Nga Flamur HOXHA
Dëgjohet lart e poshtë, dje e sot si një refren i mërzitshëm shprehja: Kukësi është i varfër. Kam kuptuar se në thelb kjo është një parullë dhe sikur të gjithë jemi pajtuar me këtë parullë fyese.
Më ka munduar gjithmonë kjo gjë, ky përcaktim, kjo etiketë që ia kanë vendosur Kukësit. Por duke ditur më shumë gjëra, duke qenë i bindur se Kukësi nuk është i varfër por është i vjedhur, i grabitur me ligj, unë vendosa të shprehem. Dhe që në krye ta deklaroj se heqja e kësaj etikete ndaj Kukësit do të jetë misioni im si deputet. Unë nuk do të jem deputet për emërime, nuk do të jem shefi i zyrës së punës, unë do të synoj të bëj diçka që të mbetet shenjë e përhershme për vendlindjen time, për Qarkun e Kukësit.
Si deputet do të loboj në parlament, në qeveri, në institucionet e Bashkimit Europian, do të mbledh gjithë të dhënat shkencore se sa e çfarë i jep Kukësi Shqipërisë dhe çfarë merr si kompensim e shpërblim për çfarë jep dhe do ta sensibilizoj gjithë politikën në vend e jashtë vendit që qarku i Kukësit të marrë atë që i takon. Pastaj kush të dojë ta ngatërrojë përbuzjen qeveritare ndaj Kukësit me varfërinë e Kukësit.
Do të mbledh në një takim të zgjeruar gjithë politikanët me emër të qarkut Kukës, gjithë biznesmenët kuksianë të njohur në vend e jashtë vendit, gjithë gazetarët e njerzit e penës e mendjes që janë nga qarku i Kukësit, e janë jo të paktë, gjithë shkrimtarët nga ky qark dhe të hartojmë platformën e duhur se si të ndryshohet gjendja ku rajonet më të pasura që i japin tonin ekonomisë kombëtare si rajoni i Kukësit, të mos tregohen me gisht si rajoni më i varfër e i përbuzur siç e trajtojnë Kukësin, por të fitojnë nga pasuritë që ka rajoni i tyre.
A ëshët i varfër Kukësi apo jo. Askush asnjëhere nuk ia ka matur saktë varfërinë, pasurinë, kapacitetin Kukësit e kuksianëve, hasjanëve e tropojanëve, por ia kanë matur varfërinë me ato indikatorë që ka dashur qeveria për ta shpallur patjetër të varfër.
Dikush pa djallëzi e dikush me ligësi kanë vendosë ta quajnë gjithmonë Kukësin të varfër, ta tregojnë me gisht si zonën më të varfër, ta tregojnë si vend për mëshirë.
I ka interesuar gjithmonë diktaturës komuniste ta quante Kukësin të largët, të vështirë, të varfër, të pazhvilluar dhe ashtu ka bërë politika që ta lërë si vend të botës së tretë, të braktisur.
Edhe në tri dekadat e pluralizmit sikur është rënë dakort për një marrëveshje që të gjithë ta quajnë Kukësin të varfër.
Është pompuar me mjeshtri regjizoriale që Kukësi të tregohet si kampion i varferisë, mjerimit, lincimit, përbuzjes. Aty ka varfëri ka cdo të keqe, pritet cdo gjë e keqe bazuar në atë shprehjen fukarallek e maskarallek.
Edhe pushtetarëve e politikanëve vendas lokal ose jo lokal sikur u ka interesuar dhe janë pajtuar që Kukësin ta quajnë të varfër, sikur janë pajtuar me lëmoshën e kërkimin e lëmoshës e mëshirës, duke besuar se po u bëjnë mirë njerzve të Kukësit dhe po shënohen si politikanë që bënë diçka për komunitetin e Kukësit. Kështu gjithmonë u ka interesuar qeverive dhe mediave që ta kenë një vend që e tregojnë me gisht.
Por Kukësi as ka qenë as nuk është i varfër, por gjithmonë i grabitur e i vjedhur edhe me ligje e vendime.
Në kohën e komunizmit është e njohur se bakri që prodhohej në Gjegjan të Kukësit ka mbuluar mbi 60 përqind të prodhimit kombetar të bakrit për 30 vjet.
Është i njohur fakti se gjithe trarët e lisit të shtruara per shinat e hekurudhave që janë ndërtuar në Shqipëri janë gjatë komunizmit janë marrë në Has, diku mbi 100 mijë metër kub trarë. Rajoni i Kukësit ka qenë ndër rajonet me më shumë krerë bagëti dhe ushqente me mish e produkte blegtorale të cilësisë së lartë qytetet e vendit dhe udhëheqjen.
Në rajonin e Kukësit është hidrocentrali i Fierzës burimi kryesor i energjisë elektrike në vend; nëpër rajonin e Kukësit kalon Rruga e Kombit, në rajonin e Kukësit janë tri dogana, në rajonin e Kukësit janë mbi 35 hidrocentrale private, janë mbi 35 miniera private, ne rajonin e Kukësit është pasuria më e madhe ujore e vendit.
Po për të gjitha këto pasuri Kukësi tregohet me gisht se është i varfër sepse këto pasuri ia grabisin Kukësit e kuksianëve pa u dhënë asgjë në këmbim por u japin përbuzje, i tallin duke i treguar me gisht se jeni të varfër dhe ndonjëherë bëjnë edhe eksperimente turpi, çojnë ndihma të skaduara për banorët e varfër të Kukësit dhe mbushin edhe gazetat e Europës nga OJF që fitojnë projekte me zhdukë varfërinë e Kukësit…
Asgjë nuk fiton komuniteti i Kukëksit nga gjithë këto pasuri që përmenda. Energjia prodhohet këtu dhe kuksiani ose nuk ka energji dhe nuk e merr me çmim më të lirë, kjo të paktën duhej të ndodhte domosdo.
Asnje taksë për komunitetin nuk paguajnë minierat që i marrin mineralet në Kukës, asnjë taksë nuk paguajnë për komunitetin hidrocentralet që prodhojne enegji elektrike me pasurite ujore të këtij komuniteti kuksian. Asnjë taksë nuk jepet per komunitetin nga tri doganat e rajonit të Kukësit, asnjë takse për komunitetin nuk jep Fierza gjigandi i energjisë elektrike, asnjë taksë për komunitetin nuk jepet nga Rruga e Kombit.
Rajonet bregdetare të vendit fitojnë nga deti, banorët atje fitojnë nga deti, po banorët e rajoneve ku janë lumejtë, pyjet, mineralet, pse të mos fitojnë…
Kam besuar gjithmonë se është një hakmarrje ndaj Kukësit që duan ta tregojnë me gisht si të varfër e të prapambetur. Disa qeveritarë nuk arrijnë ta kuptojnë asnjëherë këtë gjë. Besoj se përveç politikës vendase që e quan zhvillim nëse vjen ndonjë kamion me ndihma, me sheqer, oriz, vaj e makarona, dikujt larg e lart u intereson ta lënë në ndëshkim Kukësin si vend me etikëtë, – i varfër. Që do të thotë në një vend të varfër nuk ka zhvillim, nuk ka potenciale, nuk ka prespektivë, nuk ka reagim e kundershtim ndaj gjendjes…
Kukësi i vetmi qytet i botës kandidat për çmimin Nobel të paqes, i vetmi qytet apo qënder ne bote qe nga 25 mijë banorë u bë me 125 mijë banore në pranverë 1999. Me nje histori të lavdishme qëndrese kundër të huajve. Kukësin e kanë quajtur Termopile se u bëri qëndresë serbëve, në 1912 kur u ngrit flamuri i pavarësisë në Vlorë, Kukësin e ka masakruar për hakmarrje Serbia si askënd në vendin tonë…
Pak po të vëzhgosh nëpër Kukës do të thuash, po si mund të jete i varfer nje vend që ka makinat me të mira për frymë popullsie në Shqiperi.
Si mund të jetë i varfër për bukë goje, për vaj e sapun, një vend që ka emrigracion të lartë në Angli e Gjermani dhe ku ende lidhja e familjes është e shenjtë dhe fëmijet në emigrim mbajnë familjet në qarkun Kukës.
Kukësi ka patur gjatë diktaturës më shumë fuqi punëtore në industri se çdo vend tjetër në Shqipëri për frymë popullsie.
Sot fshihet pasuria, sot nuk matet pasuria, sot u intereson përfituesve dhe politikane naivë që të mbajnë mendjen tek ndihmat dhe ta mësojnë kuksianin të jetë viktimë që duhet ta pranojë fatin e viktimës e të shtrijë duart e mëshirës për me lypë e t’i jetë mirënjohës qeverisë që po e mban gjallë.
Qarku i Kukësit nuk është i varfer se nuk mund të jetë i varfër një vend apo rajon që nxjerr figura e përsonalitete me ndikim e rrezatim të madh në gjithë vendin për frymë popullsie. Pra një vend me kaq shumë personalitete të mendjes për frymë popullsie në raport me rajonet e tjera nuk mund te jetë i varfër. Kujtoni biznesmenet kuksianë, hasjanë e tropojanë sot liderë në shumë fusha të veprimtarive ekonomike te vendit që njihen kudo dhe nuk ka nevojë t’i përmendësh emrat sepse edhe ata janë treguar fisnikë dhe janë pohuar si kuksianë, hasjanë e tropojanë kudo.
Një vend që nxjerr politikanë me emer, biznesmenë me emër, gazetarë, shkrimtarë e figura të fushave të ndryshme me emër e jehonë nuk është i varfër se mitra e varfërisë nuk prodhon figura të tilla ndikuese.
Kukësi është rajoni më antikomunist në Shqipëri, për arsyen e thjeshtë, – një nga antikomunistet më të spikatur të Shqipërisë, Muharrem Bajrajktari ka qëndrur në Kukës deri në gusht 1946 kur në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka ndodhë një gjë e tillë që të tregojë rezistencë ndaj komunizmit kaq gjatë. Kjo është pasuri kjo nuk është varfëri…
I përmenda këto të fundit jo për të mburrë Kukësin, por për tu thënë të gjithëve se Kukësi nuk është i varfër por është rajoni më i përbuzur politikisht me qëllim, është rajoni i lënë më qellim për ta treguar me gisht, është rajoni që e grabisin sistematikisht të gjitha qeveritë dhe në këmbim e tregojnë me gisht si etalonin e varfërisë.
Unë do ta bëj luftën time që të ndalohet grabitja e Kukësit siç ndodh sot pa e shpërblyer komunitetin për pasurine që e ka. Kjo do të jetë beteja ime politike, ky do të jetë basti im i madh, premtimi im i madh para banorëve të Qarkut të Kukësit. Do të vihem në ballë të banorëve të qarkut Kukës dhe do të luftojmë me të gjithë mjetet e mënyrat demokratike deri në fund që këta banorë të përfitojnë nga pasuritë e vendit të tyre, nga resurset e vendit të tyre ashtu siç përfitojnë kudo në Europë. Këtë do ta sensibilizojmë fuqishëm në Bashkimin Europian që të ndikojë në eleminimin e kësaj padrejtësie.
Kudo në Europe në rajonet që kanë resurse si rajoni i Kukësit, janë më të pasura familjet, njerzit dhe standarti është më i lartë. Kukësi nuk ka pse të jetë ndryshe në një Shqipëri si Europa.