“Kur Pader Aleksi i tha Nanë Terezës; Do të hapim edhe kishën e fretenve, ajo u përgjigj…”!/ Refleksionet e studiuesit të njohur

Nga Kolec Çefa

Me dobsue e zhdavaritë mjegullën e historisë së fiseve tona, d.m.th., me hjedhë dritë e me ndriçue historinë e popullit tonë. E vështirë, jo vetëm per mungesën e dokumenteve, por edhe për faktin se fiset tona kanë ardhë duke ndërruar mbiemrin familjar nga ndeshtrashat e jetës. Madje, nder regjistrime mesjetare ka raste, kur dy vëllazen mbajnë mbiemra familjarë të ndryshem: Giac Angeli, vëlla i Andrea Kabashit; Andrea Angeli detto Abrashi etj. Ose njëri vëlla a degë fisi, mbante mbiemrin sipas profesionit, vëllai tjetër mbiemër fshati nga ka shtegtuar, sidomos herën e mbrame, vëllau tjetër ruante atë të fisit). Në këtë hulli, unë po kërkoi gjurmët e fisit Bojaxhia, për të dalë me gëzim te dita e paharrueshme 26 gusht 1910, që na dha Nënën e dashurisë, Nënën e shquar Tereze, a mrekullinë hyjnore të kohës moderne, Nënën me gjak shqiptar, nderuar në tërë botën, që solli në vatrën shqiptare çmimin Nobel.

Më kujtohet ajo plakë e moçme: e shkurtër, e thatë, e brishtë, por çuditërisht me vitalitet race: mençuri praktike, ide krijuese, e forcë të rrallë vullneti zbatues. Virtytet etnike, si pasuri trashëguese shpirtërore, i pasuroi me virtytet teologale, dhe hyri si ndriçim i ri në qenien tonë, në jetën tonë të përditshme, duke ndezur dimensionin shpirtëror tashmë mjaft të ftohur nga diktatura. Ajo hyri si realitet i ngrohtë, jetësor e frymëzues, e duhet të vazhdojë me ne, në historinë tonë, sidomos në këto kohë europiane, sepse Ajo kishte frymëzimin hyjnor në shpirt e “fjalët e jetës së pasosur”, ndër buzë! Në mënyrë panoramike, po hetoi rrënjët e fisit, trungun familjar e frutin më të pjekur të këtij fisi shqiptar, me kombësi, me gjuhë, me karakter!

Rrënjët e fisit

Biografët e Nënë Terezës, nuk janë thelluar për fisin e saj, veç përmendin në mënyrë evasive hapësirën gjeografike të Bojaxhive tanë, madje nuk njohin çiftin antroponimik Bojaxhia-Bianki. (Që Bojaxhia-Bianki janë një fis, këtë e dëshmojnë dokumentet arkivore, edhe korrespondenca e familjes Suma, të cilën ma ka pasë dhënë trashëguesi i kësaj korrespondence i ndjeri Karlo Suma. Sot korrespondenca është te mjekja Terezina Suma). Ç’lidhje ka ky fis me Abat Pjeter Biankin e kohës së Koncilit të Arbënit, apo me Biankejt e Nenshatit, a Dom Mark Biankin a Imzot Biankin, krye-ipeshkvin e Durrësit etj., mbetet për t’u hetuar.

Në fillim të shekullit XVII, në arteriet e Shkodrës sonë, po nisë të qarkullojë një gjak i ri energjik kombëtar. Fiset tona malore po i afrohen qytetit tonë verior e, bashkë me palcin kombëtar të lagjeve periferike, po i rrasën qytetit, po e zmadhojnë atë, duke shkruar historinë e tij, stoike e të dhimbshme. Shiroka, Ana e Malit, Shtoji, Rëmaji, shërbyen si katapulta nga hidheshin në qytet, në fillim, pjesëtarë familjesh malësore, pastaj familje e fise, duke i dhënë qytetit jetë e gjallëri.

Me këto edhe fisi Bojaxhia, mbiemrin e parë të të cilit, si duket, popullsia e qytetit ia ka ndërruar, duke e emërtuar me emrin e profesionit të fisit, njëpërnjë, si: Kovaçi, Saraçi, Tenexhiu, Qerraxhia etj. Apelativi Bojaxhia, huazim nga turqishtja, e zbuloi veten relativisht vonë në gjuhën shqipe. Kolë Ashta, studiuesi i vëmendshëm i leksikut historik të gjuhës shqipe, nuk e gjenë fjalën bojaxhi, në shumë vepra mesjetare shqipe. P.sh: nuk del kjo fjalë te Fjalori i Buzukut, as te Fjalori i Pjetër Mazrekut, 1633, as Fjalori i Frang Bardhit, 1635… ndërsa te Fjalori i veprës së Bogdanit “Cuneus Propfetarum”, del apelativi “bojë”. Gjithashtu nuk del as në dokumente të tillë, si: “Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë v.I (1507-1592) përgatitur nga Injac Zamputi, as në “Dokumente të shekujve XVI-XVII, për historinë e Shqipërisë, v. III (1603-1621) përgatitur nga Injac Zamputi.

Çabej, duke studiuar prapashtesën “xhi”, nder emra vepruesish, si huazime nga turqishtja, thekson se disa emra profesionesh, janë bërë nëpër qytete emra familjesh. Në gegërishten mbarojnë me –a, (bojaxhia), edhe në serbo-kroatisht, me –a; në toskërishten me –u, (bojaxhiu). (shih: Çabej, Studime gjuhësore, v. III). Studiuesi më i thelluar, botuesi më i vëllimshëm e bibliografi më i njohur, njohësi personalisht i Nënë Terezës, Dr. Dom Lush Gjergji, ka shkruar: “Mbi prejardhjen e familjes Bojaxhiu, për fat të keq, nuk kemi burime të shkruara, dokumente historike, por vetëm traditën e gjallë gojore dhe shumë kujtime historike. Një gjë është më se e sigurt: ishin nga Prizreni”.

Ja dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Gonxhe Bojaxhiut: “Në familjen tonë gjithmonë ka qenë e gjallë tradita dhe bindja se jemi nga Prizreni…! Disa kanë mbetur atje në (Egjypt), të tjerët janë vendosur në Shkodër apo ngjeti, si, p.sh. në Shkup, kurse një pjesë e vogël ka mbetur në Prizren”. Z. Kaçulini, për origjinën tonë, më tha kështu, – vazhdon Lazër Bojaxhiu, sipas Dr. Dom Lush Gjergjit, “Bojaxhia ka qenë familje e madhe tregtarësh dhe tregtia e tyne arrinte madje deri në Misir. Një pakicë mbeti në Prizren, apo u vendos në vende tjera, si p.sh. Shkup. Edhe pse ishin të shpërndarë në vise të ndryshme, ata prapëseprapë vazhduen traditën e tyne familjare, fetare e kulturore. Kujtimi për Prizrenin u mbajt gjithmonë i gjallë”.

Dihet me siguri se është fis shqiptar Me gjuhën e dokumenteve ne flasim kështu: Sipas Regjistrit të pagëzimeve të Imzot Pal Kamsit (rreth vitit 1737) nder familjet katolike që banojshin në qytet, shënohet edhe familja Bianki…edhe Bojaxhia. (Lexuar më parë nga revista jezuite “Perparimi”, shih edhe Gj. Sheldija, “Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës e dioqezat sufragane, f.62. Dr. Nevila Nika, në veprën me vlerë “Dioqeza e Shkodrës gjatë shekullit XVIII, sipas dorëshkrimeve arkivore”, shënon se, personat e krezmuar në famullinë e Tophanës, më 10 gusht 1789…Anton Bianki. Përmendet, tashmë, si nunë (dëshmitare) edhe Luçia Bianki.

Potencialin ekonomik të kësaj familjeje e ka studiuar edhe Dr. Adrian Papajani dhe e ka paraqitur në veprën “Veprimtaria ekonomike e firmave tregtare shkodrane Çoba dhe Bianki” (1795-1912). Dokumenti i parë, i cili hedh dritë mbi blerjen e pronave tokësore nga familja Bianki, është një akt shitjeje që i takon vitit 1773. Jak Bojaxhiu në këtë vit, blenë një kopsht me vlerë 36000 akçesh…! Gjatë viteve 1773-1859, brenda një periudhe 87-vjeçare rezulton se familja Bianki, ka blerë 14 copë ara dhe 1 kopsht”. Pra, lehtë nxirret përfundimi se gjatë shekullit XVIII ky fis, kjo familje a pjesëtarë të kësaj familjeje jetojnë e punojnë në Shkodër. Madje zhvillon një veprimtari të gjallë tregtare dhe ka krijuar një pasuri të admirueshme, si pronare tokash, arash, livadhesh, kopshtesh, dyqanesh brenda në qytet dhe në fshatrat përreth.

Por pemën gjenealogjike të familjes Bianki (Tab. B) dhe shtrirjen e saj, mendojmë se nuk e ka dhënë të plotë. Në vazhdim të pohimit tonë se fisi Bojaxhia (përkthye në Bianki gjatë veprimtarisë tregtare me vendet e huaja, sikurse edhe familja Zezaj, përkthyer në Negri, etj.), përveç regjistrimit të padyshimtë e të pagabueshëm të Imzot Pal Kamsit, regjistrim i njëkohshëm, kemi edhe të dhëna tjera që e vërtetojnë ekzistencën e tyre në Shkodër. U ka ikur syrit të studiuesve një dokument që gjendet në AQSH, një testament italisht i bërë në Shkodër, më 30 janar 1781, ku: Stefan (Shtjefen) Bojaxhia, shëndosh mendërisht, por i rënduar fizikisht, u lë me testament pasurinë e tij gruas (pa përmendur emrin) pavarësisht nëse do të rrijë a nuk do të rrijë me fëmijët e mi… si edhe hisen e shtëpisë që është e saja…!

Fëmijët e mi i lë në duar të vëllaut tim Jakut…! Dëshmitarë janë …, Jak Bojaxhia,…, Pjetri i Jak Bojaxhisë, famullitari Dom Françesko Borzi (Borci)”. Kështu, ky dokument tregon qartë se pema gjenealogjike dhënë për këtë fis, nuk është e plotë, sepse nuk përmendet i vëllai më i madh i Jakut, Shtjefni e linja e tij, si dhe linja tjetër në Tiranë. Sa për Tush Biankin, që shënon Dr. Papajani, martuar me Filipen, shënojmë se Tush e Pjetër është i njëjti emër, i njëjti person. Studiuesi Stavri Naçi, që më 1956 duke botuar “Testamente të Shkodrës”, nga fondi i Klerit Katolik që gjendet në AQSH, përmendë disa emra tregtarësh, nder të cilët, më 11 gusht 1798, Anton Bojaxhia, si edhe tregtar që duhet të paguajë taksat doganore, si:…

Jak Bojaxhia, viti 1834-1848

Nga Regjistri i Kompanisë së Shën Rrokut, të Shirokës, (filluar më 1791, i shkruar italisht, regjistër i panjohur, i pastudiuar, po nxjerrim çka do të na interesonte: Më 1 gusht 1852, Z. Jak Bianki, lë 500 piastra me detyrën me thanë meshë, katër në vit, sipas ndjetit të tij. Më 1 qershor 1858, Filip e Shtjefen Bianku, lënë 500 piastra për shpirtin e së ndjerës nënës sonë Luçia Bianki, lindur me mbiemrin Mesi…! Më 18 nëntor 1858, Jak Bianki i ka lënë për shpirtin e tij, Kompanisë së Shën Rrokut, për me celebrue meshë…! Po, më 1870 përmendet Luçia Mesi, Stef Bianki…! Kështu pra, si duket kjo familje a këta pjesëtarë familjeje në këto vite gjendeshin në Shkodër a Shirokë. (Atëherë Shiroka, ishte si lagje e Shkodrës)

Gjurmët e kësaj familjeje në Shirokë, i ka hetuar inxhinier Ndoc Rakaj, prej Shiroke, që shkruan se; familja Bojaxhia ka banuar në Shirokë të Shkodrës, në lagjen ‘Buza e Gegës’. (“Mbas Teje, nr. 110, viti 2003). Shtoj: a thue ka lidhje toponimi ‘Buza e Gegës’, me emrin e Gegë Bojaxhisë? Nikë Pavaci (si më kumton Anton Benusi) ka deklaruar: “Në një darkë festive, në familjen Pavaci, ku janë prezent edhe Padër Anton e Pader Mark Harapi, Pader Antoni na ka thanë: Një vajzë që asht përshkue në katundin tonë dhe sot ndodhet në Indi, mendoj se do të bahet shenjtëreshë”.

Edhe në hipotekë të Shkodrës, siç kumton z. Benusi, figurojnë prona të familjes Bojaxhia, në krye të Pazarit të Vjetër, afër mullirit të Dan Hasanit. Edhe unë ia kam arritur rrugicës “Bojaxhijej”, tabela për të cilën ka qenë deri vonë. Kjo familje ka patur lidhje me familjen (me origjinë kosovare) e Kolë Margjinit, mësuesit të denjë për t’u nderuar. Madje, meqë “shpija e Bojaxhijejve nuk kishte oborr, – si tregon Antoni, – Lazri e lente kalin e vet te kjo shpi”. Familjet Bojaxhia a Bianki, u përmendën deri tashti si familje tregtare e bamirëse dhe me prirje fetare. (Në disa dokumenta, Tereza Biankit i kërkojnë lëmosha, qoftë për kisha, a por të ndryshme dhe Tereza ka filluar të shpërndajë pasurinë e vet, si duket edhe nga që nuk kishte trashëgimtar).

Më poshtë po japim të dhëna që vërtetojnë se kjo familje ka qenë edhe familje patriotike. Familja Bianku është numëruar si ndër familjet e para (të përmendura) të Shkodrës. Gjatë Lidhjes së Prizrenit mund të shohim interesin e këtij fisi për çështje patriotike, dhe ndihmën e dhenë për çështje kombëtare, sado që ishte në Venedik me filial. Në një letërkëmbim intim Gasper Çoba njofton Stef Biankin, në Venedik, më 1878 se popullsia katolike, nga ana e saj, ka zgjedhur katër vetë për çështjen e Lidhjes së Prizrenit, se “me këto katër të kështenë që janë në komision deri tashti jena fort konden prej sish se kanë ditë me kodhanis punën fort mirë për vend tonë e kastan gjindena rahat e shërbes çmos kurr”.

Ejell Çoba i shkruan nga Shkodra më datat 10 e 20 prill 1880: “…Tue kontrastue kishin thanë që keni kollaj me vu, se Filipit Jakut, nuk e gjenë kurrgja me i vu (me pague k.ç.) 10 a 12 mijë grosh, edhe Stefës (Biankit, k.ç.), Sums, Parrucs e disa tjerve… Shpiave të para 2000… Stef Biankit, Parucës, Dajës Filip (Biankit k.ç.) vll. Shiroka”… “…e katër shpijave të para i ka vue 8 mijë pj.(astra), d.m.th. dajs Filip, ty (Stef Biankit), Gjon Sums, Parucs)”…! “Mramë erdh Gjoka e Sima prej Tuzit edhe Malcija po del per Ulqin… Na pa gjak s’dona me i lshue”! (Shkodër, 21.IX.1880).

Gjurmët e familjes Bojaxhia në Tiranë, na i zbulon i pari, përsa dimë ne deri sot, Imzot Ambrozio, kryeipeshkev i Durrësit, i cili shkruan: “Pashko Gegë Bojaxhiu,… djali i tij Kola, ishte zgjedhur nga Imzot Rafael D’Ambroziu në vitin 1864, prokuror personal i tij, pranë Qeverisë Otomane të Tiranës dhe për këtë lëshoi edhe prokurën si vijon: ‘Në bazë të nenit 9 të Rregullores së re, nënshkruar nga Porta e Lartë, në marrëveshje të plotë me Legatat Europiane në Kostandinopojë, misionet kishtare dhe mugadet e huaja, kishin të drejtën e një prokurori dhe përkthyesi, nënshtetas otoman. Këta gëzonin të drejtën e nëpunësve konsullorë dhe privilegjet e mbrojtjes kohore. Kolë Pashk Gegë Bojaxhiu ishte nënshtetas i qeverisë otomane dhe katolik i Tiranës, i cili, për sa kohë që do të qëndronte në atë zyrë, gëzonte të drejtën e mbrojtjes, përjashtuar nga taksat personale (Bedëllija), moskryerje angarish dhe përjashtim nga shërbimi ushtarak. Këtë prokurë Imzot Rafael D’Ambrozio, ia lëshoi Kolë Bojaxhiut, më 28 maj 1864”.

Në vitin 1864 emrat e Kolë e Rozë Bojaxhiut shkruhen në regjistrin e Shoqërisë së Përshpirtshme të Kurorës së Artë me këtë motivacion: “Për mirë-kryerjen e detyrave martesore. (shih materialet e Imzot D’Ambrozio në Arkiv dhe Dom Mark Dushi, Tirana dhe rrethinat e saj, T. 2005, f. 40-43). “Në gushtin e vitit 1865, Stefan Herceku bleu në Tiranë kopshtin e shtëpisë së Kolë Pashk Gegë Bojaxhisë, që ishte afër me kishën katolike të Tiranës”. (Doam Mark Dushi, Tirana e rrethina e saj, T. 2005, f. 43).

Atëherë: Familja Bojaxhia-Bianki, e fillon jetën e vet të dokumentueme në Shkodër-Shirokë, që nga viti 1737. Mendimi i studiuesit Dr. Papajani, se:”…familja Bianki (Bojaxhia), ishte me origjinë nga Berati…”, mbështetur te pohimet gojore të një nga pjesëtaret e fisit Bianki, të quajtur Jelena Bianki e cila është martuar me Mikel Çobën, kërkon studim e vërtetim, se ndoshta kjo i përket periudhës para vitit 1700. Gjithashtu duhet rishikuar edhe pema e dhënë gjenealogjike, mbasi ka pikëpyetëse. Potenciali ekonomik i fisit, brenda dhe jashtë vendit, si edhe virtytet e fisit, fetare e kombëtare, tashmë janë bërë të njohura. Lëvizjet e këtij fisi të përmendur nga Shkodra, Tiranë, Prizren, Shkup e ndoshta në ndonjë vend tjetër, duhen parë më hollësisht.

Trungu i fisit

Kolë Bojaxhia, (1873-1918) i nderuari i Shkupit, gëzonte respekt për kontributin burrëror, për patriotizmin e tij, për ndjenjat e tij fetare e shoqërore, burrë i pjekur, bujar pa masë e trim sa ta duesh, i aftë për të dhënë këshilla. Martuar me Dranden besnike, (1889-1972) ai merrej me punën e tij të përditshme, me tregti, (ishte ortak me një shoqëri italiane, si edhe me një tregtar venedikas, bënte tregti me mallra koloniale, me sasi të mëdha. Puna dhe jeta i ecnin mbarë, pa harruar detyrat e përditshme familjare e shoqërore. Kolë Bojaxhia kishte dy vajza: Agen (Agata) 1905-1974 e Agnes (Anjeze), e cila thirrej Gangje (1910-1997). Kishte edhe një djalë, që, sipas zakonit shqiptar, kishte trashëguar emrin e gjyshit, pra Lazër (1908-1981). Edhe ky, me gjithë të shoqen, merreshin me tregti.

Sipas kujtimeve, Kola ishte patriot i madh, ishte militant për bashkimin e Shqipërisë. Krerë fisesh mblidheshin në shtëpinë e tij, e bisedonin punë Shqipërie. Ai ndërtoi të parin teatër në Shkup. “Një herë, – kujton i biri, – bashkë me bashkësinë e Shkupit, shkoi në mbledhje në Beograd. Kur u kthye, ishte shumë i sëmurë… vdiq në rrethana të dyshimta”.

Herët i filluan hallet Drande Bojaxhisë: ishte nga Prizreni, me prejardhje nga Bernaj, i shoqi i vdiq i ri, fëmijët qenë të vogjël, ndonëse nga një familje me gjendje të mirë ekonomike, ajo filloi të varfërohej ekonomikisht. Lazri kujton: “Ishte grua e qëndrueshme, aktive, shumë e fortë, e pathyeshme. E butë, e dashur, shumë bujare, zemër për të varfër, shumë e divoçme. Më duket se Ganxhja është shumë e ngjashme me nënën Loke”. Më në fund, më 1934 Drandja vjen e jetoj në Tiranë, bashkë me djalin e saj Lazrin e, vajzën e madhe Agen. Më 1937, i shkruan së bijës letër: “E dashur bija ime, mos harro se shkove në Indi, për t’u ardhë në ndihmë të vorfenve”. Më 1972, vdiq në Tiranë, pa mundur të shihte bijën e saj të dashur, vdiq me emrin e Gangjes në gojë! Ganxhja nuk u lejua të vinte as te varri i saj!

Lazri “ishte njeri i mirë, i dashur, i përzemërt”. Ndoqi studimet në Austri, zotëronte italisht, frëngjisht, gjermanisht, kroatisht. Më 1939 shkoi në Itali, si refugjat politik, aty u martua dhe lindi Agen. Para se të vdiste, i bëri një vizitë Nënë Tereza. Vdiq, më 1981. Agia studioi për ekonomi. Në fillim punoi si përkthyese nga serbo-kroatishtja në shqip, – si pohonte i vëllai, – më vonë u ba spikere e radios. Deri në pension ishte anëtare e korit të Radio Tiranës”. Edhe Agia vdiq pa parë as Ganxhen, as Lazrin.

Arritëm te fryti më i pjekur i fisit

Nëna Tereze për familjen e vet, shprehej kështu: “Kemi qenë një familje tejet e lumtur, me plot gëzime dhe dashuri, me një fëmijëri të qetë”. Në këtë familje të vërtetë e të shëndetshme, lindi më 26 gusht 1910, vajza e Kolë Bojaxhisë, që u pagëzua në Katedralën e Shkupit, me emrin Agnes (Anjeze) Bojaxhia, e njohur me emrin përkëdhelës Ganxhe, ndërsa, si nunë krezmimi pati Z. Tereza Muzhanin, grua me aftësi të rralla tregtare e bamirëse e madhe. Shkollën fillore e kreu shqip, me mësues shkodranin e njohur Engjell Ndocaj. Menjëherë, ra në sy si nxënëse e mirë, si vajzë e talentuar si veprimtare aktive. Kryesisht, kishte prirje për letërsi dhe këndonte shumë bukur.

Në Shkup kaloi fëmijërinë e parë, e gëzuar në familjen e vet të mirë. Ky fëmijë jo i zakonshëm e zbuloi herët vetveten: në Kishë, prirjet e saja të forta shpirtërore; në shkollë, të dhënat e qarta intelektuale; në mjedisin shoqëror, dëshirën e sinqertë për t’u shërbyer tjerëve. Dallohej si fetare e divoçme, si nxënëse e mirë e si këngëtare e veçantë. Qe e bukur, e talentuar, e shkathtë, e shoqërueshme, bamirëse. Më 1928, e shtangu familjen e vet, kur i tregoi thirrjen e fshehtë për t’u bërë “motër” e të gjithëve, mërziti shoqërinë me lajmin se do të largohej nga Shkupi, e varfëroi veprimtaritë e famullisë së vet. Për çudi, Shkupi e përcolli te stacioni i trenit, i dha një përshëndetje të ngrohtë, të përmallshme, të përlotur: familja me lot ndër sy, shoqëria me mërzi në zemër. Vetëm prifti qe i gëzuem. Shkupi mbeti pa Gangjen, Ajo do të shpërthejë hiret e saj të çmueshme shumë larg. Në tren, gjatë udhëtimit, shkroi poezinë “Lamtumirë”. Kishte qejf të shkruante poezi!

Me petkun e saj të ri, sarin e bardhë, anash blu, me rruzaren në dorë, shkoj në lagjen e të vuajturve. “Çdo të diel unë vizitoj të varfëritë e lagjeve të varfra të Kalkutës. Nuk mund t’u ndihmoj gjë, se nuk kam gjë prej gjëje, por shkoj për t’i gëzuar”. Dhe shkoj tek ata që kishin uri e etje, tek ata që kishin nevojë për ushqim e strehim, tek ata që donin mjekim e ilaçe. Dhe të vuajturit, të varfrit, të sëmurët, të braktisurit, të zhveshurit, të papërkujdesurit, handikapatët, fëmijët me të meta, iu afruan të pikëlluar e fituan ngushëllim, iu afruan me shpresë e fituan buzëqeshje, iu afruan me lutje e fituan ndihmë, pa kurrfarë dallimi, as feje, as race, as krahine, as gjuhe. Ajo pohonte: “…duke jetuar në harmoni me të gjitha besimet, mund të bëhesh një katolik më i mirë, nji indu më i mirë, një mysliman më i mirë … sepse dashunia është universale, i jep lavdi Zotit e i shërben njeriut”.

“Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem, pa dyshim, një shenjtëreshë e fshehur, do të mungoj vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”, shkruante Gonxhja. Ajo e dinte se buzëqeshje e saj u lehtësonte dhimbjet, përdhelja e saj u gëzonte zemrat, fjala e saj u ushqente dëshirat.

Nëna Tereze dhe Shqipëria

Nëna Tereze ishte shqiptare e vërtetë: me gjakun tonë, me gjuhën tonë amtare, me karakter shqiptar. Dhe kjo është aksiomatike. E ka deklaruar vetë shumë e shumë herësh, me zë e me shkrim. “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane…”. Së fundi: në një letër që i dërgon Presidentit, (dy artikuj për këtë ka shkruar edhe Prof. Shaban Sinani), më 1989 i shkruan: “I dashur Zoti President i vendit tonë të dashur Shqipëri, Pas kaq vitesh…më në fund i miri Zot më dha këtë dhuratë të bukur, të vij dhe të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu… dhe këtu vdiqën. Dhe unë pata mundësinë të vizitoj varret e tyre…”!

Vëllait të vet, Lazrit, në Itali, i shkruante edhe shqip. Dhe ajo vetë u shpreh: “Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flas shqip”. Referuesi ka pasë fatin të rrijë me Nënë Terezën gjithsaherë ka ardhë ajo në Shkodër, kuptohet, jo vetëm për vetëm me Të, por mbaj mend mirë që ajo e kuptonte gjuhën shqipe, por nuk e fliste. Njëherë e provokova: I fola shqip, ajo u përgjigj anglisht. Edhe Pader Aleksi, i foli shqip; “Do të hapim edhe kishën e fretërve” dhe ajo u përgjigj anglisht. (“Kishat i hapim na, ju shtini njerëzit brendë”). Shkodra i hyri në qejf, edhe Shkodra e desh e e nderoi me zemër. “Një herë, – siç tregon Anton Benusi, – vizitoj Bankën e Shtetit Shkodër, aty pau shumë nëpunëse. Njena bante muhabet, tjetra po piqte kafe, një tjetër po thekte rriskën e bukës…! Atëherë Nana Tereze, sillet e u thotë: Më duket se jeni tepër këtu, bani mirë, gjysa me ardhë e me shërbye te shpija jeme”.

E njohur në të tëra gjuhët e botës me emrin Madre Tereze, pritej e përcillej pa kufij shtetërorë. Vetëm në atdhe të vet nuk e lejuan të kthejë, qoftë edhe për të vënë një kurorë në varret e nënës e të së motrës. Qeveria shqiptare nuk e njohu, nuk pranoj, madje e shau. Edhe kur fitoi çmimin “Nobel”, nuk dërgoi as formalisht një delegacion a një përfaqësues. Vetëm Imzot Nikë Prela, shkodran, Ipeshkëv i Prizrenit, shkoi me sekretarin e tij Dr. Dom Lush Gjergji, për ta uruar, se kishte lartësuar emrin e atdheut tonë. “Në Oslo, – shkruan Dom Lushi, – përbënim një familje të vogël shqiptare: Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, vëllai i Nënës Tereze, Lazer Bojaxhiu, bija e tij Age Bojaxhiu dhe unë”.

Erdhi në Shqipëri, më 15 gusht 1989 për herë të parë, qëndroi deri 18 gusht. U kthye më 1990, kërkoi të sjellë motrat e veta, por u kundërshtua në emër të ligjit. “Ndërroni ligjin”, pati replikuar. Në dialogun e Nënës me Presidentin, po shkëpusim:

– Shoku Ramiz Alia: “Ne e kishim detyrim ndaj jush si bijë e popullit shqiptar. Ne nuk japim çmime Nobël”.

– Nënë Tereza: “Ju më jepni një shtëpi!”.

Ktheu më 1991 dhe erdhi përsëri, pruni motrat e veta, herën e fundit më 1995.

Në letrën e saj, më 16 gusht 1989 i shkruan: ”Presidentit të vendit tonë të dashur Shqipëri … Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat dhe shpresoj që së bashku do të bëjmë diçka të bukur, për Zotin dhe popullin tonë”! Dhe Presidenti, iu përgjigj, më 2 shtator 1989: “Të jeni e bindur, se ky shqetësim i juaj për njerëzit e varfër, përbën dhe detyrën humane e patriotike për mijëra e mijëra djem e vajza të popullit tonë, që si mjekë e infermierë, si kujdestarë e edukatorë i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSSH-së, e dekoroi me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit I-rë. Në motivacionin e dekorimit nuk ka asnjë motiv fetar, katolik, për të cilin ajo zhvilloi tërë atë veprimtari të paharrueshme, por thjeshtë si; “e frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit… si shpirti i rrallë i sakrificës me ndjenjën e lartë të humanizmit…”! Pastaj: Urdhri kombëtar “Naim Frashëri”, a nuk është pak për një personalitet botëror si Nënë Tereza?! Ndër këto kohë moderne e të emancipuara, shembull më edukues, më bindës, më frymëzues, se te kjo femër e madhe, nuk gjej; gjurmë më të thella, më të skalituna, më të pashlyeshme, se te kjo motër e shquar, nuk shoh; emër më të përhapur, më të ndritshëm, më të vlerësuar se te kjo Nënë e dashur, nuk dëgjoj: Është kontributi katolik në atdhe, kontributi shqiptar në botë. Nuk gaboi Kardinal Paskaj, kur tha: “S’mund të jetë popull i vogël, ai që ka dhënë një Nënë kaq të madhe, Nënën Tereze”!/Memorie.al

Exit mobile version