Nga Lutfi Dervishi
Jeta e adoleshentëve sot nuk zhvillohet më mes familjes, shkollës dhe rrugicës së lagjes, por në…celular.
Në orët e para të mëngjesit, policia hyn me forcë në shtëpinë e familjes Miler, duke arrestuar një 13-vjeçar se ka vrarë shoqen e klasës. Djali, i përgjumur, i tronditur dhe i hutuar, mohon gjithçka.
Ky është fillimi i serialit Adoleshenca i sapo dalë në Netflix.
Nëse je prind dhe mendon se e njeh botën ku po rritet fëmija yt, ky film është këmbana që ende nuk ke dëgjuar.
Nuk është thjesht një dramë, është një ftesë për të kuptuar jetën e fëmijëve në epokën e rrjeteve sociale, dhe vetminë e tyre në turmën digjitale.
Jeta e adoleshentëve sot nuk zhvillohet më mes familjes, shkollës dhe rrugicës së lagjes, por në…celular.
Seriali tregon historinë e disa adoleshentëve që, përballen me sfida që prindërit e tyre as që i kanë menduar ndonjëherë: ekspozimi i hershëm ndaj seksualitetit, të ndjerit mirë/keq në varësi të likeve dhe komenteve, normalizimi i ankthit, presioni për tu bërë sa më shpejt dikushi.
Çfarë të mëson Adoleshenca?
Nuk mjafton të thuash “lëre atë celular”. Duhet kuptuar se çfarë kërkon djali/vajza në atë telefon. Çfarë fiton ndërkohë që po humb kohë? Çfarë po humb ndërkohë që fiton “followers” dhe like?
“Adolescence” nuk ofron zgjidhje, por ngre pyetje ekzistenciale dhe retorike:
A e dimë realisht çfarë po ndodh sot me fëmijët?
Sa jemi të pranishëm, (jo vetëm fizikisht) emocionalisht?
“Adolescence” është një manual emocional për të kuptuar një botë që ndryshon më shpejt se ne dhe më thellë se ç’e pranojmë.
Ky film nuk duhet parë për kuriozitet apo për të vrarë kohën, por për tu përgatitur.
Pasi sheh katër eoisodet ndjen më shumë përgjegjësi. Ndofta dhe pak faj, por mbi të gjitha, dëshirë për të qenë më pranë.
Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, as të pasur, as të fuqishëm, por për prindër të vetëdijshëm.