Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se nuk e ka pritur që kryeministri Albin Kurti të befasohet me qëndrimin e Gjermanisë dhe as të Francës – shtete të cilat thonë se Kosova duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Rohde tha se Kurti ka qenë në dijeni që për Gjermaninë dhe Francën dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Edhe unë jam i befasuar që ai u befasua. Sepse kryeministri Kurti ka folur me presidentin francez Macron, ai foli me kancelarin tim, ai takoi ministrin tim të jashtëm dhjetë ditë më parë në Berlin, dhe ne kishim të njëjtin mesazh për të: Bëj diçka në Asociacion dhe kjo ndihmon për të siguruar një shumicë”, tha Rohde për një media në Kosovë.