Kur do të flasim për “gjenocidin” e ujit?

Nga Flutura AÇKA

Në një vend normal, kur Gjykata Administrative e shpall ujin që pijnë qytetarët e Tiranës të papijshëm dhe të dëmshëm për shëndetin e banorëve:

Këta banorët, pra ca nga këta banorët, do të protestonin ditë e natë para Bashkisë, derisa shtetari brenda saj që i ka mashtruar me vite nëpër intervistat e tij, të jepte dorëheqjen.

Një tjetër grup që çoç marrin vesh nga ekonomia, do të kërkonin t’i ktheheshin paratë qytetarëve nga rritja madhe që ka ndodhur vitet e fundit me çmimin e ujit, sepse qytetarët paskan paguar për të zezë të vet.

Një prokurori patriote, e cila do që shqiptarët të mos vriten nga “gjenocidi i i ujit”, do të kishte nisur menjëherë investigimin dhe duhet t’ia thotë qytetarëve se kush janë fajtorët e ujit të papijshëm të Tiranës.

Një Opozitë, e cila me qytetarët ka marrëveshjen politike ta luftojë të keqen e këtij vendi, edhe mes halleve që ka këto ditë, duhet t’u thotë dy fjalë për ujin që po u mbin kërpudha në trup.

Një qeveri dinjitoze si e jona, do të kishte dalë e t’i bënte ca batuta e t’i bullizonte qytetarët e të mos e merrnin për kaq të madhe se ka edhe të pëgëra uji që pijnë ata, se fundja i forcon ndaj ndonjë vale tjetër virusi dhe t’ia dinë asaj për nder.

Një media më e përgjegjshme, nuk do të jepte vetëm lajmin, por do t’i kushtonte ca emisione, do të thërriste ca specialistë e t’ua shpjegonin qytetarëve.

Një nga ato talk show të mbrëmjes do t’i linin pushim një natë ngrehalucët politikë, e me zahmet t’i kushtonin një mbrëmje ujit. Sigurisht, mbase e kanë vështirë nga “besa” që kanë me kryengrehalucin e bashkisë, por këtu bëhet fjalë edhe për ta, dhe fëmijët e tyre.

Exit mobile version