Çaste emocionuese në Kuvendin Kombëtar të PD. Një nga delegatë dhe përfaqësesit e Kukësit ka çuar peshë Kuvendin Kombëtar të PD duke treguar momentet e përballjes së qytetarëve të Kukësit me forcat e policisë kundër taksës në Rrugën e Kombit. “Me maska e automatikë na kanë arestuar në mes të natës. Kur po vija nga Kukësi në Tiranë pashë disa punëtorë që po punonin sërish tek kabinat e taksës. Unë po i them Ramës se ne përsëri do të ngrihemi dhe përsëri do ta shembin”, tha Popa, një nga qytetarët që përshëndeti Kuvendin Kombëtar.
“Ne dolëm me të gjithë kuksianët që të protestojmë kundër taksës së Rrugës së Kombit, – tha Popa. – Ne kuksianët e kemi pritur me padurim që të hapet ajo rrugë, që quhet Rruga e Kombit. Pse? Të lidhet veriu me jugun e jugu me veriun, Kosova me Shqipërinë dhe Shqipëria me Kosovën dhe jo të na vihet një taksë që ne nuk jemi në gjendje ta përballojmë.
Me gjithë mend që shteti ka nevojë edhe për taksa, por ama duhet ta dije dhe sa mundësi kemi në ta përballojmë si shqiptarë, sa jemi të aftë ta përballojmë. Dolëm aty, protestuam, kërkuam të drejtat tona e pavarësisht se u provokuam nga forcat policore, ikëm në shtëpi.
Në ora 12 të natës, 2, 3….shqyen dyert ata me maska, me automatikë. Isha me djalin dhe nusen e djalit…Hapën dyert vijnë brenda sikur të isha kriminel dhe jo baba i katër fëmijëve. U çudita: a jam në shtëpinë time a ku jam?! Këtë e kam shprehur dhe në sallën e gjyqit: Edhe Milosheviçi nuk ua ka bërë shqiptarëve në këtë lloj forme.
Edhe sot kur po vija nga Kukësi, shikoj se po bëheshin punime prapë aty.
I bëj thirrje kryeministrit. Janë katër vëllezër kuksianë…të lirohen në vend, janë bij nënash dhe babash. Janë me fëmijë, janë për një qëllim…
Dhe kur po vija sot nga Kukësi, për këtu, po shikoja se po bëhen prapë punime aty. Të vijë e të ulet aty me ne, të diskutojë aty me ne se prapë ne kemi me u ngrit, kundër kësaj takse!”
Deputeti i Kukësit, Noka kërkoi që të mbahet ndezur pishtari i ndezur në Kukës me qëllim për të rrëzuar murin që Rama ka ngritur me Shqiptarët. “Eshtë muri i krimit dhe korrupsionit që duhet shembur në mënyrë që të shqiptartë të jetojnë të lirë”, tha Noka.
Jorida Tabaku, deputete e PD-së, tha se kjo është forca më e dashur për të gjithë shqiptarët. Tabaku tha se jemi forca që kemi hedhur themelet për të ngritur ekonominë pas diktaturës, por sot nuk kemi më kohë.
“Sot 67 mijë biznese janë mbyllur, 67 mijë familje kanë mbetur pa punë, mbi 200 mijë shqiptarë kanë ikur dhe unë jam e bindur se ata po ikin se kanë mbetur pa punë, pa të ardhme”, tha Tabaku, duke folur në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Ajo u shpreh se ne besojmë se vendosja e TVSH për bizneset e vogla do të thellojë informalitetin.
“Pa sipërmarrjen e lirë, pa biznesin e vogël, shoqëria do të jetë gjithmonë e më e varfër. Ka ardhur koha që besimin duhet të na i japë biznesi, pasi taksat e ulëta dhe qeveritarët më të përgjegjshëm, do të krijojnë një klimë biznesi më të mirë”, tha Tabaku.
Në vijim ajo tha se ka vetëm një rrugë për t’iu larguar gjendjes që jemi, nuk është rruga e emigrimit, por duke punuar që sot për të bërë më të mirën për vendin dhe shqiptarët.