Pika e katërt: I bëj thirrje Edi Ramës mos u bëj varrmihës i konsensusit se historia do të dënojë në mënyrë të pamëshirë. Në vend se të falënderosh opozitën, dhe ua them këtu se nuk di kryeministër në Europë që nuk do falënderonte opozitën për aktin e saj që la me dhjetëra vërejtje dhe u mor vetëm me një kërkesë substancë të Venecias dhe i tha unë do të votoj e miratoj reformën.
Çdo kryeministër duhet të falenderonte opozitën, duhet të shprehej mirënjohës ndaj opozitës, kurse ky i tregon linjat e kuqe, njëlloj siç i tregoi miku i madh i shqiptarëve George Bush, Sllobodan Millosheviçit për Kosovën. Ky tregon linjat e kuqe, me mburrje të madhe madje.
Kjo nuk është linjë e kuqe për kryetarin e opozitës, por i them Ramës se kjo është vijë e kuqe për Venecian.
U them shqiptarëve edhe njëherë se njeriu që mbajti 2 vjet peng statusin e kandidatit për 3 ligje, po mban peng hapjen e negociatave, sepse ky është armik i integrimit tuaj, sepse ky e di se integrimi e shkrin këtë, e bën të paqenë, e çon tek Ponta. Ky e di se afrimi me Europën është shkatërrimtar për të, për perandorinë e tij të krimit.
Do t’i rikujtoj shqiptarëve disa momente shumë të rëndësishme. Që në fillim fare Rama bindi, mashtroi komunitetin ndërkombëtar, duke u thënë se, në Shqipëri fjala konsensus nuk ekziston, se konsenusi nuk njihej në këtë vend, në një kohë kur 24 vite rresht të gjitha reformat e mëdha pa përjashtim, përveç njërës, ishin bërë me konsensus dhe asnjëra prej tyre nuk kishte ngelur në mes, pasi kishte filluar bilateralisht. Rama mashtroi në këtë mënyrë, sepse nuk donte që opozita të ishte në komision mbi bazën e paritetit. Opozita meriton një falenderim nga çdo qytetar shqiptar, se është ajo dhe vetëm ajo që imponoi drejtimin drejt Venecias të materialeve. Ajo kërkoi e para drejtimin e tyre drejt Venecias. Nëse ju kujtohet ju, Fatmir Xhafaj bënte çdo gjë për të mos nisur materialin drejt Venecias. Këtu erdhi Presidenti i Komisionit të Venecias dhe organizoi një takim të gjerë dhe të gjitha palët i kërkuan atij që të shihte materialin me insistimin tonë dhe pastaj këta nuk dërgonin kërkesën. E mbani mend sa u shty kërkesa. Nuk e donte Edi Rama se ai nuk donte drejtësi mbi bazën e parimeve të Venecias, por donte drejtësi mbi bazën e parimeve të Xhafës që donte ta bënte Ramën kryegjykatës, kryeprokuror e kryehetues. Si opozitë i bëmë një shërbim të madh vendit me Venecian. Pse tani numërojnë orët në një kohë, kur shkelmuan muaj e muaj të tërë?! E bëri draftin e parë Xhafa, i cili u rrëzua kryekëput në Komisionin e Venecias. Vërejtjet e opozitës gjetën pasqyrimin më të gjërë në rekomandimet e Venecias. Përsëri opozita do të ishte shpëtimtare e një procesi, përsëri opozita do të bëhej garante e ndërtimit të një sistemi të bazuar në parime të shëndosha ndërkombëtare. Përsëri Edi Rama do urdhëronte Xhafën dhe me Xhafën e Xhafajt do hartonte draftin e dytë, duke përjashtuar krejtësisht opozitën. Përsëri opozita, në emër të interesit parësor të qytetarëve shqiptarë për një sistem gjyqësor transparent, efiçent, nuk u tkurr. Ajo studioi draftin, e dërgoi në Venecia dhe Venecia prap e rrëzoi draftin, duke konstatuar dhe tek i dyti shkelje të tmerrshme të rënda të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe kapjen.
Opozita, në sensin më pozitiv, hartoi një draft për të cilin nuk ka njeri në Shqipëri, as të huaj e as vendas, që të ketë thënë një fjalë të vetme negative. Sepse është hartuar fund e krye mbi bazën e rekomandimeve të Venecias. Edi Rama në vend se të studionte këtë, bëri gjithçka që ta sabotojë dhe e shpërfilli totalisht. Megjithatë opozita prap, në vendosmërinë e saj për të kontribuar, arriti të pranojë shumë gjëra me kushtin e vetëm që të mos lejohej kapja.
Po pse Rama më në fund pranoi për dy institucione, por nuk pranoi vetingun dhe një tjetër? Pse nuk pranon për këto? Se këto nuk duhet të jenë partiake thotë. Pra, këto duhet të jenë monopartiake, si në shtetin e etërve të tij. Dhe atyre, të cilët na thonë ne se nuk duhet të fusin partitë duart, u them kujdes se rrezikoni të shkoni drejt shtetit monist dhe të thoni t’i fusë partia duart, jo partitë, por njëra parti. Kjo është e turpshme. Që këtu faktohet se, Rama s’ka asnjë qëllim tjetër përveç drejtësisë në pëllëmbë të dorës.
Kjo është situata. Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se, opozita dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të reformës nga “projektet Xhafa”. Dha një kontribut të jashtëzakonshëm me draftin e shkëlqyer që hartoi, me vërejtjet serioze që dërgoi në Komisionin e Venecias dhe ato u morën për bazë në tërësinë e tyre, sepse ishin të drejta. Opozita jep një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse opozita është e vendosur ta votojë reformën për t’i hapur rrugë vendit, me kushtin e vetëm që ajo të mos jetë drejtësia në duart e Edi Ramës. Kjo nuk mund të ndodhi. Rama, duke pranuar dy institucionë sipas Venecias dhe jo katër, zbuloi veten më lakuriq se në plazhet publike të Francës. E kanë rusët një fjalë “bukë e kripë bashkë, duhanin ndama”, pra, këtë vetingun e kam unë tani, se kush do jetë e si do jetë atë e përcaktoj unë tani thotë. Kjo është qesharake, ky e zbuloi veten. Nuk them se, opozitën e gëzon ky veprim i Ramës, përkundrazi ne na vjen keq, por në mënyrë absolute Rama vetdamkosi veten e tij. Dje, ishte këtu një vizitor shumë i rëndësishëm, ishte ministri i Jashtëm gjerman, diplomati kryesor i Europës, një njëri me reputacion shumë të madh në vendin e tij, ai është një njeri me një mendje brilante gjermane dhe zemër mesdhetare, të ngrohtë. Duhet të jesh si Rama që të mos i bëje mikut, me rastin e ardhjes së tij, dhe ti thoje që do e votosh reformën. Ai si çështje kryesore reformën kishte dhe ai u shpreh shumë qartë, por ky njëri (Rama) nuk ka gjë mbi tokë përveç interesit të tij. Mënyra më civile e tij do të ishte t’i thoshte këtë, edhe Basha ja tha ministrit që ne e firmosëm dhe kemi vetëm një çështje për të zgjidhur, pasi përndryshe është si të votosh drejtësinë në duart e kryeministrit.
Në mënyrë absolute qëndrimi ynë është parimor dhe nuk ka të bëjë me personin. Se e personit zgjidhet. Nuk ka të bëj me Edi Ramën, por ka të bëj me antimonizmin tonë. Edhe për Lulzim Bashën nuk do isha kurrë dakort që nesër ai kryeministër të kishte këtë autoritet për të bërë vetingun sipas tij. Në asnjë mënyrë. Vetingu është një proces me një përgjegjësi shumë të madhe. Dhe ne duhet t’u themi një gjë shqiptarëve; nëse Kushtetuta ka patur ndonjë gabim serioz ka qenë gabimi që i gjithë sistemi varej në një qeveri, gjyqësori, unë nuk jam për mos përthyerjen e kësaj. Përthyerja jep një lloj garancie më të madhe të mbajtjes dhe të zbatimit të ligjit. Por të pretendosh të ruash për partinë tënde vetingun, kjo do të thotë që do kapjen më të pamëshirë. 2/3 janë çimentim i kësaj, sepse ato kanë si valvul sigurie kapjen mbrapa, po nuk funksionoi 2/3 me komision i merr të gjitha.
Ndaj dhe i them dhe një herë, pavarësisht se dje ke folur për vijë të kuqe, mos e pengo vendin, mos mendo se mund ta shesësh këtë reformë. Nuk e shet dot. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme. Pavarësisht se askush nuk ka tendencën të jetë kundër qeverisë dhe pro opozitës, por opozita nuk mund të trajtohet si lokus minoris rezistence, kjo është e pamorlashme. Ky është një veprim i papranueshëm. Rama ka kohë prapë, ne nuk jemi të ultimatumit dhe vijave të kuqe, ne i themi ulu, po gjetë një mënyre më transparente se kjo, urdhëro parashtroje. Po kurrën e kurrës mos mendo që opozita do vijë të japë vota që ti ta fusësh në grusht drejtësinë shqiptare. Venecia thotë se 2/3 e çimentojnë kapjen, 2/3 e kapin ndërsa 2/3 e çimentojnë kapjen, sepse e kthejnë për zhbllokim tek një komision, i cili bën pastaj gjithçka çfarë do.