Kurti: Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të jetë 3.8 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti ka nevojë për njerëz profesionistë dhe se shkollat profesionale duhet të shihen si vlerë e shoqërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i bindur se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 3.8 për qind.

Ai madje ka thënë se Qarkullimi i ekonomisë ka parë një rritje të jashtëzakonshme.

“Qarkullimi i ekonomisë sonë ka parë një rritje të jashtëzakonshme, nga 12.56 miliardë euro në vitin 2019, në 18.15 miliardë euro në vitin 2022, një rritje prej 44.5%. Të hyrat nga taksat në periudhën 2020-2022 u rritën me 47%, pa e ndryshuar politikën fiskale”

Ai ka folur edhe për investimet që janë bërë në Kosovë.

“Investimet në vendin tonë kanë qenë të fuqishme, me investimet e huaja direkte që janë dyfishuar për dy vite. Vetëm në vitin 2022, ne regjistruam 772 milionë euro në Investime te Huaja Direkte, në total prej 1.2 miliardë euro për dy vitet e fundit”.

Shefi i qeverisë ka dhënë edhe një parashikim, ku sipas tij këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.8 për qind.

“Rritja jonë ekonomike në vitin 2022 ishte 5.2%, dhe për vitin 2021 në një nivel impresiv prej 10.7%. Ndërkaq këtë vit duket se do të mund ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3,8%”.

Duke u gjendur para kryqëzimit të ndryshimeve globale dhe rritjes ekonomike, ku kërkohet një fuqi punëtore e aftë, e adaptueshme dhe inovative, kryeministri Kurti theksoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional është thelbësor për mirëqenien sociale.

“Duke mësuar nga modeli gjerman, qeveria jonë synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik; një sistem i cili i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve por edhe prindërve tonë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual”.

Ai po ashtu tha se përveçse do të plotësohen vendet e lira të punës, duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual, tashmë në 12 profile, në 21 shkolla e në 14 komuna, njëherësh po ndërtojnë themelin për të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Përmes kësaj fushate, kryeministri rekomandoi që kompanitë t’i adresojnë propozimet e tyre te Ministria e Arsimit dhe te shkollat përkatëse në komunat e tyre, ndërkaq odat t’iu ndihmojnë kompanive anëtare në mbledhjen e kërkesave që nga viti shkollor 2024/25 të kemi hapësira të mjaftueshme nëpër shkolla profesionale për t’i përgatitur nxënësit.

Në anën tjetër, për nxënësit dhe prindërit kjo fushatë është një thirrje për të njohur mësimin dhe sistemin dual si një rrugë e qëndrueshme dhe e vlefshme drejt suksesit personal e profesional, pasi siç tha kryeministri, sistemi dual do të thotë edhe karrierë, jo vetëm aftësim.

Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se për të qenë të suksesshëm duhet angazhim i të gjithë partnerëve, përfshirë Qeverinë, shkollat dhe bizneset.

“Edhe vetë sektori bëhet i rëndësishëm, nëse këto angazhohen. Siç e tha edhe kryeministri, çdo kush që është pjesë e arsimit dhe aftësimit profesional duhet të jetë krenar. Që nga viti 2016, kemi investuar në këtë nivel të arsimit për më shumë se 30 milionë euro ka investuar për të rinjtë e Kosovës”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kampanja synon t’i përgatisë të rinjtë për tregun e punës.

“Kjo nismë është detyrë morale e jona. E filluam me katër profile për arsimin dual, ndërsa tani i kemi 21. Unë i ftoj të gjithë aktorët që t’i hapin dyert për këta nxënës që t’ua japim mundësinë të jenë pjesë e bizneseve tuaja”.

Exit mobile version