Eurodeputeti Eduard Kukan u ka bërë thirrje forcave politike në Shqipëri që të arrijnë një marrëveshje politike për të organizuar zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme në vend. Në një takim me një grup gazetarësh shqiptarë, eurodeputeti Eduard Kukan ka shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar politike në Shqipëri. “Zgjedhjet pa opozitën është diçka e keqe për të gjithë”, është shprehur Kukan.
I pyetur në lidhje me mënyrat që duhen gjetur për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike, Kukan tha se e vetmja mënyrë do të ishte nisja e dialogut mes palëve ndaj dhe ai bëri thirrje për dialog mes palëve deri në krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në këto rrethana është shumë e vështirë të japësh receta se si të zgjidhet situata, pasi të gjithë e dimë se është shumë serioze, tepër e komplikuar. E vetmja pjesë e këshillës sime me përulje do të ishte që të vijojnë të tentojnë për të zgjidhur gjërat politikisht, duke u takuar e duke biseduar, në kuptim të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo është e vetmja gjë që mund të them në këtë kuadër”, shprehet eurodeputeti Kukan.
Ai është shprehur se nuk është në të mirë të Shqipërisë që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen pa praninë e opozitës, ndërsa theksoi rëndësinë për uljen e palëve në gjetjen e dialogut për të trajtuar krizën aktuale dhe gjetjen e zgjidhjes në shërbim të interesave të opinionit publik.
“Për të qenë shumë të qartë, mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri, as për partitë qeverisëse apo le të themi për fituesit e zgjedhjeve, as për ata që bojkotojnë zgjedhjet. Mendoj se ne kemi rregulla të qarta për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, OSBE po dërgon vëzhguesit e saj dhe kjo do të jetë e qartë. Por, e përsëris se do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri. Dialogu, mendoj se është e vetmja mënyrë për të trajtuar situatën aktuale dhe duhet të ketë një dialog politik kuptimplotë nga të dyja palët. Kuptimplotë do të thotë një dialog, që trajton realitetin politik në vend për të gjetur zgjidhjen që do t’i ndihmonte vendit, sepse shumë gjëra priten nga këto zgjedhje në Shqipëri, të cilat do të kenë tepër ndikim për të ardhmen e vendit sa i takon integrimit europian, por këto gjëra i kemi përsëritur kaq shumë herë”, shprehet europarlamentari Kukan.
Kukan ka bërë thirrje që forcat politike të arrijnë një marrëveshje dhe të dialogojnë për të zgjidhur këtë krizë. “Ne duam t’ju ndihmojmë prandaj duam lajme të mira nga rajoni, pasi në këtë mënyrë edhe në Parlamentin Europian jemi më të fortë. Zgjedhjet pa opozitë janë të këqija e dëmtojnë vendin. Ka edhe një mundësi teknike për t’u regjistruar në qoftë se dikush dëshiron. Ka akoma për të arritur dhe e vetmja mënyrë është dialogu”, tha eurodeputeti.
Eurodeputeti e cilësoi si “eksplozive” situatën në Shqipëri, ndërsa paralajmëroi se shumë gjëra janë në rrezik. Ai tha se ajo çfarë do të ndodhë në Kavajë më 7 maj është testi i asaj se si do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Unë mendoj se BE vijon të merret seriozisht me Shqipërinë, si Parlamenti Europian dhe e gjithë BE. Ju jeni një vend partner, një vend kandidat dhe ne po presim për hapin e radhës që do të jepte datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por, kjo nuk duket shumë optimiste me situatën ekzistuese, megjithëse ekziston vullneti, pasi ne duam ta kemi Shqipërinë. Shqipëria është vend shumë i rëndësishëm në rajon dhe roli i saj me fqinjët, shihet me mjaft pozitivitet, pra, vendi luan rol pozitiv në rajon dhe dua të përsëris se shumë gjëra janë në rrezik. Dua të jap gjithashtu dhe një mesazh për njerëzit në Shqipëri që të jenë të urtë, të qetë, të ruajnë nervat për mirë, pasi në këtë situatë, gjithçka mund të ndodhë. Është një situatë tepër eksplozive. Shpresoj se njerëzit nuk do të keqpërdoren politikisht, për ndonjë lloj manipulimi nga politikanët, është me rëndësi kjo dhe nënkuptoj për shembull, zgjedhjet lokale në Kavajë, më 7 maj, që do të jetë dhe një test se si do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme kur të vijë dita”, shprehet Kukan.
A.Shahini