Kupa e Konfederatave, hidhet shorti, Rusia përballë Portugalisë

Është hedhur ditën e djeshme në qytetin e Kazanit në Rusi shorti i Kupës së Konfederatave “Rusi 2017”. Turneu që zhvillohet çdo 4 vjet, një vit para Kupës së Botës, në vendin organizator të Botërorit, ka përcaktuar ndarjen e 8 ekipeve pjesëmarrëse në 2 grupe.
Në Grupin A do të ketë një përballje europiane, teksa organizatorët e turneut, Rusia, do të përballen me kampionët në fuqi të Europës, Portugalinë. Bashkë me to në këtë grup do të jenë edhe kampionët e Oqeanisë, Zelanda e Re, si dhe kampionët e Amerikës Veriore dhe Qendrore, Meksika.
Ndërkohë në Grupin B, kampionët në fuqi të botës, Gjermania, do të kenë përballë kampionët e Amerikës së Jugut, Kilin. Kundërshtarët e tjerë në këtë grup do të jenë kampionët e Azisë, Australia, si dhe kampionët e Afrikës, të cilët do të përcaktohen në turneun Kupa e Kombeve Afrikane “Gabon 2017”, që do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndeshjet e Kupës së Konfederatave do të zhvillohen në verën e 2017-ës mes datave 17 qershor dhe 2 korrik.

Artikulli paraprakPlas çështja Manaj te Pescara
Artikulli tjetërDortmund i shëmtuar