Kujtimet e akademikut dhe gjuhëtarit Bahri Beci (1936-2023), botuar 10 vjet më parë nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, janë tejet interesante. Ndër të tjera autori ka sjellë me trishtim edhe çastin kur komunistët hynë në Shkodër. Në asnjë rresht të kujtimeve ai nuk përmend fjalën “çlirim” sepse diçka të tilla nuk ka pasur. Ushtria gjermane ka ikur pa luftë e pa pengesa dhe komunistët janë sjellur me popullin si pushtues./ Kastriot Dervishi
Pjesë nga kujtimet:
Duhet të ketë qenë data 28 nëntor atë natë kur gjermanët u larguan nga lagjja jonë, por edhe nga Shkodra dhe lanë peshqesh ato dy shpërthime që tronditën qytetin si të ishte tërmet shtatë a tetë ballësh…Pra 29 nëntori e gjeti Shkodrën pa këmbë gjermani. Partizanët ishin vendosur në lagjet periferike të qytetit dhe prisnin momentin të futeshin në qytet. Nuk di si dhe kur, por mbaj mend që një natë shtëpia u mbush me partizanë. Ishin veshur keq dhe në këmbë mbanin opinga. Më duket se babai pranoi që disa prej tyre të flinin atë natë aty te ne. Thoshin se kishin edhe morra e kjo ishte shqetësuese. E kam të vështirë t’ju them se sa ndenjën dhe kur ikën. Po ka mundësi të jenë larguar të nesërmen.
Ato ditë Shkodra u mbush me partizanë. Të krijonin përshtypjen e një batalioni të shpartalluar se sa të një ushtrie. Shumë shpejt filluan kontrollet nëpër shtëpia dhe operacionet ushtarake. Çdo ditë qarkullonin fjalë për vrasjen e këtij ose atij “armiku” a “tradhtari”.
(Bahri Beci, “Një libër që nuk do doja ta shkruaja”, botim i ISKK, Tiranë 2013, faqe 163)