Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Mbas shumë kundërshtimesh, qesh i detyruem t’ia pranojsha nji mushama gome angleze në gjendje shumë të mirë, mushama që ai e kishte pasë përdorë fare pak në arrati. Me shumë këmbëngulje më dha edhe nji xhaketë si ushtarake e veshun përbrenda prej lëkure gjithë lesh, e cila do të më mbante gjallë gjatë katër dimnave të ardhshëm nëpër kampe, si edhe nji palë çorape leshi të rinj, për të cilët ai do të më thonte, se mund t’i përdorsha edhe si dorca.
U nisëm për t’mos u kthye kurrë ma në atë burg, tue pasë marrë me vete kujtime njerëzish të mirë e gjithashtu tue pasë lanë secili – si në nji panteon nderi – gjurmën e vet. Kush mund të meritonte ma shumë respekt, se disa burra zakoni, të meçëm e trima, që po i lejshim aty, të cilët vazhdojshin me pague me shumë dinjitet fisnikninë e tyne të kulluet shqiptare, e nji burrni e krenari që u pasqyrohej në qëndrimin e tyne mjaft të përmbajtun, në çdo rast.
Në atë burg, ku deri ateherë ishin shënue shumë dhimbje njerëzore e, ku ishin ndigjue histori nga ma prekëset, ndër të tjerë, po lejshim edhe disa pleq të pamundun e disi të lënduem, si p.sh. bajraktarin e Gimaj-Shalës, Zef Avdi Kolën, të cilin edhe italianët, mbasi të kishin pushtue Shqipninë, e kishin pasë internue në Ventotenë, kurse këtu në burgun e Shkodrës, tue mos qenë lejue me mbajtë mustakë, – gja e pakonceptueshme për nji burrë malesh – do të bante që kur Zef Avdi Kolës t’i vijshin njerëzit e tij për takim, ai prej turpit, t’u dilte atyne me nofulla të mbështjelluna me shami.
Po ashtu i mbështjellë nofullash me shami për mungesë mjekre edhe plaku tjetër Hafiz Musa Dërguti, që do kohë ma parë ia kishte la në gjak fytyrën nji polici, kur ai i kishte pasë derdhë ujtë e “abdesit” aty te truma, e që kur kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë thanë nji shoku të dhomës: “Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt, me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë: bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr”!
Po lejshim në atë burg edhe priftin e meçëm e kurajoz prej Kosovet, At Palë Dodën, që dikur në Rubik i kishte shpëtue jetën Ahmet Zogut, prej austriakëve, që e ndiqshin për ta vra, në ç’rast Patër Pali, kolonelin Ahmet Zogu e kishte pasë veshë me veladon e, qitë si prift jashta krahinës, për të mbetë mandej përgjithmonë, nji ndër miqtë ma të respektuem e të dashtn kur ai të bahej Mbret.
Ndër të tjera, aty në burg Patër Pali kishte pasë tregue se kur njiherë tue u pasë ndodhë në pallat të Mbretit për nji rast feste, mbrenda nji salle të madhe ku edhe po vallëzohej, ai i ishte drejtue Mbretit me këto fjalë: “Madhëni, kem nevojë me ble nji ndërtesë për shkollë, por s’kemi lek”. Nuk kishin kalue veç katër-pesë ditë, kur në Shkodër kishte mbërrjtë çeku prej pesëqind napolonash flori me mbishkrimin: “Nana Mretneshë, Motrave Stigmatine”!
Patër Pali, në kundërshtim me urdhnin fetar për rastin e mëkatit të vetëvrasjes, për t’i shpëtue mundimit të torturave që i bajshin hetuesit komunistë, u pat hedhë prej dritares së nji kati të sipërm, por që megjithatë, kishte shpëtue me jetë. E kishin pasë dënue nji herë me vdekje e, mbrapa falë jetën. Tue pasë qenë në nji dhomë paraburgimi me Sami Repishtin, nji herë kishte pasë thanë: “Kam nji mision ma tepër se të tjerët, sepse më duhet me ndezë dritën kudo, ku ajo të jetë shue”.
E si këta, sa e sa të tjerë, që vazhdojshin të paguejshin aty patriotizmin, trimninë, besnikninë, apo intelektualizmin e tyne.
Do t’u ndodhshim në kamp, kur të ndigjojshim se Patër Pali, kishte vdekë në dhomën e të sëmurëve e se sytë, për s’dekni, ia kishin ngranë mijtë në birucë. Do të ndigjojshim gjithashtu se, si në dhomën e të sëmurëve me turbekuloz, kishin pasë vdekë njeni mbas tjetrit, Ndue Fusha, Rexhep Bërdica e Nush Simoni. Vdekë kishin edhe disa të tjerë, përgjithësisht nga malet e rrethet tjera, që unë s’i kisha njohë.
Kampi këtej Peqinit
Kampi ku na dërguen kësaj radhe, ishte vendosë tre-katër kilometër, pa hyë në qytetin e Peqinit, për anë linjës hekurudhore. Treni i pasagjerëve që kalonte për në Elbasan e, që rregullisht u ndiqte me sy prej të burgosunve, do t’u quente prej tyne “harap”, e do të ishte ai që ata të burgosun t’i orientonte lidhun me kohën, kur u dinte se ai kalonte në nji kohë pak para drekës. – “Erdhi harapi”, do të thojshin si me gëzim të burgosunit, porsa ai t’u shfaqte diku larg, ose të pyetshin njeni-tjetrin; “A ka kalue harapi”? – kur s’dijshin se ç’kohë duhet t’ishte.
Koha kur u ndodhsha në këtë kamp, për mue do të shënonte tre vjet e gjysë burg, nga shtatë që isha dënue, dhe kampin e tretë, ndër katërmbëdhjetë, që do të rregjistrojsha gjithësejt. Lidhun me kampet, shumë pak mbetet për të përshkrue, mbasi ata përgjithësisht, përjashtue Bedenin, kanë qenë të ngjashëm mes tyne, si lidhun me trajtimin nga ana e komandës, ashtu edhe si vuejtje për të burgosunit, që vazhdimisht do t’ishin të detyruem me realizue norma të mëdha pune e, me vuejtë urinë, që si gjithnji, do të vazhdonte me ba “mrekullina”.
Në këtë kamp, shumicën e të burgosunve ordinerë do ta përbajshin njerëz që kishin qenë të punësuem në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si shitës, magazinierë, shoferë, llogaritarë e deri edhe revizorë, të cilët kishin abuzue me detyrën, prej nevojës për të ndihmue familjet dhe për ta justifikue mandej para nesh atë veprim të tyne negativ, me arsyetimin, se; “i kishin marrë nji shteti, i cili nga ana e tij, u kishte pasë grabitë gjithçka”. Mbrenda kësaj kategorie të burgosunish, ka pasë disa e disa, gë burgun e kampet t’i kalojshin me dinjitetin e nderin e qytetarëve të regulltë.
Tue mos u largue nga tema në vazhdim, unë do të veçojsha për të mirë, p.sh. Haki Tuzin e ma të riun Gjovalin Prekën, dy shokë tonë të mrekullueshëm, të lidhun në një farë mënyret qysh ma parë me “lëvizjen studenteske”, përmes disa shokëve të tyne studente. Hakiu dhe Gjovalini, ndonëse ishin dënue për parregullsi në punë, pra për faje ordinere, shpirtnisht e për nga qëndrimi, do t’ishin njiqind herë ma tepër politikë se ordinere, e se edhe vetë komunizmi nga ana e tij, si të tillë do t’i trajtonte: Hakisë, bashkë me jetën, do t’i vriste qysh herët edhe një talent të shquem që kishte pasë në të shkruem, kurse Gjovalinin, ta detyronte që nji ditë të coptohej për së gjalli, prej helikës së nji motobarke, teksa ai, tue tentue që të arratisej përmes lumit Buna, po zbriste msheftas përmbas cepit të bashit të saj, ndërkohë që disa ordinerë të tjerë, që qysh në ndeshjen e tyne të parë me vështirësitë e kampit, të kishin dhanë provat ma të këqia të padurimit, të cilët mbasi të bajshin kompromise të turpshme me ndërgjegje e tyne, që për nji racion buke, të jepshin gjanat ma me vlerë, që kishin.
Të kishte gjithashtu të tjerë, që të shiheshin me orë e orë rreth kazanave të kuzhinës, pa mungue edhe asi tjerësh ma të fundit, që të vidhshin shoku-shokun, në ndryshim të plotë me qëndrimin e të burgosurve politikë, ose edhe atyne ordinerë, si rasti i Haki Tuzit, Gjovalin Prekës e të tjerë, që vështirësitë e kampit, do t’i përballojshin vazhdimisht me dinjitet e, me nji frymë të naltë kolektive. Ndër të tjerë të burgosun ordinerë, me kujtohet nji ish-bashkënxanës me mue, në klasët e ulta të liceut, i cili qysh në ditët e para të kampit, për nji a dy racione buke, dha nji jorgan atllasi të kuq, që pak muej ma parë, ia kishte sjellë e shoqja në pajë të martesës.
Të burgosun ordinerë, do te ishin edhe shumë e shumë fshatarë, që nuk kishin mbrrijtë me shlye shtetin, nga detyrimet që kishin pasë ndaj tij. Lidhun me dënimet e të burgosunve politikë nga ana e komandës, për mos realizim të normës, rastet do t’ishin të ralla, sepse na përgjithësisht, si ma të rinj e të fortë, që ishim, shpeshherë mbasi të realizojshim normën për vete, me bel e kazma ndër krahë, do të kalojshim prej njenës brigadë në tjetrën, për t’u ardhë në ndihmë disa të njohunve tonë të pamundun, me qëllim që t’i ruejshim nga do ndëshkim fizik e moral, që mund t’u bahej.
Për komandant kampi kishim njifarë Kamber Halilit, me gradë kapiten e, që në kohë të Zogut kishte qenë xhandar -ose kapter xhandarmënie -, e para se vinte në këte kamp, drejtor burgu në Vlonë. Nga natyra nuk ishte i keq, përkundrazi, ai ishte i butë e frikacak. Atje në Ministri të Ndërtimit, – dega Bonifikime – ishte nj1 inxhinier shkodranë, prej të cilit ai do t’i sillte disa herë përshëndetje Kolë Kurtit. Të vinte për të qeshë, kur të shikojshe Kamber Halilin, se si ia transmetonte Kolës të falat prej mikut të tij, tue i pëshpëritë për së afermi e pa e shikue në fytyrë, nga frika se mos e shifshin të tjerët. Për komisar kishim njifarë Shyqyri Pojanit, prej katundeve të Korçës, nji djalë i squet ky e mjaft simpatik, si nga pamja ashtu edhe nga sjellja e që do të vazhdonte me u kujtue për të mir edhe mbrapa, nga të gjithë të burgosunit, pa përjashtim.
Si kuadër jo i randsishëm i komandës aty, do t’ ishte edhe nji oficer prej Puket, me emnin Isuf e, gradë nëntoger, i cili të shumtën e kohës e kalonte mbas nji Elez Rrustjet nga Iballja e Pukës, rreth të cilit u grumbullojshin edhe pukjanë të tjerë të burgosun. Kur t’u ndodhshim në nji kamp tjetër, do të ndigjojshim se ky Isufi, ishte arratisë në Jugosllavi e ma vonë, tue tentue me tërheqë me vete edhe familjen, kishte qenë vra në përpjekje me forcat e Sigurimit.
Në këtë kamp të Peqinit, kishim nji të burgosun ordiner prej katundeve tq Elbasanit me emnin Tahir, i cili kishte nji trup mjaft masiv e të paformë, e që ndoshta ishte njeriu ma i fuqishëm në atë kamp, me rreth dymijë të burgosun. U shtinte si budalla, por që fundi do ta tregonte se s’kishte qenë aspak i tillë.
Para Tahirit pat qenë nji jevg i shëndoshë e i fuqishëm, të cilin komanda për pak kohë na e kishte paraqite si model të njeriut, që me punën e tij të ndërgjegjshme, kërkonte t’i shlyente shtetit e shoqnisë, damin që i kishte pasë shkaktue me atë veprim që atë e kishte pasë futë në burg. Për nja nji muej, jevgu në fjalë, pat rast që nga nji si tribunë e improvizueme në kamp, ma se nji herë të na kishte ba thirrje e këshillue, që edhe na të ndiqshim shembullin e tij. Për fat të keq, ai jevg u dorëzue në krye të nji mueji, tue mos qenë ma i zoti as me ecë me hapin e të burgosurve të tjerë, kur të dilshim ose t’u kthejshim prej punës, e të hante edhe ndonjë shkop në shpinë, siç ndodhte zakonisht me ata të rreshtit të fundit.
Kështu mbas tij, edhe Tahiri do të punonte shumë e komanda do të na e nxirrte si model, tue thané se ai gjoja realizonte dy norma nè ditë. Komanda organizonte mbledhje me të burgosun e Tahiri, i porositun, ose me inisiativen e vet, do t’u ngrinte vazhdimisht, e me poza si prej budallai, do të na u drejtonte me fjalët: “E patë edhe ju punën time. Te punoni si unë e, ta tejkaloni normën, që sa ma parë të shkoni te familjet tuaja”! Kamber Halili, për ta inkurajue Tahirin, si edhe që ta shikojshim na, disa herë do t’i sillte bostan Tahirit, atje në vendin e punës.
Nji herë Tahirit, i qe ngritë shumë temperatura nga nji “i thatë” i madh që i pat dalë në shpinë, aq i madh ai i thatë, sa siç thojshin, me futë grushtin mbrendë. Mbasi Dr. Sadetini ia kishte pastrue nji ditë plagën prej qelbit të shumtë që kishte pasë mbledhë e mbasi edhe t’ia kishte mbushë atë me pambuk e ilaç, i kishte thanë Tahirit, se u donte të qëndronte tri ditë pushim, dhe Tahiri, gjoja i indinjuem, i ishte kthye doktorit: “Ti doktor, don me më lanë pa realizue normën”! – dhe ishte nisë për punë, tue turfullue si gjoja seriozisht.
Këto “filma” të Tahirit “budalla”, bijshin në vesh të të gjithë të burgosurve dhe asnji prej tyne, nuk e besonte që Tahiri t’ ishte fare budalla. Do të vinte nji ditë, kund mbas ma pak se dy muej kohë, që Tahiri t’mos vazhdonte me qenë ma i fortë dhe as me ba lojna. Edhe komanda, si të thuesh, ia kishte harrue emnin. Rasti e solli që me Tahirin, t’u njifsha ma për së afërmi dhe në nji ndër ato ditë, ai do të më thonte: “Ty Ahmet të besoj e, due me t’u hapë. Të gjithë më marrin për budalla, s’ka gja, unë ashtu du. Në qoftë se unë realizoj nji normë e gjysë ne ditë, normisti ka urdhën të me shkruej dy. Kështu unë deri tani, kam perfitue ‘X’ ditq. Unë ua hedh të gjithëve, se due të shkoj sa ma parë të kalamajt e, s’jam budalla”!
Këto m’i thonte Tahiri, kur edhe vazhdonte me qenë i fortë e i mburrun nga ana e komandës. Nji here tjetër, tue u kthye nga puna për në kamp, nëpër trasenë e hekurudhës së shtrueme me zhavorr, Tahiri qe kishte fillue të binte edhe nga forcat, do të më thonte: “I shikon këta gurë, Ahmet”? – për gurët e zhavorrit mbi trase – nga uria, më duken si kafshata buke, se te buka e kam mendjen ditë-natë”, për të vazhdue: “Mbrëmë gjithë natën nuk kam fjet nga uria”. Nji herë tjetër, më kishte thanë se nuk kishte fjet gjithë natën; “duke ngranë farë lule dielli, që i a kishte falë atë ditë nji shok i tij i burgosun”! Kur erdhi vjeshta, Tahiri plotësoi dënimin e duel.
Po a mos Tahiri qe drejtue për në Elbasan, për te shtëpia, ku nga nji ditë në tjetrën, po e pritshin me padurim grue e kalamaj? Jo, përkundrazi, ai do të merrte me atë rast rrugën për në Durrës, ku do të punonte si hamall porti, gjatë nji periudhë prej rreth dy-tri javësh, dhe me të hollat e fitueme atje, do të blinte ushqime për nji shok të anës së tij, që kishte lane aty në kamp me ne, e mbrapa t’u niste për Elbasan, ku e pritshin; siç thonte vete, kalamajtë.
Komanda e kampit, tue e dijte se ushqimi ishte shumë i pamjaftueshëm, qe lidhe me nji ndërmarrje që tregtonte prodhime bujqësore, e cila do të furnizonte përditë kampin me bostan, përkundrejt pagesës me lekë në dorë. Bostani u donte t’u ndante ndër brigada, kompani e skuadra, në mënyrë të barabarte. Herë mbas here, do të kishte fjalë se bostani nuk po u ndante me drejtësi dhe në nji kohë më patën detyrue që për brigadën tonë, atë bostan ta ndajsha unë.
E nëse unë kërkojsha që, si të thuesh, të ndajsha dyshë edhe gramin, nuk ishte e thanë, që mbas shpindet time, me qëllim ngacmimi, Gani Ymeri e Gjovalin Zezaj, t’mos kishin mshehë ndonji shalqi të vogël jashtë rregullit e drejtësisë, gja që mue vërtetë do të më shtynte me u folë me zemërim, ndërkohë që ata u kënaqshin tue qeshë, sepse në të vërtetë, nji bostan prej nji-dy kilogramë, as ngrente e as ulte gja, në sasinë e parashikueme për qindra të burgosun të nji brigade.
Mbaj mend se në brigadën tonë, kishim nji grup fshatarësh prej Elbasanit, të futun në burg se nuk kishin shlye detyrimet ndaj shtetit, të cilët ndonjiherë do të më thojshin: “Ti Ahmet, je si ata komunistët e parë që kemi pasë mbajtë ndër shtëpitë tona”! -“Jo, jo, unë s’jam si ata që ju patën futë thikën mbas shpindet”, – do t’iu përgjigisha unë tue qeshë, dhe ata do të vazhdojshin: “Jo, ashtu është, ne nuk po themi, po në fillim fjalët e punën e patën një, mandej bënë atë që bënë”.
Lidhun me bostanin, duhet sqarue se ndër kampe nuk ka ndodhë që t’u tretshin ndonjëherë lëkurat e tij, se po të mos i hante njeni, do t’i hante tjetri. Sa herë që distanca e frontit të punës nga kampi, t’u rriste shumë, edhe mbi tetë e nandë kilometër, kampet do të ndërrojshin vend. Kështu na mbas kampit të Peqinit, kaluem në atë me emnin Harizaj e, mbas tij në ata të Gosës së Madhe e Gosës së Vogël, të Luzit, Rrogozhinës, për t’u kthye edhe nji herë në njenën Gosë, për ndërtimin e nji kanali të gjatë prej betoni e, mandej në atë të Kavajës, e për të vazhdue me atë të Lekajve, – po të Kavajës – e me radhë, të Çengelajve të Peqinit, të Urës Vajgurore, në dimnin e 1953-shit, të Vlashukut të Beratit e, së fundi, në atë te Shtyllasit të Fierit, me tê cilin unë përfundimisht do të mbyllsha vargun e kampeve e, do t’u lirojsha.
Atje në kampin e Harizajt, mue më pat zanë nji dizenteri e fortë dhe kujtoj se i miri e plaku Dr. Sadetini, do t’u shqetësonte, për faktin se s’kishte me se të ma luftonte sëmundjen, veç me do “sulfaguanidina” të rëndomta e, nuk kishte mundësi as të më izolonte prej tjerëve, si ngjitëse dhe e rrezikshme që ishte ajo sëmundje! Vjeshta parakohe e me shina shumë, na pat zanë në kampin e Rrogozhinës dhe vetëm aty, për herë të parë në jetën time, unë do të shikojsha disa herë se si dallëndyshet e reja, prej të ftohtit të parakohshëm, u këputshin papritmas prej nalt e, bijshin nji copet të ngordhta për dhe.
Kampi i Kavajës
Gjatë ditëve të nandorit të vjetit 1951, na kishim dalë në kampin e Kavajes e, prej aty do t’u zgjatshim me hapje kanali deri jo shumë larg qytetit të Durrësit, shtëpitë e të cilit, tek i shikojshim nga distanca, do të na vijshin të mbështjella prej nji veli të hollë mjegulle e, shumë të ngjeshura mes tyne, e vetë qyteti, i vogël.
Festa zyrtare e 29 nandorit, na zu në atë kamp, me ç’rast qe ba edhe nji falje për disa të burgosun, pjesën ma të madhe të të cilëve, do ta përbajshin ata që për pak muej, ose edhe ditë, kishin për të plotesue dënimin. U liruen me atë rast edhe shokët tonë, si Remzi e Xhevat Quku, Ahmet Kopliku etj., dhe lidhun me këtë të fundit, ndoshta nuk do të jetë e tepërt të tregohet, andrra që unë pashë nji natë ma parë, të cilën në mëngjes do t’ia tregojsha Ahmetit:
“Pashe mbramë nji ëndërr, se ne të dyve na ndante nji lum me Gjovalinin”, për Gjovalin Zezajn e liruem me plotësim dënimi, dy muej ma parë -. Ti dole me kalue lumin e, u bashkove me Gjovalinin, kurse unë mbeta i vetëm këtej lumit, gja që me sa kuptoj unë, do të thotë që ti sot lirohesh”! Memorie.al Nga Ahmet Bushati