Nga Rigels Seliman
Unaza e Madhe e Tiranës, një segment i gjatë 29 kilometrash, një projekt që ka kushtuar miliona euro dhe është konsideruar si një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e kryeqytetit, u inagurua. Por, ndërsa rrugët lidhen, duket se lidhjet mes drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste po shkëputen gjithnjë e më shumë. Unaza e Madhe e Tiranës u hap pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj, dhe kjo mungesë nuk është thjesht një detaj teknik. Ajo është një pasqyrë e qartë e tensioneve të brendshme në PS dhe e një lufte klanesh që po shfaqet gjithnjë e më hapur.
Erion Veliaj, nga lider shpresëdhënës te “dele e zezë”
Prej tre mandatesh në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është prezantuar si fytyra urbane dhe progresive e Partisë Socialiste. Po ashtu ai është parë si një politikan që përpiqet të ndërtojë një narrativë të suksesit për kryeqytetin, shpeshherë me retorikë entuziaste dhe projekte ambicioze. Por, në sytë e Edi Ramës dhe të rivalëve të tij brenda partisë, kjo karrierë nuk është më një aset, por një kërcënim. Veliaj shihet si një figurë që po fiton pavarësi të rrezikshme dhe si një rival i mundshëm për kreun e partisë.
Në inaugurimin e Unazës së Madhe, fakti që Rama dhe Balluku shmangën kryetarin e Bashkisë së Tiranës është një sinjal i qartë i zhvendosjes së ekuilibrave të pushtetit. Nuk pati as falënderime formale për Veliajn, i cili, dashur pa dashur, ka pasur rolin e tij si administrator i qytetit në realizimin e këtij projekti.
Përplasja e hapur mes klaneve brenda PS
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Transporteve, Belinda Balluku, duket se po forcon pozitat e saj brenda PS-së dhe po ngjit shkallët drejt majës. Ajo çdo ditë po tregon se ka mbështetjen e plotë të kryeministrit Edi Rama dhe është kthyer në një figurë kyçe në projektet madhore të qeverisë. Komentet e saj triumfale për inaugurimin e Unazës së Madhe lënë në hije Veliajn dhe e vendosin atë si një zëvendësuese potenciale të tij në rolin e liderit të ardhshëm të Tiranës, ose edhe më gjerë, të Partisë Socialiste.
“Ja dolëm,” shkroi Balluku në rrjetet sociale, duke shpërndarë mesazhe krenarie për një projekt të realizuar nën drejtimin e saj dhe të qeverisë qendrore. Por në këtë narrativë, kryebashkiaku i Tiranës nuk ka vend. Përplasja mes klanit të Ballukut dhe atij të Veliajt ka dalë nga llogoret dhe po luhet haptazi në shesh, madje nën dritë e diellit. Të dyja palët kanë nxjerrë “shpatat nga këllëfi” dhe janë gati të luftojnë për të marrë kontrollin mbi PS-në në periudhën pas Ramës.
Edi Rama, një kryeministër që ruan kontrollin, por me çfarë çmimi?!)
Kryeministri Edi Rama, i cili njëherësh është edhe kryetar i Partisë Socialiste, por edhe mjeshtër i balancave dhe i lojërave politike, duket se po përpiqet të neutralizojë çdo kërcënim për autoritetin e tij. Veliaj, me popullaritetin e tij në rritje, është kthyer në një figurë të pakontrollueshme, një kandidat që mund të sfidojë jo vetëm Ramën, por edhe trashëgimtarët e tij të preferuar.
Vendimi për të inauguruar Unazën e Madhe të Tiranës pa praninë e Veliajt është më shumë se simbolik. Është një mesazh i hapur për të gjithë ata që synojnë të sfidojnë hierarkinë brenda PS-së, se loja e pushtetit nuk do të tolerojë devijime.
A është ky fillimi i fundit për Erion Veliajn?
Me një histori politike të mbushur me rivalitete, tradhti dhe përplasje mes klaneve, Partia Socialiste ndodhet përballë një konflikti që mund të ketë pasoja të rënda për unitetin e saj. Përplasja mes klanit Veliaj dhe klanit Balluku nuk është më një sekret. Pyetjet që ngrihen janë: Kush do të fitojë në këtë betejë për pushtet? Dhe çfarë do të ndodhë me PS-në kur armët të bien dhe pluhuri të qetësohet? A do të shohim një Veliaj që largohet nga skena politike, apo do të jetë ai që do të triumfojë mbi rivalët e tij? Dhe, mbi të gjitha, cili është plani i Ramës? Megjithatë një gjë është e qartë: Unaza e Madhe e Tiranës nuk është thjesht një projekt infrastrukture. Ajo është skena e një “lufte” politike që sapo ka nisur.