Kukës/ “Eshtë turp për ata që lypin vota në Surroj”, banorët të revoltuar: Rruga 30 vite pa asfalt, makinat u shkatërruan

Degradimi i rrugës që lidh fshatrat e Njësisë Administrative Surroj me qytetin e Kukësit prej më shumë se 30 vitesh e ka vështirësuar jetesën e banorëve ç’ka solli dhe braktisjen e zonës. Rruga rurale 14 kilometra Kukës-Surroj sipas tyre kalohet me vështirësi për shkak të gropave dhe terrenit malor.

“Nga Kukësi në Surroj rruga është katastrofë. Është vetëm, 14 km dhe bëhet për 1 orë e 30 minuta. Kanë ardhë këtu kanë mashtruar dhe nuk e kanë ba rrugën. Vijnë marrin votat dhe ikin. Rruga katastrofë! Krejt katunarët e mi kanë ik veç prej rrugës. Tani është koha e fushatës dhe ja ku po a them publikisht është turpi më i madh për ata që vijnë të lypin vota në Surroj. Se na kanë mashtruar 30 vite. Rruga është katastrofë. Kam pagu 500 mijë lek taksa dhe tani 600 mijë lek në servis se vec prej rrugës është shkatërru makina. Kjo është skandaloze”, tha një banor.

Përmes kësaj rruge, me Kukësin lidhen dhe fshatrat Mamëz dhe Myç-Mamëz, ndërkohë që sipas banorëve edhe pse është miratuar fondi tre muaj më parë, deri më tani nuk ka nisur punimet. Banorët e fshatit Mamëz në Njësinë Administrative Kolsh ankohen prej vitesh kompanitë minerare që kanë marrë leje koncesionare për shfrytëzimin në sipërfaqe të nikel-silikateve kanë ndikuar në degradimin e rrugës.

“Këtu në fshatin Mamëz s’ka më keq. Ka 30 e ca vite që ndryshoi sistemi dhe nuk u ba rruga. Na ka rrejt Pandeli Majko, se kerkoi vota për PS-së por rrugën nuk e bëri. Na thanë është miratu fondi në dhjetor, por punime këtu s’ka. Në Mamëz kanë qenë mbjellë 2 mijë dynym, tashi nuk gjen 1 metër tokë të mbjellë. Janë 101 shtëpi këtu, por këtu s’ka njerëz. Kanë ik veç prej rrugës”, tha një tjetër banor.

Artikulli paraprakGjermania dhe e ardhmja e sigurisë evropiane
Artikulli tjetërRestaurimi i Kullës së Sulejman Vokshit, monument i trashëgimisë kulturore