Kurti: Serbia vazhdon të fshehë vërtetën për vrasjet në “Panda”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti i Serbisë “vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë edhe pas një çerek shekulli”, duke iu referuar vrasjeve në lokalin “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998.

“…Sikurse vazhdon të mos i pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-’99”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se “kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se në këtë lokal, më 14 dhjetor të vitit 1998 autoritetet serbe “inskenuan vrasjen e gjashtë të rinjve serbë”.

Kurti, po ashtu, publikoi disa fotografi, në të cilat shihet se para objektit ku kanë ndodhur vrasjet, është vendosur pllaka përkujtimore.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që objektin e ish-Pandës ta fusë nën mbrojtje të përhershme.

Me shpalljen e këtij vendimi, në tetor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lokali do t’i shërbejë kujtesës kolektive për krimin që, sipas tij, është bërë nga Serbia.

Mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hynë në kafene dhe gjuajtën me breshëri plumbash mbi ata që ishin brenda.

Të vrarë në vend mbetën: Ivan Radeviç, 25 vjeç, Ivan Obradoviç, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviç, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviç, 17 vjeç.

Artikulli paraprakZonja: Berisha s’ka më fuqi bllokuese e destabilizuese. Ja mesazhi i Ramës për amerikanët mbi SPAK-un
Artikulli tjetërMandati i Berishës, Pampuri: Mbështesim në çdo hap SPAK, shpresë për drejtësi të paanshme (VIDEO)