kosovë, ua kishin dorëzue Jugollavëve. Si berrët te kasapi.
Kështu Valentini, tue qenë se mbahej aty kot si peng pa u gjykue, gjatë dy vjetëve, priti e përcolli nga ai burg me qindra bashkatdhetarë që pushkatoheshin sipas një plani djallëzor të huajtur nga revolucioni francez dhe ai bolshevik i Stalinit.
Ku në krye të këtij terrori ishte një Ropersbierr shqiptar i pa skrupull e sadist si Enver Hoxha me „shokët“ e katilët e tjerë me të cilët hartonte listat e vdekjes. Valentini në gjithë atë pështjellim tragjik shpëtoi mirë që nuk iu shënue emni në ato lista. Si duket ishte akoma i panjohur nga banda e kriminelëve. Ose mbahej si peng prej t’atit, Prenk Pervizit. Lek Pervizi Memorie.al