Kuqezinjtë janë gati: Fitojmë me Izraelin

Kuqezinjtë protagonistë në futbollin italian zbarkuan në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, për ndeshjen e 12 nëntorit me Izraelin. Nga Etrit Berisha te Veseli, Memushaj e Berat Gjimshiti, kuqezinjtë që luajnë në Itali besojnë te fitorja përballë Izraelit. “Eshtë një mundësi e mirë për ne, po kalojmë një formë të mirë dhe kemi mundësi të bëjmë rezultat. Ata kanë një ekip shumë të mirë, cilësor dhe mjaft sulmues. Do të bëjmë maksimumin për të synuar fitoren, tre pikët janë të rëndësishme për ne. A do të preferoja ta mbaja portën të paprekur edhe me Kombëtaren? E rëndësishme është që skuadra të fitojë, qoftë edhe me shifrat 2-1”, u shpreh Etrit Berisha.
“Me Izraelin është një ndeshje e vështirë, pasi është një kundërshtar i fortë. Do të japim maksimumin dhe është normale që ndaj izraelitëve do të kërkojmë vetëm fitoren. A është barazimi i pranushëm? Do të luajmë për fitore, jo për barazim”, tha Berat Gjimshiti.
“Ndihem shumë mirë dhe nuk kam asnjë problem, dëmtimi i pësuar ndaj Milanit është diçka e vogël. Me Izraelin është e vështirë, por do të bëjmë maksimumin për të fituar. Gjithsesi, në një sfidë të tillë e rëndësishme është të mos humbasim”, tha Ledian Memushaj.
“Shpresoj që tani t’i kem bindur të dy trajnerët, si atë te Empoli, ashtu edhe De Biasin. E kam ndihmuar skuadrën time për aq sa kam qenë në fushë. Me Izraelin do të kërkojmë fitoren përballë një rivali direkt, që ka po aq pikë sa ne. Me një sukses mund të ngjitemi edhe në vendin e dytë, gjithmonë nëse Italia bën një hap fals. Pak rëndësi ka nëse unë luaj apo jo me Kombëtaren, e rëndësishme është suksesi i ekipit”, tha Frederik Veseli.

Artikulli paraprakJuve i falet Pjaniç
Artikulli tjetërBalaj: Nuk e diskutoj formacionin