Nga Spartak Ngjela
A doni ta dalloni një njeri negativ që është në shoqëri, dhe që ka ardhur edhe në pushtet?
Nuk është e vështirë.
Njeriu negativ ka ligësi të brendshme e cila sigurisht, si rregull, i vjen nga jeta e vështirë që ai ka pasur në fëmini, por edhe nga çrregullimet e psikikës së tij.
Këto janë arsyet kryesore që, po nga psikika e tij, ai krijon urrejtjen ndaj të tjerëve dhe pushtohet nga negacioni si motov psikik. (Negacion në shqip don të thotë mohim)
I.
Ky lloj individi, me këtë ndërtim psikik, flet vetëm keq për të tjerët dhe mendon se me këtë ligësi ai ngre veten. Mohon çdo vlerë, sepse vetë mohimi i tij absolut që ndien në çdo çast, e ka çuar atë tek antivlera, dhe e vetmja vlerë për të ështe vetvetja e dashuruar prej tij deri në delir.
Të bezdisshëm janë bërë edhe në Shqipëri tani këta individë të mohimit të çdo vlere tek shoqëria, dhe u jepet mundësia të dalin nëpër televizione.
Gjithsesi, duhet theksuar se këta tipa, më dëmprurës në një shoqëri, bëhen atëherë kur kanë marrë pushtetin politik të një shteti.
II.
Duhet ta vëmë në dukje se, lufta elektorale individin negativ e çliron nga zgjedha e brendshme në psikikë, sepse ai tani ka një armik ligjor – ka kundërshtarin e tij politik.
Dhe këtu psikika e tij e sëmurë gjen qetësinë e vet kriminale e patoligjike njëherësh, sepse ajo ka gjetur armikun shoqëror, prandaj edhe i sëmuri psikik që drejton një parti ka fituar të drejtën morale që me ligësinë e tij, të godasë kundërshtarin hapur me shpifje, fyerje apo intrigë. Por si rregull, ligësia e liderit absolut të një partie, me metodat e tij të shkarkimit të bashkëpunëtorëve, e pushton të gjithë partinë, aq sa vetë partia kalon tërësisht në amoralitet.
Dhe kjo është arsyeja që shpesh, po kështu, është pushtuar dhe i gjithë elektorati. Pse, a nuk e keni parë sesi elektorati i një partie brohoret deri në marrëzi për tiranin që ka pushtuar partinë e tyre?!
Por duhet ta vëmë në dukje se: në këto çaste diktatori i lig dhe kriminal ka këtë monolog të brendshëm: Ligësia e ligësisë sime ma zgjeron kaq shumë ligësinë, sa, pushteti im politik absolut, ma jep të drejtën që ligësinë time ta quaj si moralitetin më të madh të shoqërisë që po drejtoj.
Por pikërisht këtu fillon krijimi i tij në negacion, sepse tani diktatori ndien siguri të plotë që të thotë çdo gjë të ligë drejtuar kundërshtarit politik. Dhe pikërisht këtu diktatori gjen vetveten: shpif, krijon, ofendon, fyen kundërshtarin që ka përballë me ligësi, dhe me të gjitha këto si e zbut psikikën e tij të sëmurë.
Prandaj me këtë arritje në pushtet, diktatori realizon botërisht shprehjen e ligësisë së tij, sepse këtë ia lehtëson psikika që e ka të ndërtuar vetëm në armiqësi. Dhe këtu, atij i duket sikur po çlirohet.
Sepse, pikërisht këtu, ky individ që mund të jetë kryetar i një partie të madhe, madje edhe kryetar i një shteti, ndien çlirimin e tij të plotë, sepse në këtë pozicion që ka fituar, ai i plotëson vetvetes dëshirën patologjike që ka për të përmbushur ligësinë e sëmurë që i kërkon sëmundja
Pasi diktatori krijon këto situata dhe ka edhe një grup të madh njerëzish që e dëgjojnë dhe e përkrahin, diktatori apo tirani ndien lehtësimin e tij të brendshëm në realizimin e ligësisë së tij.
Dhe pyetja që ngrihet këtu është kjo: Kur këta individë janë në politikë dhe botërisht njihen se janë njerëz të liq dhe të pushtuar nga ligësia, pse shoqëri të caktuara i zgjedhin derisa i bëjnë edhe kryeministra?
Nuk është e vështirë të kuptohet se, edhe këta grupe shoqërore, janë të pushtuar nga ligësia dhe jo nga humanizmi.
III.
E pra, përderisa këta individë dallohen për veset e tyre, ende e pakuptueshme është ende nuk është kuptuar plotësisht sesi kanë rënë preh e një dobësie të tillë edhe popuj të zhvilluar si gjermanët me Hitlerin, italianët ne Musolinin etj.
Zotërinj!
Gjithmonë duhet të kujtohemi se njerëzimi ka kaluar nga primitivizmi në qytetërim e nga qytetërimi në humanizëm.
Por primitivizmi gjithmonë është një shoqërues i fshehur në psikikën politike. Dhe kjo ka sjellë shpesh diktatorët dhe diktaturat.
Primitivizmi modern, në politikë, është kërkesa absolute e individëve të caktuar për të qënë drejtues, udhëheqës, mbretër apo diktatorë të një vendi, por duhet ta kujtokmi se, kur këta individë vijnë në pushtet, në esencë, krimi ka marrë pushtetin politik.
Diktaturat komuniste të shekullit që kaloi, sigurisht që e kanë provuar këtë që shprehëm në këtë artikull, më mirë se çdo diktaturë apo tirani që ka kaluar në para tyre.