Inter pati sërish nevojë për kohën shtesë për të eliminuar Bolognën në Kupën e Italisë. Skuadra zikaltër fitoi 3-2 pas 120 minutave lojë, duke shpërdoruar një epërsi të dyfishtë të krijuar në 40 minutat e para.
Ky gol i jashtëzakonshëm i Murillos u duk se ishte mënyra më spektakolare për të nisur rrugën drejt çerekfinaleve, që u dukën shumë pranë, kur Palacio dyfishoi shifrat në të 39-ën, pas një tjetër goli të bukur.
Interi megjithatë gaboi që e mendoi sfidën të mbyllur, pasi Bologna, e qetë në kampionat arriti të shkurtojë diferencën me Dzemailin. Ndërkohë, në pjesën e dytë formacioni Piolit nuk arriti të realizojë golin e sigurisë, duke i dhënë mundësinë Donsah që të barazonte rezultatin pas një goditje me kokë.
Koha e rregullt u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në fillimin e shtesës, Interi arriti të gjejë sërish epërsinë pas një goditjeje të Candrevës që u devijua te Marios Oikonomou. Me këtë fitore, Inter kualifikohet në çerekfinale ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Lazio-Genoa.