Nga Rigels Seliman
Skandal pas skandali, arrestim pas arrestimi, një zinxhir figurash të afërta me qeverinë e Edi Ramës po dalin përballë drejtësisë. Këto zhvillime, janë në vetvete edhe ironia e madhe? Të gjithë këta njerëz nuk erdhën vetë në pushtet, nuk i zgjodhi populli, por u promovuan, mbrojtën dhe fuqizuan nga vetë kryeministri Rama. Sot, kur drejtësia po i çon para përgjegjësisë, Rama nuk thotë asnjë fjalë. Nuk kërkon ndjesë. Nuk pranon gabime. Sikur kjo të ishte një situatë që ndodhi vetvetiu, pa asnjë lidhje me të.
Në një vend normal, një lider që sheh bashkëpunëtorët e tij të përfundojnë në skandale të njëpasnjëshme, do të merrte përgjegjësinë, të paktën morale. Do të pranonte se ka gabuar në përzgjedhje, do të kërkonte falje dhe do të ofronte një garanci për ndryshim. Në Shqipëri, ndodh e kundërta: kryeministri distancohet sikur nuk ka pasur asnjë lidhje me ta, duke ia lënë SPAK-ut punën e pastrimit, ndërsa vetë vazhdon të qeverisë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Por kjo strategji ka një problem të madh: ose Rama ka emëruar njerëz të paaftë dhe të korruptuar pa e ditur, që do të tregonte mungesë totale kompetence, ose e ka bërë me vetëdije, duke ndërtuar një sistem që funksionon derisa dikush e ekspozon. Të dyja këto skenarë janë alarmante. Nëse ai nuk ka kontroll mbi ekipin e tij, atëherë pse duhet të vazhdojë të qeverisë? Nëse ka ditur gjithçka dhe ka heshtur, atëherë problemi është edhe më i rëndë.
Drejtësia mund të bëjë punën e saj, por përgjegjësia politike nuk mund të lihet pas dore. Heshtja e Ramës nuk e shpëton atë nga përgjegjësia, por e bën edhe më të rëndë. Dhe nëse ai nuk kërkon ndjesë, atëherë qytetarët kanë vetëm një rrugë për ta vendosur përpara përgjegjësisë: votën e tyre.