Kukeli në Formacionin e Vitit

Vetëm një shqiptar në podiumin e më të mirëve të vitit në futbollin zviceran. Bëhet fjalë për Burim Kukelin, i cili u përfshi në skuadrën e ëndrrave të Challenge League, kategorinë e dytë helvete.
Mesfushori shqiptar u pozicionua në Formacionin më të Mirë, për paraqitjet me Zurich-un, aty ku prej vitesh është një titullar i padiskutueshëm dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm për skemat e skuadrës.
Në mënyrë surprizë mes 11 yjeve mungonte sulmuesi Armando Sadiku. Bomberi kuqezi, i cili ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga Federata zvicerane u penalizua nga operacioni në gju, që e mbajti për afro tre muaj jashtë fushave të lojës.
Asnjë lojtar i kombëtares shqiptare mes 11 më të mirëve të Superligës, ku i përjashtuari i madh ishte Taulant Xhaka. Mesfushori që fitoi titullin kampion për të katërtën herë në karrierë mbeti jashtë skuadrës së ëndrrave.
I vetmi i pranishëm ishte sulmuesi me origjinë shqiptare, por që përfaqëson Maqedoninë, Ezgjan Alioski për paraqitjet mjaft të mira në radhët e Luganos, aty ku në pjesën e mbetur të sezonit do të ketë si shok reparti pikërisht Sadikun, ndërsa në stol ish zv.trajnerin kuqezi, Paolo Tramezzani.

Exit mobile version