Kurban Bajrami/ Kreu i KMSH, Bujar Spahiu uron besimtarët: Të thellojmë lidhjen me Krijuesin dhe njëri-tjetrin! Zoti udhëzoftë njerëzimin drejt paqes dhe mëshirës

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në një mesazh paqeje, bashkimi dhe shprese në këto ditë të begata, ai ka bërë thirrje që të kthejmë sytë nga të varfit dhe ata që kanë më pak.

“Të nderuar motra e vëllezër me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për shëndet, paqe dhe mëshirë në familjet tuaja. Kurbani nuk është thjesht një akt simbolik, por një shprehje e përkushtimit dhe bindjes së njerëzve ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Ai lidhet drejtpërdrejtë me një prej tregimeve më madhështore të Shpalljes Hyjnore në Kuranin Famëlartë, historinë e Pejgamberit Ibrahim alehi Selam dhe sakrificës së tij sublime për të çuar në vend premtimin e dhënë.

Kurani na mëson se te Zoti nuk arrin as mishi as gjaku, pra nuk është ky qëllimi i Kurbanit, por devotshmëria dhe qëllimi i pastër i zemrës. Le të jetë kjo festë një mundësi, për të thelluar lidhjen tonë me krijuesin, për të forcuar lidhjet me njeri tjetrin dhe për të ndarë me ata që kanë më pak.

Le të mos harrojmë të varfrit, fqinjët dhe të afërmit siç na mëson tradita profetike, sepse vetëm përmes ndarjes dhe solidaritetit shfaqim vlerat më të larta të fesë sonë.

Në emrin tim dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj nga zemra Gëzuar Kurban Bajramin. Zoti e begatoftë popullin tonë dhe udhëzoftë njerëzimin drejt paqes dhe mëshirës”, shprehet ai.

Artikulli paraprakTë drejtat e punëtorëve në rënie, Shqipëria mes vendeve që kufizojnë të drejtën për grevë! Ja si renditet vendi ynë
Artikulli tjetërErion Alibej vijon dëshminë në GJKKO: “Kisha TIMS-in në dorë, po grumbulloja informacione për ekzekutorët e familjes time”