Kumbaro manipulon transfertat, aferat me tenderat e Ministrisë për klientin e saj

Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës manipulon zërat e transfertave nga institucioni i saj, duke dhënë në shkelje të plotë të udhëzimeve që nxjerr vetë projekte te kompanitë e biznesit që nuk kanë asnjë lidhje me artin.
Portali “Shuplaka” ka zbuluar dje listën e pafund të projekteve që znj.Kumbaro i ka dhënë kompanisë së biznesit “Albania Experience” të biznesmenit Gazmend Haxhia, i njohur për pronësinë edhe të 8 kompanive të tjera.
Marrëdhënien e “frytshme” me këtë kompani, të cilën e ka fuqizuar shumë gjatë këtij viti, Kumbaro e ka nisur që në 2015-ën, duke i dhënë brenda ligjit shërbime biletash, të cilat, si me magji, u transferuan në projekte milionëshe, nën zërin “Të tjera transferta për institucionet jo-fitimprurëse”, ndërkohë që kompania është tërësisht fitimprurëse.
“Albania Experience” është kompani e mirëfilltë biznesi, funksionale, me statusin aktiv në QKR, duke mos patur asnjë lidhje me artin apo sportin.
“Shitje bileta avioni, trageti dhe treni në të gjitha destinacionet që menaxhojnë shoqëritë përkatëse, udhëtime turistike në të gjitha destinacionet turistike në Shqipëri dhe në botë, paketa turistike, Trekking, peshkim, gjueti, etj. Makina me qera, transport me automjete dhe me shoferë, asistencë profesionale për organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera në fushën e biznesit, kulturës, sportit etj. Pagesë e shërbimeve me para në dorë, me xhirim bankar, me kartë krediti etj. Reklama, pasuri e paluajtshme, marketing, tregti mallrash, shërbime konsulence, menaxhim hotelerie, shërbim këmbim parash. Agjent detar. Spedicioner. Organizim konferencash, eventesh. Printime, kancelari. Pajisje përkthimi, mikrofoni, përkthime. Shërbime Kateringu. Shitje librash dhe veprimtari të tjera që lidhen me librin”, ky është objekti i kësaj kompanie. A mund të ketë lidhje me artin kjo kompani me këtë objekt?!

Projektet e majme

Mbi 170 milionë lekë, Kumbaro i ka derdhur në llogarinë e kompanisë së biznesmenit për projektin e ‘Bienales së Artistëve” të Rinj nga Europa dhe Mesdheu. E ndarë në disa zëra, siç edhe paraqesin të dhënat e kërkuara lehtësisht në “Open Data”, për këtë projekt ministrja ka bërë edhe 2 transferta të tjera. 8 transferta të tjera janë bërë për projekte të paspecifikuara, ndërkohë që të tjera detaje dalin në pah.
Projekti “Argjiro Open dhe kampionati i 9 botëror i fluturave të lira”, mbi 27 milionë lekë të vjetra, për të cilin Alket Islami tha publikisht se qe një nga organizatorët ka kaluar pagesën nëpërmjet kompanisë së Haxhisë. Po kështu, kjo kompani ka realizuar edhe një konferencë kombëtare mbi “Trashëgiminë motor zhvillimi, UNESKO”, ku i është paguar në prill të këtij viti 60% e vlerës sipas kontratës.
Udhëzuesi i Kumbaros përcakton qartë, që jo vetëm kompanitë e biznesit nuk mund të marrin projekte, por edhe shoqatat përfituese nuk mund ta kalojnë pragun e 20 milionëshit për projekt. Vetëm shoqata ose individë mundet të fitojnë projekte në ministri.
Skandali thellohet edhe më shumë, kur shikon se në listën e projekteve fituese për 2017-ën, vit kur u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme me fushatën elektorale, “Albania Experience” nuk rezulton gjëkundi (Shiko Linkun e Ministrisë ku janë shpallur projektet fituese)

Kush është Gazmend Haxhia

Ortaku i vetëm i “Albania Experience” është Gazmend Haxhia që figuron në disa biznese të tjera si “ACMS”, “Albania Health and Safety Center”, “Albania Venture”, “Albanian Ventures Real Estate I”, “ASG”, “Noshi”, “Motown” etj.

Shuplaka

Artikulli paraprakQazim Sejdini, para dhe presion të aksidentuarit për t’i mbyllur gojën
Artikulli tjetërMasakra në Butrint, ministrja do të përgjigjet në Parlament