Kumbulla, djali i një muratori shqiptar që bëri Italinë të flasë për të

Një mur i lartë dhe i fortë përpara derës së Marco Silvestri. Është mbrojtja e Hellas Verona, e dyta e ndëshkuar më pak në Serie A për këtë edicion, pas asaj të Interit. E megjithatë, emrat në fjalë, sigurisht nuk janë ndër më të njohurit: Rrahamani, Gunter, Kumbulla, treshe e koordinuar mjaft mirë, që në 7 ndeshje kanë pësuar vetëm 5 gola.

Midis Gunter me përvojë dhe Rrahamanit të sprovuar në Koroaci e kombëtaren e Kosovës, po spikat shqiptari Marash Kumbulla, i cili me golin e së shtunës ndaj Sampdoria ka vendosur një rekord historik. Ai është mbrojtësi i parë, i lindur në vitin 2000, që shënon një gol në Serie A.

I lindur në Peschiera del Garda më 8 shkurt 2000, Kumbulla u rrit te të rinjtë verdheblu, ku e nisi futbollin që në moshën 8 vjeç. Me kalimin e viteve, në moshën 16-vjeçare, ai po stërvitej me “Primavera”. Disa muaj më vonë, Kumbulla ishte bërë një element i qëndrueshëm. Në Angli, lojtarët si ai i quajnë “hero vendas”. Dhe Kumbulla, që ka lindur në Itali prej prindërish shqiptarë, ka një pasaportë të dyfishtë. Ai është “birësuar” nga Verona, edhe pse u rrit disa kilometra larg qytetit. Vitin e kaluar bëri paraqitjen e parë dhe të vetme në ekipin e pare, që luante në Serie B. Këtë sezon, në Serie A, ka vendosur rekordin e papritur. Edhe Edoardo Reja e vuri re, duke e thirrur me kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020”, pa ia dhënë ende mundësinë e debutimit.

Sidoqoftë, babai i talentit verdheblu, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, nuk foli vetëm për mbrojtësin e datëlindjes 2000, por edhe familjen e tij. Këtu më poshtë janë deklaratat e tij kryesore: “Ne kemi shtatë fëmijë, pothuajse të gjithë jetojnë në Itali, vetëm një vajza ka mbetur në Shkodër. Kam mbërritur në Itali në vitin 1996, duke i paguar 1 milion lira kontrabandistit dhe duke rrezikuar jetën. Djali im as nuk e imagjinon dot atë që kalova. Unë dhe vëllai im, pasi mbërritëm këtu, filluam të punojmë si muratorë. Sot kemi kompani ndërtimi, në të cilën punojnë rreth 20 njerëz. Ne jemi të huaj në këtë vend, por punojmë me ndershmëri.

Pas nesh, por në një mënyrë më të lehtë, mbërritën rreth 60 të afërm të tjerë. Djali im ka të njëjtin emër si gjyshi, që nuk e ka njohur kurrë. Ai vdiq në moshën 49-vjeçare, gjatë një aksidenti me makinë. Shpresoj që Marash të bëhet kampion, ai ka kokën e duhur për t’u bërë i tillë. Nuk i trembet asgjëje, është shumë serioz në atë që bën, mbase më shumë se duhet. Ai hyri në dhomën e zhveshjes së Verona mjaft i ri, por ka fituar respektin e të gjithëve. Bashkëlojtarët dhe stafi teknik e duan fort, veçanërisht Rrahmani. Këtë verë, mes pishinës dhe palestrës, ai punoi shumë, kishte një qëllim në mendje.

Fusko donte ta çonte te Juventus U-23, por Verona nuk hoqi dorë. D’Amico më tha se ky do të ishte viti i tij. Agjenti i tij, Gianni Vitali, e ndjek më së miri. Marash ka tashmë një kontratë deri në vitin 2022 dhe “Nike” si sponsor. Gjithçka po ndryshon, madje edhe në gjërat e vogla. Për shembull, kërkesat për fanellat e tij janë rritur shumë kohët e fundit. Djali është tifoz i Milanit, është i fejuar prej 2 vitesh me Gretën. Ne kemi një restorant këtu, që është inauguruar në vitin 2012. Mamaja e Marash është ajo që i gatuan makaronat me domate, që aq shumë i pëlqejnë djalit futbollist”.

1173858315 0106 528x329 51295cc92335fd3f

Exit mobile version