Nga Gerard Komini
Në teori, protesta ndaj qeverisë është e mirë sepse u jep qytetarëve një mundësi për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, duke ndikuar në ndryshimet e nevojshme politike. Ajo gjithashtu forcon demokracinë duke mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj.
Dhe në Shqipëri ka një listë të gjatë arsyesh pse duhet të protestojmë. Një nga më kryesoret është ekonomia kriminale, ku motori ekonomik i Shqipërisë është leku që zotërohet nga bandat kriminale që janë në çdo cep të vendit. Por skandalet nuk mbarojnë as në shëndetësi, arsim, bujqësi e në çdo sektor të qeverisë.
Por çfarë ndodhi në protestën që u zhvillua pak momente më parë?
Në këtë protestë dëgjuam disa persona që kanë zotëruar pushtet në 33 vite dhe që kanë bilancin e tyre në politikë. Bilanc i cili është disa shtëpi a vila në vijën bregdetare, mbështetja e disa grupeve të fortësh që deri dje mblidhnin vota për ata në qeveri e sot këta grupe që ata vetë krijuan i shërbejnë qeverisë së sotme. Pra shkurt, bilanci është i thjeshtë: kanë menduar për mirëqenien dhe rehatinë vetjake. Premisa si do jetë? Besoj që po njësoj.
Në këtë protestë gjithashtu dëgjuam dhe politikanë të rinj në moshë dhe në përvojë. Këta në teori duhet të jenë frymëzimi dhe shpresa se e nesërmja nuk do jetë kjo që është sot. Por nga kjo protestë pesuam një zhgënjim. U dallua qartë që të rinjtë kanë përqafuar modelin 33-vjeçar. Fatkeqësisht të rinjtë kanë hedhur poshtë çdo normë e moral politik për arsyen e vetme që të shkojnë në pushtet. Mesazhi është i qartë: duan pushtet që të bëhen si këta që kemi përqafuar.
Kjo protestë qartësoi shumë dilema të njerëzve dhe mbase dhe të timen. Nëse kjo është alternativa e shpresa e këtij vendi, nuk është alternativa e prosperitetit të vendit.
Sot sheshet duhet të mbushen nga qytetarët që ta kthejmë në shinat e normave dhe moralit politikën. Politika nuk është ajo e marrëveshjeve të errëta për interesa të ngushta vetjake në kurriz të njerëzve. Politika nuk është ajo ku bandat sjellin deputetë në parlament dhe drejtorët në zyrat e shtetit. Kjo politika jonë duhet të sjellë në shinat e normalitetit moral sa më shpejt, ose në të kundërt të shpëtojmë veten duke ikur një sekondë e më parë nga ky vend.