Kur hipokrizia vishet me buzëqeshje, politikanët shqiptarë “zbresin” te diaspora për vota

Nga Rigels Seliman

Pasi i përzunë, i shpërfillën dhe i etiketuan si “të padobishëm” për vite me radhë, tani politikanët shqiptarë janë kujtuar për diasporën… sepse po afrojnë zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Papritur, armata e zyrtarëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, bashkë me figurat e reja të politikës si Tik Lapaj i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, që ka në skenë dhe politikë po aq përvojë e vite sa edhe Erion Veliaj, kanë nisur turin e “dashurisë” ndaj emigrantëve shqiptarë.
Nëpër takime pompoze jashtë vendit, me buzëqeshje plastike dhe fjalime boshe, politikanët rrekën të krijojnë përshtypjen e një lidhjeje të ngrohtë me diasporën. Ata që dikur mbyllën dyert e mundësive dhe i lanë shqiptarët të emigronin me valixhe kartoni, sot sillen si shpëtimtarë, duke kërkuar me ngulm… votën e tyre.
Kjo është hipokrizia në formën e saj më të pastër. Një shfaqje ku fjalët e ëmbla fshijnë përkohësisht mungesën e përgjegjësisë për shpopullimin, mjerimin ekonomik dhe politikat që larguan qindra mijëra shqiptarë nga vendi i tyre. Ata që dikur i trajtuan emigrantët si “çeqe pa vlerë”, tani i kërkojnë t’i shpëtojnë politikisht.
Diaspora nuk ka nevojë për foto, shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje false. Ka nevojë për dinjitet, përfaqësim të ndershëm dhe politika reale që lidhin fatet e tyre me vendin e origjinës. Sepse në fund, nuk janë emigrantët që duhet të kthehen te politikanët, janë politikanët që duhet të ndryshojnë rrugën drejt emigrantëve.
Hipokrizia mund të shitet për pak kohë, por vota nuk blihet me fjalë, para apo ofiqe. Dhe këtë, diaspora e di shumë mirë.

Exit mobile version