Kur dështimi shitet si sukses!

NGA BATO KOSOVA

Kur dështimi shitet si sukses!
Revolucion i pandalshëm, bllokim rrugësh, portesh, aeroportesh, bllokim i parlamentit–kjo ishte ajo që Sali Berisha u premtoi shqiptarëve. Por tentativa e parë e 7 tetorit dështoi. Shqiptarët e braktisën, dhe si një turmë e çoroditur, drejtuesit mbetën rrugëve me telefona në dorë, duke bërë autogolin më të madh: dhunimin e selisë së partisë kundërshtare.

Pas kësaj, opozita u harrua. Beteja duket më shumë mes njëri-tjetrit, se kush është më shumë udhëheqës dhe kush do të fitojë simpatinë e “Sulltanit” që i sheh nga lart, se sa një betejë kundër Edi Ramës.

Nga mediat ndërkombëtare, morën një tjetër goditje. Në Evropë nuk ka asnjë parti politike që udhëheq djegie dhe shkatërrim, aq më tepër kur kryetari i tyre është i pandehur për korrupsion dhe non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, për korrupsion të lartë dhe minimin e demokracisë.

Për të mbuluar këtë dështim, morën rrugën drejt Strasburgut për të takuar 4 nga 720 anëtarët e Parlamentit Evropian. Shkuan për t’u ankuar për Drejtësinë, e cila ka marrë të pandehur Berishën për korrupsion dhe ka arrestuar Metën për pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Për këtë drejtësi që ata, me një rezolutë të veçantë, e kanë vlerësuar pikërisht për goditjen e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë

Në të njëjtën ditë që këta deputetë, të cilët deri dje kanë shkuar tek të njëjtët deputetë për të sharë Berishën si të korruptuar dhe non grata, Ursula von der Leyen, (që është pjesë e PPE), në krah të Edi Ramës vlerësonte Drejtësinë dhe mbronte SPAK-un. Po në të njëjtën ditë, SHBA reagoi për Metën, ku vlerësoi dhe mbështeti punën e SPAK-ut.

Por kjo vizitë na sjell në vëmëndje atë që ndodhi pak muaj më parë me opozitën në Serbi.
Zgjedhjet e 17 dhjetorit të një viti më parë u kritikuan gjerësisht si as të lira, as të ndershme. Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë më 8 shkurt të këtij viti, duke dënuar parregullsitë që u raportuan gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi dhe kërkoi hetim ndërkombëtar. Rezoluta mori një mbështetje të fuqishme: në favor të saj votuan 461 deputetë nga 557 të pranishëm; kundër ishin vetëm 53, ndërsa abstenuan 43.

Asgjë nuk ka ndodhur deri më sot. Qeveria e Serbisë vazhdon të qeverisë, Vuçiç është shndërruar në një faktor edhe më të rëndësishëm dhe aleat i Gjermanisë, Francës dhe po shton investimet amerikane në vend. Madje, ai ka shtruar rrugën për një partneritet edhe më të ngushtë me SHBA-në, në rast se Trump zgjidhet president, ku, ashtu si Rama, ka lidhur marrëdhënie biznesi me familjarët e tij.

Kur sheh buzëqeshjet nëpër foto, të vjen në mendje një skeç i para vitit 2010, që i referohej pritjes që u bënin qytetarëve në ambasada – të presin shumë mirë, me buzëqeshje, por nuk të japin vizë.

E këta deputetë, në fund të mandatit, sot nuk kanë as kauzë jashtë, pasi Berisha i ka dyert e mbyllura si i korruptuar dhe minues i demokracisë, e brenda nuk i voton askush sepse kanë treguar mungesë dinjiteti dhe besueshmërie.

Kombëtarët dhe ndërkombëtarët e dinë se Berisha nuk do të fitojë kurrë zgjedhje në Shqipëri. Por ndryshe nga kombëtarët që e dinë që edhe po humbi, Berisha nuk largohet, ndërkombëtarët kanë ende shpresë, të cilën ua kanë ushqyer disa prej atyre që pozonin sot të qeshur, se pas humbjes së zgjedhjeve Berisha largohet nga politika.

Taksirati i Ramës është të rrijë dhe 4 vjet të tjera, por fati i keq i shqiptarëve është: Ose të luftojnë vetë, ose të bëjnë gati valixhet dhe të ikin në BE.
Pensionistët e nisën sot reagimin për hallin e tyre dhe ky është një lajm i mirë./Alfapress.al

Artikulli paraprakSPAK, një pol i ri pushteti me të cilin duhet të mësohemi
Artikulli tjetërJo vetëm portokalli! Ja 6 ushqime që kanë përmbajtje të lartë të vitaminës C