Kur Tirana ishte kantier projektesh inovative, dhe jo lavatriçe e pastrimit të parave të pista.

Teksa në vitin 2025 Bashkia e Tiranës duket se është e rrethuar nga një shirit “skenë krimi”, për shkak të aferave të panumërta korruptive që kanë çuar në arrestimin e disa drejtorëve të rëndësishëm dhe kryetarit Erion Veliaj, 16 Shkurti shënon në kujtesën e qytetit, një ditë kur 12 vite më parë, Bashkia e Tiranës prezantoi projektin e përgatitur nga prestigjozja “Ital – Ferr”, për projektin e terminalit multimodal perëndimor të kryeqytetit.

Ky është një nga projektet e shumta të përgatitura nga Basha në krye të Bashkisë, i cili nuk e arriti ditën e finalizimit, për shkak të pengimit të dhunshëm nga qeveria e instaluar në vitin 2013, ajo e Edi Ramës, e cila kishte një tjetër plan për Tiranën, plan i i cili u mishërua nga veprat që çuan Veliaj dhe të tijët pas hekurave.

Në retorikën e Edi Ramës, sulmet ndaj Bashës u përqëndruan ndër vite në stigmatizimin e punëve të tij në krye të Tiranës, për të justifikuar më vonë babëzinë me të cilën orkestroi planin e tij për ta kthyer bashkinë më të rëndësishme në vend, në një kryqëzim interesash korruptive dhe në lavatriçe të pastrimit të parave të pista.

Në vitin 2011, bashkia e drejtuar nga Basha, u përball me sfida të mëdha pasi kishte trashëguar një model zhvillimi të parcelizuar dhe preferiencial pa vizion dhe pa strategji se si do të zhvillohej qyteti për të gjithë banorët, pasi politika e bashkisë së drejtuar nga Rama që nga viti 2001, ishte ajo e një pallati, një fasade, e disa ngjyrave dhe lajle luleve, duke “harruar” gjithë hallet dhe nevojat reale të qytetarëve dhe banorëve. Kryeqyteti kishte nevojë për një plan urbanistik të përgjithshëm, ndërsa duhej urgjentisht të merrej me transportin publik dhe sistemin e ri infrastrukturor për metropolin më të ri europian, vetëm 2 vjet pasi Shqipëria kishte aplikuar për në Bashkimin Europian.

Prioritetet e Bashës ishin të qarta: Planifikim i qytetit me vizion, strategji dhe projekte të qarta, bazuar në rregullore dhe udhëzues të ndërtuar në mënyrë gjithëpërfshirëve, të cilat do të shërbenin si gurë themeli për metropolin më të ri europian. Transporti i qëndrueshëm publik urban ku prioritet kishte lëvizshmëria me shina (Tramvaji), transporti dhe qarkullimi dinjitoz ndërqytetas me ndërtimin e polit të ri të zhvillimit në qendër të së cilit vendosej terminali, kapaciteti i të cilit ishte projektuar për t’i shërbyer 220 mijë pasagjerëve në kapacitetin maksimal parashikuar deri në vitin 2035, një projekt afatgjatë dhe i qëndrueshëm për dekadat që do të vinin, dhe zhvillimi i Tiranës policentrike dhe decentralizuar qytetin nga ndërtimet e ngjeshura vetëm në qendër.

Në vetvete ky projekt nuk ishte asgjë më pak por edhe asgjë më shumë sesa jetësimi i një standardi europian, përmbushja e një premtimi për një Tiranë moderne e europiane, i një vizioni jo vetëm i Bashës, por i të gjithë qytetarëve të Tiranës, për t’i dhënë qytetit jo vetëm “arnimin” dhe bojatisjen e rradhës, por perspektivën dhe vizionin që meritonte si kryeqendra ekonomike, politike, kulturore dhe shpirtërore e Shqipërisë e shqiptarëve.

Vetëm dy vjet pas fillimit të implementimit të këtyre projekteve për Tiranën, e cila që nga rënia e regjimit komunist kishte parë vetëm ndërtime pa leje, pallatizime dhe bojatisje fasadash, me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë, fondet për bashkinë e Tiranës u bllokuan dhe planet e miratuara u hodhën në kosh të plehrave. Një sabotim i pastër, nga kreu i qeverisë për zhvillimin e kryeqytetit dhe përmirësimin e jetës së banorëve të tij.

Sapo mori qeverinë Rama prishi duke shfuqizuar planin e përgjithshëm të Tiranës të përgatitur nga Basha 2011-2013 dhe miratuar më 1 mars 2013, në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit, pasi ai plan ishte për qytetarët dhe nuk i shërbente dot interesave të klientëve të tij.

Pengimi i qëllimshëm i projektit të tramvajit nga Rama, sapo mori qeverinë në 2013, përmes një lobimi tërësisht kundër interesit të qytetarëve Tiranës, pasi shtrëngoi duart me presidentin francez François Hollande, i cili kishte marrë më herët përsipër financimin e saj.

Bllokimi i projektit të Bulevardit të Ri, i cili zhvillonte një pol të ri për Tiranën e shekullit të 21, duke ruajtur balancën me qendrën historike pa e cënuar atë dhe më pas ndryshimi i planit të Bulevardit duke e shndërruar nga një projekt zhvillimi për portën veriore të Tiranës, në shesh ndërtimi për kullat e klientëve që favorizohen me vendime ad hoc.

Këputja e Bulevardit të Ri tek lumi, duke i hequr mundësinë Paskuqanit të lidhej më në fund fizikisht me Tiranës, dhe heqja e parkut të Paskuqanit nga Plani “Grimshaë 2”, i cili shtonte një park të ri dhe hapësira të gjelbërta dhe shlodhëse për kryeqytetin, si edhe më pas kthimi i bregut të lumit nga një park linear në një kantier ndërtimi duke shpërngulur familjet me dhunë, pa kompensim, pa kontratë, pa siguri juridike, pasi do të duhej të ndërtonin ata që sot janë duke ardhur verdallë derës së SPAK-ut.

Bllokimi i fondeve nga buxheti i shtetit, sapo mori qeverinë në 2013, për projektet dhe investimet e ndryshme të nisura nga Basha në 2 vitet e para në krye të Bashkisë, kishte qëllim pikërisht kthimin e bashkisë në një bankomat për punët e tij dhe klientelës së tij. Sapo i dha Veliajt Bashkinë e Tiranës, në 2015, Rama iu rikthye planit të tij të kullave rreth e qark sheshit Skënderbej, të njohur si “plani Francez”, plan i cili shfaroste ndërtimet historike në zonën qëndrore të qytetit ashtu edhe siç ndodhi.

Pasi pengoi gjithëçka më sipër, pasi bllokoi financimet dhe projektet e Bashës nga pozitat e kryeministrit, Rama ndërtoi përmes mediave që kontrollonte dhe retorikës së tij të gënjeshtërt, fabulën e “gjumit”. Ndërkohë që ishte pikërisht Edi Rama që ishte bërë varrëmihësi i punëve të mira të qytetit për të goditur kundërshtarin politik.

Por karma është një princip universal, që jep shpagim për të padrejtën që kryhet mbi të tjerët, dhe ata që e akuzonin Bashën për “gjumin”, janë sot hajdutë të çertifikuar nga organet e akuzës.

Keqardhja e vetme është për qytetin, që humbi kohë, hapësira publike dhe identitetin e tij, me një tufë matrapazësh të korruptuar, të drejtuar nga Rama, që punën e ndershme e cilësonin gjumë, ndërsa hajdutërinë e pafrenuar, histori suksesi.

Artikulli paraprakMbreti Charles letër Vjosa Osmanit për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Pres të forcojmë miqësinë tonë
Artikulli tjetërI fiksuar pas sulmuesit të Bolonjës, Interi sakrifikon Kristjan Asllanin