Sali BERISHA
Në morinë e çështjeve, të ligjeve dhe vendimeve, vendin më kryesor e kanë dhe duhet ta kenë ato që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, çështjen e sigurisë së njerëzve. Në këtë kontekst, problemet madhore të dala në skenë muajin dhe ditët e fundit zbehin dhe bëjnë të parëndësishme shumë e shumë çështje të tjera. Sot, nga të katër anët e botës, mediat më të mëdha dhe më serioze ndërkombëtare po denoncojnë atë që në politologji njihet si narkoshtet. Të parin e këtij lloji e ndërtoi Manuel Noriega në Panama, të dytin e ndërtoi pas 30 vjetësh Edi Rama, në zemër të Europës, në Shqipëri.
Opozita bëri shumë për të denoncuar, për të parandaluar instalimin e narkoshtetit në Shqipëri, por natyrisht, arkitekti i narkoshtetit Edi Rama filloi betejën për shndërrimin e Shqipërisë në shtetin e drogës, që kur ishte në opozitë, duke nxjerrë nga burgu dhe amnistuar një grua të moshuar që kishte marrë përsipër drogën e të birit. E vazhdoi dhe në vitin 2016, arriti që në këtë vend, falë kësaj politike të mbillen, sipas filmimeve italiane, 219 mijë ha kanabis, statistika të tjera thonë se janë 8 milionë.
Po narkoshteti doli në pah me gjithë shëmtinë e tij, ndonëse i denoncuar në këtë aulë, në selinë e PD me dhjetëra e qindra herë. Nga dosja e prokurorit të Antimafies së Italisë, në të cilën ai faktoi se ministri i Brendshëm, njeriu i ngarkuar me luftën kundër drogës dhe trafiqeve, ishte promotor kryesor i trafiqeve dhe drogës në Shqipëri.
Prokuroria e Antimafias faktoi se ministri i Brendshëm ishte promotor kryesor i trafikut të drogës.
Dosja italiane nuk e citonte Edi Ramën, me gjithë dëshirën që kisha, por Edi Ramën e citoi vetë Edi Rama, Edi Ramën e akuzoi vetë Edi Rama kur u bë parzmore e atij që shteti dhe Kushtetuta i kishte ngarkuar luftën kundër trafiqeve dhe bënte vetë trafiqet, e atij që u shndërrua në strumbullar kryesor të instalimit të narkoshtetit në Shqipëri.
Edi Rama, për shkak të hipotekës dhe dosjeve të tij të rënda u dorëzua para Saimir Tahirit dhe u detyroi ju të bllokoni drejtësinë, në një akt që s’ka ndodhur kurrë në 27 vite në këtë Parlament.
Pas këtij, paralajmëruam se miku i ngushtë i udhëheqjes socialiste, kryetrafikanti i Ballkanit, i quajturi Eskobari i Ballkanit kishte bërë deponime nëpërmjet avokatit. Jo vetëm që kishte dorëzuar filmat e orgjive të atij, por ai, i rekrutuar po nga Saimir Tahiri dhe Habilajt, dëshmoi të gjitha lidhjet e Ramës, ministrave të tij, Haki drogës etj., me drogën dhe trafiqet.
Lajmet nga Greqia bëjnë me dije se, në krye nuk është Tahiri, por dhe njerëz të afërt të Edi Ramës. Ata, për politesë nuk thonë vetë Edi Rama, por e thonë indirekt vetë Edi Rama. Kush janë njerëzit më të afërt të Edi Ramës?! Tre janë.
Gramoz Ruçi. Nuk kam të dhëna, përveç se duhet të qartësohet djegia e kullës së Qerem Bracit, por nuk kam të dhëna se djegia e kësaj kulle ka lidhje me Habilajt apo me Balilin, mundet, por nuk e them dot.
I dyti, më i afërt është Don Agacio, kumbara që lidh Ndragetën me qeverinë. E kam denoncuar me dhjetëra herë don Agaçion, por në këtë rast nuk kam të dhëna.
I treti, është Olsi Rama. Po pse është Olsi Rama? Le të sqarojmë një moment. Pse u ndoq Klement Balili dhe u shpall Eskobari i Ballkanit? U shpall Eskobari i Ballkanit, sepse Klement Balili bënte shkëmbimet e mëdha kanabis-kokainë. Ai ishte pikëmbështetja më e madhe e transaksioneve kanabis-kokainë në Ballkan. Olsi Rama me grupin e tij nga Bostoni është autori kryesor i dramës shqiptare, që i nxorri shqiptarët në konsumatorët kryesorë të kokainës dhe kanabisit në Europë dhe në botë.
Unë ju them ju se jeni të pashpresë, është i pashpresë. Rrethi i kuq po i ngushtohet Noriegës çdo ditë e më shumë. Dosja e Xibrakës i qëndron si shpata e Demokleut mbi qafën e tij, sepse është i zhytur dhe me çizme në atë dosje dhe dosje të tjera.
Është koha e fundit të arsyetoni dhe reflektoni. Sa i takon ligjit, po e shtyni vetëm për një arsye; keni vjedhur 4 vjet 15 mijë ha tokë, do vidhni dhe 15 ha të tjera, vazhdoni vidhni tokat e shqiptarëve.