Kumbaro fshehu letrën e UNESCO-s për mbulimin e masakrës së Butrintit

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka mbajtur të fshehtë një letër të UNESCO-s, ku institucioni ndërkombëtar i kërkonte asaj në mënyrë eksplicite të ndalte menjëherë çdo punim dhe ndërhyrje ne Butrint. Letra e mbërritur nga UNESCO është dërguar për autoritetet shqiptare më datën 9 tetor dhe është bërë publike sot nga deputetja demokrate Albana Vokshi. Në letër UNESCO shpreh shqetësimin se nuk ishte njoftuar fare për ndërhyrjet dhe se ka mësuar për çfarë po ndodhte vetëm nga mediat. Më pas, UNESCO kërkon që t’i vihen në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare që kanë justifikuar këtë ndërhyrje. Në fund të letrës drejtuesja e UNESCO-s, Mechtild Rossler shkruan: “Për t’u siguruar se do të mbrohen vlerat universale të Butrintit, do ju kërkoja me dashamirësi që autoritetet kompetente të ndërpresin menjëherë çdo punim deri në rishikimin profesional të projektit nga ana e bordit drejtues të ICOMOS-UNESCO. Ministrja Kumbaro më herët ka deklaruar se kishte njoftuar UNESCO-n për punimet që do kryheshin dhe se i kishte vendosur në dispozicion të gjithë projektin paraprakisht. Por e-maili i zbuluar sot, tregon se UNESCO është alarmuar, kur ka mësuar nga mediat mbi punimet. Ministria ka ofruar dokumentacionin vetëm, pasi UNESCO është ankuar me letër zyrtare. Në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik, që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit. Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit. Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në këtë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Ndërtimi i lokalit në Butrint është kundërshtuar edhe nga këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Sarandës. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pasi ka vënë në dukje anën skandaloze të vendimeve të Mirela Kumbaros për të ndërtuar një lokal në Parkun e Butrintit, njofton se do të njoftojë me një letër Sekretariatin e UNESCO-s.

Artikulli paraprakPSG-së i duhen 80 milionë
Artikulli tjetërHahn-Ramës: Keni deficite me drogën, ndalni refugjatët