Kurtua akuzon Murinjon

Portieri i Çelsit, Tibo Kurtua, ka fajësuar trajnerin e Mançester Junajtid që e shndërroi çerekfinalen e FA Cup kundër Çelsit në një betejë të vërtetë në “Stamford Bridge”. Kante u dhuroi biletën në “Wembley” bluve të Londrës, por goli i tij spektakolar kaloi në plan të dytë, në një ndeshje që ra në sy për faullet e ashpra të lojtarëve të Junajtid ndaj Hazardit dhe Uillianit.
Duke qenë se portieri i Çelsit e njeh mirë trajnerin portugez që e stërviti për dy sezone në “Stamford Bridge”, beson se loja fizike e “Djajve” e ka burimin prej Murinjos dhe lavdëroi shokët e skuadrës së tij që nuk ranë pre e provokimeve të portugezit.
“Këto janë provokimet që ata përpiqen të luajnë. Ato i mësojnë prej trajnerit të tyre, por ne nuk ramë në këtë kurth. Ata kishin qartazi një plan për t’ia vendosur Fill Xhonsin dhe Mateo Darmianin pas Hazardit dhe Uillianit. Ishte e vështirë të gjeje hapësirë, por pasi ne ia dilnim, ata bënin shumë faulle”, tha belgu për “Evening Standard”.
Momenti më i rëndësishëm erdhi në minutën e 35-të, kur Herrerës iu tregua kartoni i dytë i verdhë nga Oliver pas një faulli ndaj Hazardit, i cili erdhi vetëm pak sekonda pasi kryesori paralajmëroi kapitenin e Junajtid, Kris Smolling, për ndërhyrjet e rënda ndaj belgut.
“Ata ishin shumë të ashpër. Ishte i gjithë stili i Murinjos dhe Herrera pagoi çmimin për shokët e tij, sepse Xhons kishte kryer pak çaste më parë faullin e pestë ndaj Edenit. 10 sekonda më vonë erdhi një tjetër faull dhe arbitri duhet që të nxirrte një tjetër karton të verdhë. Fatkeqësisht për Herrerën ai e kishte një të verdhë”, vijoi Kurtua.

Artikulli paraprakIsh-të përndjekurit-Nishanit: Mos dekreto xhelatin e diktaturës Xhafa
Artikulli tjetërVijon ëndrra Champions e Leicesterit