Kur mbjell banalitet do të korrësh dhunë

Një akt i shëmtuar dhune u transmetua live në TCH, gjatë spektaklit “Big Brother VIP”. Një nga konkurrentet e skualifikuar, Jozi, ka goditur një tjetër konkurrent nga Kosova, Gjestin. Stafi i televizionit u distancua nga ky akt duke ofruar një tjetër spektakël: shoqërimin e konkurrentit dhunues nga policia.

Por nëse një akt i tillë nuk mund të parashikohet në një transmetim live, a mundet të paktën një media ta parandalojë shfaqjen e dhunës në ekranet tona? A ishte vërtet kaq e papritur shfaqja e dhunës në këtë spektakël? Apo duhet të përgatitemi që dhuna të jetë tashmë një pjesë e zakonshme e këtyre formateve?

Duke ndjekur me kujdes ecurinë e këtij spektakli banal, ku përplasjet mes “banorëve”, sherret pa thelb dhe debatet vulgare janë bërë normë, kuptohet se dhuna është vetëm një rrjedhojë e pritshme. Një spektakël si BBV që mbledh audiencë të lartë nuk ka detyrimisht për mision edukimin e publikut, por së paku, në respekt të audiencës, duhet të përpiqet të orientojë shikuesit drejt vlerave.

Kur për javë të tëra mesazhi i vetëm i “Big Brother VIP” është banaliteti dhe vulgariteti, dhuna nuk mund të jetë një “surprizë” për skenaristët, të cilët, me këtë rast, kanë shtuar klikimet, shumëfishuar fitimet dhe ofruar një shfaqje të shëmtuar për shqiptarët.

Dhuna nuk është e tolerueshme në asnjë nga format e saj. Por kur marketon banalitet me një audiencë të gjerë, nuk mund të shmangësh dhunën dhe pasojat e saj, të cilat, në këtë rast, nuk rëndojnë mbi TCH, por mbi një publik të lodhur nga e përditshmja. Nga kombinimi politikë dhe spektakël banal që po rrënon çdo vlerë të mbetur të shoqërisë tonë./vna.al

Exit mobile version