Kuqezinjtë/ Berisha bie në “hierarki”, Veseli dhe Çekiçi janë ende pa skuadër

Etrit Berisha, tashmë në moshën 34-vjeçare nuk ka firmosur me asnjë ekip, edhe pse ka pasur interesim për të nga skuadra të Serisë B. Sezoni i fundit e pa portierin e Kombëtares tek Empoli, por rinovimi mungoi gjatë verës dhe kështu Etriti duhet të kërkonte një sistemim të ri, çka deri tani nuk ka ndodhur. Edhe në ekipin përfaqësues, kjo situatë favorizon Tomas Strakoshën i cili është ngjitur në “hierarki” dhe ka kaluar portieri i parë, ndërsa Berisha mungoi në grumbullimin e muajit shtator dhe nuk dihet nëse do të përfshihet nga Silvinjo për dy transfertat e radhës.

I dyti është Frederik Veseli. Vetëm 30-vjeç, por karriera e mbrojtësit nuk shkoi siç duhet në dy vitet e fundit. Largimi nga Italia dhe një eksperiencë një vjeçare në Turqi, tashmë Veseli ka mbetur pa një kontratë dhe pak kohë më parë ishte në kontakte me Dinamon në Superiore. Ai nuk është thirrur edhe nga Kombëtarja që përpara Europianit.

Një tjetër “kuqezi” është Endri Çekiçi. Njëmbëdhjetë ndeshje me Kombëtaren dhe një gol, po ashtu edhe me eksperiencë në Superligën turke, 27-vjeçari është sot një lojtar i lirë. Gjatë merkatos u përfol se ishte pranë disa skuadrave turke, por asnjë negociatë nuk u konkretizua në një kontratë të re për mesfushorin pogradecar.

Exit mobile version