Nga Aurora Velaj
Të enjten, në vendin ku mblidhen përfaqësuesit tanë për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, u dëshmua një tjetër skenë që na kujton pse jemi në krizë, jo vetëm politike dhe ekonomike, por edhe emocionale. Dy deputetë të Kuvendit, në vend që të debatonin me argumente, zgjodhën të ofendonin njëri-tjetrin, duke përdorur një gjuhë që do të ishte e turpshme edhe në një grindje të zakonshme rrugësh.
Nga njëra anë, kishim një deputet që, në vend të një analize apo përgjigjeje të matur, sulmoi me fyerje misogjene e personale të papranueshme. Nga ana tjetër, një deputete që reagoi në të njëjtin nivel, duke i shtuar situatës një ndjenjë të thellë turpi për të gjithë ata që e dëgjuan. Dhe e gjithë kjo skenë ndodhi në mes të ditës, u transmetua drejtpërdrejt në çdo media dhe u dëgjua nga fëmijë, adoleshentë, të rinj, të rritur e të moshuar, pa asnjë dallim.
Këta individë nuk janë vetëm qytetarë të zakonshëm – ata janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Në vendin ku duhet të përfaqësojnë interesat e popullit dhe të japin një shembull për sjellje qytetare dhe ndjeshmëri ndaj halleve të njerëzve, ata u sollën si “kalamaj të rritur,” si dy persona që nuk kanë mësuar bazat e vetëkontrollit dhe respektit. Dhe këtu më kujtohet një shprehje e Theodore Roosevelt, presidentit te 26-të të ShBA-së që thotë: “Nuk është e dobishme t’u predikoni të tjerëve nëse vetë nuk vepron me dinjitet.”
Kjo sjellje nuk është një incident i izoluar. Ajo reflekton një problem më të madh në shoqërinë tonë: mungesën e edukimit emocional, çështje për të cilën nuk është hera e parë që ngre zërin, si në radhët e qytetarëve, ashtu edhe në udhëheqësit tanë. Edukimi emocional na mëson të menaxhojmë emocionet, të komunikojmë me respekt dhe të zgjidhim konfliktet në mënyrë konstruktive. Ai është një nga shtyllat kryesore të një shoqërie të zhvilluar.
Por kur në foltoren më të rëndësishme të vendit shohim këtë lloj sjelljeje, çfarë shembulli po japim për fëmijët tanë? Si mund të presim që ata të rriten me ndjenjën e respektit për të tjerët, kur shohin udhëheqësit që sillen në këtë mënyrë?
Ky incident është një thirrje alarmi për ne të gjithë. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë, që nuk nis vetëm nga ekonomia apo politika, por nga mënyra si ne ndërtojmë dhe zhvillojmë karakterin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve të saj. Edukimi emocional duhet të jetë prioritet në shkolla, në familje dhe, mbi të gjitha, në modelin që liderët tanë ofrojnë për shoqërinë.
Nëse deputetët tanë nuk janë në gjendje të ofrojnë një shembull, atëherë ndoshta është koha që ata të bëjnë një hap pas dhe të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë zhurmë dhe sharje, sepse jemi tashmë të zhytur në një krizë shumë të thellë. Ajo ka nevojë për liderë që frymëzojnë, përfaqësojnë dhe udhëheqin me integritet, mençuri dhe, mbi të gjitha, respekt për njëri-tjetrin.
A nuk është koha të kërkojmë më shumë dinjitet dhe përgjegjësi nga ata që përfaqësojnë zërin tonë?/ Citizens.al