Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se shtetet fqinje nuk mund të ndihet të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
I pyetur gjatë Forumit të Paqes në Paris se cilat janë qëllimet e Serbisë karshi Kosovës, Kurti theksoi se “ndarja e saj, apo kompensimet territoriale.”
“Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”, tha Kurti.
Kosova e ka akuzuar Serbinë për “tentim aneksimin e veriut të Kosovës”, pas një sulmi nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.
Serbia i ka mohuar akuzat, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
“Mendoj se, në njërën anë, ata [Serbia] duan të shohin ndarjen e Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme”, tha Kurti në Paris të shtunën.